Iniciativa për reformë zgjedhore, pozitive

14 prill 2019 | 12:34

Ish-anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), profesori universitar Fadil Maloku, ka thënë se qeveria aktuale do të mbahet mend për pak veprime institucionale e shumë sosh kolaterale.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se gjenerata e ‘komandantëve’ dhe ‘institucionalistave paqësorë’ duhet të shkojë në histori dhe gjeneratat e reja duhet të vijnë në pushtet.

“Ndryshe Kosova do të mbetet edhe më tej një ‘burg kolektiv’, pra peng i grupeve dhe klaneve oligarkike që i rekrutoi politika e pasluftës”, ka deklaruar Maloku, duke shtuar se opozita më shumë ka bërë zhurmë sesa oferta konkrete se si të dilet nga kjo gjendje.

Pavarësisht prej zhvillimeve të tjera, profesori universitar e ka quajtur pozitive iniciativën e partive politike parlamentare për reformën zgjedhore. Maloku ka thënë se sistemi i tanishëm zgjedhor është bërë pengesë serioze për emancipimin e mëtejshëm sociopolitik.

Ai ka theksuar se reforma zgjedhur duhet t’i përfshijë zonat zgjedhore dhe reduktimin e rolit të liderit.

“Përmenda më lart, në pika të shkurtra, se zonat zgjedhore duhet të maksimalizohen, sepse s’ka kurrfarë kuptimi që deputetët të mos kenë zonën e tyre zgjedhore. Zonë kjo që, dosido, i ‘disiplinon’ dukshëm ata kur janë në pyetje llogaridhënia, përgjegjësia dhe transparenca në qëndrime publike. Po ashtu, reforma, në fakt, do të duhej ta përfshijë reduktimin e rolit të liderit (që aktualisht i ngjason një diktatori dhe autoriteti të padiskutueshëm që është në kundërshtim me demokratizimin e brendshëm), të cilët, në rastin tonë, u mundëson të jenë të përjetshëm. Që prapë është një absurd i llojit të vet”, është shprehur ai, duke shtuar se në kuadër të reformës zgjedhore duhet të diskutohet edhe për përfaqësimin e minoriteve në KQZ.

Maloku ka thënë se dështimi i procesit të reformës zgjedhore mund të ndodhë vetëm nga subjektet e mëdha politike.

Kurse sa i përket emërimit të anëtarëve të rinj të KQZ-së, ai ka thënë se presidenti aktual për herë të parë ka marrë një qëndrim neutral dhe në favor të ligjit aktual zgjedhor dhe Kushtetutës.

“Epoka e re”: Z. Maloku, partitë politike parlamentare kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, me anë të së cilës kanë shprehur gatishmërinë dhe angazhimin e tyre për ta përmirësuar dhe forcuar procesin zgjedhor. Këtë nismë e kanë përshëndetur Zyra e BE-së në Prishtinë dhe misioni i OSBE-së. Si e shihni këtë iniciativë dhe cilat janë pritjet e juaja në këtë drejtim?
Maloku: Natyrisht se është pozitive kjo iniciativë edhe për faktin se sistemi i tanishëm zgjedhor po shihet dukshëm që është bërë një pengesë serioze në emancipimin tonë të mëtejshëm sociopolitik. Them kështu edhe për shkakun se ky sistem (i trashëguar edhe i imponuar nga ish-administrata e UNMIK-ut) dosido u bë një ‘këmishë’ e ngushtë për të identifikuar, fuqizuar dhe faktorizuar subjekte meritokratike në skenën aktuale politike kosovare.

“Epoka e re”: Pavarësisht prej përpjekjeve, ka gjasa që edhe kësaj radhe të dështojë reforma?
Maloku: Dështimi, për mendimin tim, mund të ndodhë vetëm nga subjektet e mëdha politike. Shkaku se ky sistem atyre u garanton dhe aprovon që legalisht dhe ligjërisht autoriteti i karizmave partiake të mbetet alfa dhe omega e gjithë zhvillimeve dhe proceseve në horizont. Ky sistem aktual zgjedhor, pa dyshim duke fuqizuar autoritetin e lidershipit (të përjetshëm) partiak, në fakt e ngulfat demokratizimin e brendshëm partiak, e pengon shumë vendimmarrjen e zgjeruar të anëtarëve të tjerë, e riciklon mediokritetin politik, e ushqen monopolin e një klani të caktuar, e katapulton injorantin kundruall kandidatit të kohës, e margjinalizon kandidimin ‘fair play’, e redukton dukshëm konkurrencën midis kandidatëve për deputetë etj.

 “Epoka e re”: Komisioni ‘ad hoc’, që do ta trajtojë këtë çështje, a duhet ta marrë për bazë punën që është bërë deri më tani sa i përket reformës?
Maloku: Sa di unë, partitë politike e kanë një draft paraprak në tavolinë. Është fjala për një konsensus të mëhershëm, ku është punuar, në mos gabofsha, për dy vjet të tëra. Por, si duket, ai draftmarrëveshje i arritur mes subjekteve politike kosovare gjendet në sirtarët e presidentit.

“Epoka e re”: Sipas mendimit tuaj, çfarë duhet të përfshijë reforma zgjedhore dhe cilat janë pikat kyçe që duhet të ndryshohen?
Maloku: Përmenda më lart, në pika të shkurtra, se zonat zgjedhore duhet të maksimalizohen. Sepse s’ka kurrfarë kuptimi që deputetët të mos kenë zonën e tyre zgjedhore, zonë kjo që, dosido i ‘disiplinon’, dukshëm ata kur janë në pyetje llogaridhënia, përgjegjësia dhe transparenca në qëndrime publike. Po ashtu, reforma, në fakt, do të duhej ta përfshijë reduktimin e rolit të liderit (që aktualisht i ngjason një diktatori e autoriteti të padiskutueshëm që është në kundërshtim me demokratizimin e brendshëm), të cilit, në rastin tonë, i mundëson të jetë i përjetshëm. Që prapë është një absurd i llojit të vet.

“Epoka e re”: Z. Maloku, pas më shumë se një viti është bërë funksional Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me emërimin e tetë anëtarëve të rinj. Mirëpo KQZ-ja është në mungesë të dy anëtarëve të tjerë, mirëpo katër parti politike (PDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe PSD-ja) synojnë të përfaqësohen në këtë institucion. Si e komentoni këtë proces dhe kush ka të drejtë?
Maloku: E kam thënë publikisht edhe më herët në prononcimet e mia, se presidenti aktual për herë të parë ka marrë një qëndrim neutral dhe në favor të ligjit aktual zgjedhor dhe Kushtetutës kur është në pyetje përfaqësimi në këtë institucion. Ajo çka unë mendoj se është e rëndësishme në këtë debat për reformën ka të bëjë me rishqyrtimin joadekuat të minoriteteve. Ju lutem, në asnjë ligj zgjedhor të rajonit e as të kontinentit nuk ka përfaqësim kaq enorme të minoriteteve. Me ligjin aktual zgjedhor ata në këtë institucion përfaqësohen me mbi 35 për qind, ndërkaq në jetën reale ata në Kosovë, sipas Entit Statistikor, nuk janë mbi 5 për qind. Ky absurd duhet të debatohet. Edhe për shkakun se përfaqësimi i tyre (super diskriminim pozitiv) sa e kam vërejtur edhe vetë derisa isha anëtar i KQZ-zë, më shumë ka sjellë konfuzion dhe manipulim nga partitë e mëdha politike. Sidomos PDK-ja dhe LDK-ja në mandatet e mëhershme zgjedhore ‘gishtat’ e tyre (të kushtëzuar dhe të blerë në forma të ndryshme me siguri) i kanë shfrytëzuar maksimalisht për interesat e tyre partiake dhe zgjedhore. Po e përsëris, ky absurd duhet të eliminohet dhe përfaqësimi i tyre duhet të jetë konform Kushtetutës së vendit dhe jetës reale ekzistenciale.

“Epoka e re”: Dhe një pyetje për fund, cili është opinioni juaj për këtë qeverisje dhe rolin e opozitës?
Maloku: Qeveria aktuale po ‘ushqen’ komoditetin e pamundësisë së rrëzimit (shkaku i pat pozicionimit të numrave) dhe po kartës se tashmë (mendoj unë) të harxhuar të ‘taksës’. Sepse në horizont ka procese të tjera, shumë më të rëndësishme, e që s’po dinë t’i menaxhojnë si duhet. Tjetër, kjo qeveri do të mbahet në mend për pak veprime institucionale e për shumë sosh kolaterale. Thënë më thjesht, gjenerata e ‘komandantëve’ dhe ‘institucionalistave paqësorë’ duhet të shkojë në histori. Gjeneratat e reja duhet ta pushtojnë me dijen, elokuencën dhe idetë kompatibile me kohë hapësirën e gjetur publike politike. Ndryshe, Kosova do të mbetet edhe më tej një ‘burg kolektiv’, pra peng i grupeve dhe klaneve oligarkike që i rekrutoi politika e pasluftës. Për opozitën kam shumë vërejtje ngaqë ajo nuk e shfrytëzoi momentin e riparimeve të duhura në sferën ekonomike, sociale dhe politike. Ajo më shumë bëri zhurmë sesa vepra dhe oferta konkrete se si për të dalë nga ky obskurantizëm postmodernist.

 Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të paktën tre persona kanë vdekur dhe katër të tjerë…