
Inspektorët bërthamorë kthehen në Iran, por rivendosja e sanksioneve duket e pashmangshme
Gati dy muaj pasi Teherani ndërpreu bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së ka dërguar sërish inspektorë në Iran, pikërisht në kohën kur vendi po përballet me mundësinë e rikthimit të sanksioneve të mëdha ndërkombëtare.
Irani i pezulloi inspektimet në korrik, duke cituar bombardimet amerikane dhe izraelite ndaj objekteve kyç në qershor. Por, rikthimi i inspektorëve është kryesisht simbolik.
Tani për tani, misioni i IAEA-së – i konfirmuar nga drejtori i përgjithshëm Rafael Grossi – ka karakter përgatitor, dhe përqendrohet në “modalitetet praktike” për rikthimin e vëzhgimit në disa objekte të shpërndara, disa prej të cilave u dëmtuan rëndë nga sulmet.
Pa qasje dhe bashkëpunim më të madh, është e pamundur të shtyhet rikthimi i sanksioneve të OKB-së, të cilat fuqitë evropiane synojnë t’i rikthejnë në fund të muajit.
Edhe nëse Irani lejon vizitat në disa objekte, hyrja në lokacione të ndjeshme si Fordo, Natanz dhe Isfahan – të gjitha të goditura nga bombardimet amerikane – mund të mbetet e ndaluar, gjë që kufizon aftësinë e IAEA-së për ta verifikuar veprimtarinë bërthamore të Iranit.
Një pengesë edhe më e madhe është rezerva e uraniumit të pasuruar e Iranit. Rreth 400 kilogramë uranium i pasuruar pranë nivelit për armë mbetet i zbuluar, duke ngritur alarm në kryeqytetet perëndimore.
Treshja evropiane – Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania – e kanë bërë të qartë se lehtësimi i sanksioneve varet nga tri kushte: rikthimi i plotë i inspektimeve, raportimi transparent i rezervave të uraniumit dhe angazhimi i besueshëm në diplomaci me Uashingtonin.
Këtë të fundit, Irani e ka kundërshtuar në mënyrë të përsëritur, përfshirë edhe fundjavën e kaluar, duke mos dashur të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara.
Behnam Taleblu, drejtor i lartë i programit për Iranin në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive me bazë në Uashington, i tha Radios Farda të Radios Evropa e Lirë se është “shumë e pamundur” që evropianët ta shtyjnë rikthimin e sanksioneve.
“E vetmja mënyrë që kjo të ndodhë është nëse inspektorët rifillojnë plotësisht vëzhgimin dhe nëse ka vullnet real politik në Teheran për diplomaci. Në atë rast, sanksionet mund të shtyheshin për tre deri në gjashtë muaj… Por, e shoh shumë të pamundur”, tha ai.
Gjendjen e përkeqëson edhe mosbesimi i thellë i Iranit ndaj IAEA-së, të cilën e akuzon për anshmëri politike dhe për dështim në dënimin e veprimeve ushtarake të Izraelit dhe SHBA-së.
Media të linjës së ashpër kanë shkuar edhe më larg. Gazeta Kayhan madje ka bërë thirrje që Grossi të “gjykohet dhe të ekzekutohet”, nëse shkel në tokën Iran.