Inatet si fenomen i elitës politike shqiptare
Shkruan: Ethem Çeku
Në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, inatet, rivalitetet personale dhe veprimet individuale të elitës politike përbënin një dukuri të qëndrueshme, të ndërthurur ngushtë me zhvillimet historike dhe me procesin e shtetformimit. Që nga koha e Krizës Lindore (1875–1878), kur territoret shqiptare u fragmentuan nga vendimet e Kongresit të Berlinit më 1878, elitat shqiptare nuk arritën të ndërtonin një veprim të përbashkët politik e diplomatik. Një pjesë e prijësve krahinorë dhe bajraktarëve ishin të lidhur fort me strukturat osmane dhe me oborrin e Sulltanit, ndërsa individualizmi i tyre, i rrënjosur në logjikën feudale të pushtetit lokal, pengoi formimin e një strategjie të unifikuar kombëtare.
Në zhvillimet e mëvonshme, veçanërisht gjatë viteve 1908–1912, elita politike shqiptare mbeti thellësisht e përçarë. Mospajtimet ideologjike dhe krahinore e shtynë politikën shqiptare drejt fragmentimit, ndërsa në vend të bashkërendimit kombëtar shpesh mbizotëroi logjika e vetëafirmimit personal. U konsolidua modeli i liderit që kërkon të jetë epiqendra e procesit politik, duke e zbehur dimensionin e përgjegjësisë kolektive dhe duke e shndërruar shtetin në hapësirë të afirmimit vetjak.
Në shumë raste individi u ngrit mbi institucionin dhe interesi personal mbi interesin e shtetit. Vendimmarrja shtetërore u personalizua dhe institucionet u reduktuan në zgjatim formal të vullnetit të individit. Kur individi fillon të sillet si shtet më vete, shteti real zvogëlohet, kufijtë midis pushtetit personal dhe atij institucional treten dhe qytetarët shndërrohen nga subjekte aktive në spektatorë të ambicieve private. Kjo e dobëson autoritetin e ligjit dhe e relativizon parimin e barazisë para institucioneve.
Kur individualizmi ngrihet mbi të përbashkëtën, shoqëria futet në krizë, ndërsa kulla të veçuara të pushtetit personal ngrihen mbi rrënojat e urave të bashkëpunimit. Krizat shoqërore nuk lindin vetëm nga mungesa e burimeve materiale, por nga tepria e vetëqendrimit politik dhe nga mospranimi i pushtetit si shërbim publik. Shoqëria thyhet kur individi e sheh shtetin si instrument të vullnetit të vet dhe jo si realitet të përbashkët që kërkon përkushtim, kufizim të egos dhe përgjegjësi morale.
Interesat shtetërore janë më të mëdha dhe më gjithëpërfshirëse se interesat individuale, sepse lidhen me sigurinë kolektive, stabilitetin institucional, mirëqenien e përgjithshme dhe perspektivën historike të shoqërisë. Çdo rast kur një përfitim personal, një karrierë politike apo një kalkulim partiak vihet mbi stabilitetin e shtetit cenon jo vetëm funksionimin institucional, por edhe besimin qytetar te drejtësia, barazia dhe vetë ideja e republikës. Sabotimi i reformave dhe bllokimi i proceseve të nevojshme vetëm për të ruajtur pozita personale dëshmojnë se sa shpejt interesi individual mund ta deformojë interesin publik.
Kjo dukuri ka edhe një dimension të thellë psikologjik. Masat shpesh ndikohen nga retorika e liderëve karizmatikë, duke u identifikuar emocionalisht me individin dhe jo me institucionin, me personin dhe jo me parimin. Psikologjia kolektive, e formuar nga zhgënjime historike dhe kriza të gjata, priret të kërkojë figura të forta, të cilave ua delegon shpresën dhe përgjegjësinë. Në këtë mënyrë, rrezikohet që qytetari kritik të zëvendësohet nga tifozi politik, ndërsa analiza racionale të zëvendësohet nga entuziazmi emocional, duke u dobësuar kultura demokratike.
Kur secili synon të jetë qendër, asgjë nuk mbetet në qendër. Aty ku mungon ne-ja dhe sundon unë-i, institucionet mbeten pa shtyllë kurrizore, shteti pa busull strategjike dhe politika pa horizont etik. Kriza e shtetit është, në thelb, krizë e karakterit politik të elitave të tij, sepse sa herë që zmadhohet egoja, zvogëlohet republika, dhe sa herë që zgjerohet projekti personal, ngushtohet projekti kombëtar.
Në përfundim, individualizmi i tepruar, i shoqëruar me inate politike, rivalitete personale dhe mungesë të punës ekipore, mbetet një nga pengesat themelore për ndërtimin e një kulture politike kolektive dhe për konsolidimin e shtetformimit shqiptar. Kalimi nga logjika e un-it drejt logjikës së ne-së, nga pushteti i personalizuar drejt institucioneve funksionale, përbën kusht parësor për rivendosjen e ekuilibrit mes ambicies personale dhe përgjegjësisë shtetërore dhe për ndërtimin e një shteti modern, demokratik dhe të qëndrueshëm.



