Interesim i madh për promovimin e romanit “Paraardhësit” i autorit Muharrem Blakaj

10 mars 2018 | 14:50

Sot (e shtunë) në sallën e Institutit Albanologjik në Prishtinë është bërë promovimi i romanit “Paraardhësit” (botim i dytë), i autorit Muharrem Blakaj, si dhe është shfaqur premiera e filmit dokumentar “Nana Kadë”.

Interesimi për promovimin e këtij romani u pa nga pjesëmarrja e shumtë e mysafirëve, ku pati të pranishëm edhe krijues të lëmive të ndryshme akademike shkencore, letrare dhe politike.

Fillimisht është shfaqur filmi dokumentar “Nana Kadë” kushtuar nënës dhe dëshmorit të kombit, Xhemail Blakaj, raporton “Epoka e re”.

Ky dokumentar paraqet vuajtjet e saj, pas arrestimit, torturimit dhe vrasjes së djalit të saj Xhemailit në burgun famëkeq të Pejës, në vitin 1986.

Nga të pranishmit ky dokumentar u mirëprit shumë mirë dhe pati interesim të jashtëzakonshëm për ta parë, ku shfaqi edhe emocione brenda në sallë.

Ndërkaq sa i përket romani “Paraardhësit” i autorit Muharrem Blakaj, nga të pranishmit u tha se ky roman të mbanë pezull e të le pa frymë, sa që e ke vështirë ta lesh në gjysmë leximin.

Shkrimtari Prend Buzhala tha se për këtë roman nuk po jep vlerësime si redaktor por si një kritikë letrar. Ai tha se romani “Paraardhësit” është një sfidë e radhës që u ka sjellë lexuesve autori Muharrem Blakaj.

Ai ka thënë se ky roman nga autori është shkruar me një urtësi të jashtëzakonshme. “Ky roman është një vepër që jep mesazhin e madh”, ka thënë Buzhala.

Ai ka theksuar para të pranishmëve se romani “Paraardhësit” të mban në tension, të shtynë që ta lexosh deri në fund.

Buzhala ka uruar autorin Muharrem Blakaj për botimin e këtij romani, duke i uruar suksese të radhës edhe në sjelljen e veprave të tjera letrare.

Pas Buzhalës fjalën e ka marrë publicisti, shkrimtari, dramaturgu, Gani Mehmetaj.

Ai ka thënë se romani “Paraardhësit” i autorit Muharrem Blakaj ka intrigë, shquhet për veprim dramaturgjik të përshpejtuar, të mban pezull e të lë pa frymë, sa që e ke vështirë ta lesh në gjysmë leximin.

“Më ka fascinuar aftësia e depërtimit në botën e intrigave dhe e të veprimeve të personazheve. Më ka pëlqyer paraqitja e atmosferës, e lojës me detajin, e zhvillimit paralel të ngjarjeve, veçmas më ka fascinuar shkalla e njohjes së botës së tyre ideologjike e të mendësisë. Ende nuk kam lexuar shkrim të gjatë apo prozë që e njeh aq thellë mentalitetin, psikologjinë por edhe fenë islame në atë shkallë”, ka thënë Mehmetaj.

Ai ka thënë se autori në këtë roman i ka pasqyruar të gjitha rrymat fetare islamike.

Kurse Ramadan Mehmeti në emrin e tij dhe të Shtëpisë Botuese “Rozafa” ka përgëzuar autorin e romanit “Paraardhësit” Muharrem Blakaj për sjelljen e këtij romani në duart e lexuesve.

Ai i ka uruar suksese Blakajt në sjelljen edhe të shumë veprave të tjera në fushën e letërsisë.

Autorin për këtë roman e ka përgëzuar edhe kryetari i Klubit letrar “Podguri” në Istog, Sadik Bicaj, i cili ka porositur Muharrem Blakajn që të jetë i suksesshëm edhe më tutje në krijimtarinë letrare.

Po ashtu, edhe Nexhmi Muçiqi nga shoqata “Çameria” ka thënë se do të bëjë të pamundurën kjo shoqatë që këtë roman dhe dokumentarin “Nana Kadë” ta përkthej edhe në gjuhë të huaja, në mënyrë që të shpërndahet edhe jashtë trojeve shqiptare.

Në fund të këtij promovimi, autori i romanit Muharrem Blakaj ka përshdentur të pranishmit.

Ai tha se ndihet i nderuar me një pjesëmarrje kaq madhështore.

“Më keni gëzuar shumë me këtë pjesëmarrje. Me keni nderuar shumë mua dhe nënën Kadë”, ka thënë Blakaj.

Roman “Paraardhësit” paraqet realitet të hidhur në mesin e një pjese të rinisë sonë. Tjetërsim i tyre në veshje, pamje e sjellje, ngjanë sikur je duke jetuar në mesin e fiseve beduinë të mesjetës së hershme diku në shkretëtirat arabe.

Yshtja nga ana e disa imamëve të papërgjegjshëm, bëri që shumë të rinj shqiptarë, islamin ta barazojnë me çmimin e jetës së tyre.

Kush është autori i romanit “Paraardhësit”:

Muharrem Blakaj, lindi më 6 janar 1959 në fshatin Vrellë komuna Istog.

Është një shkrimtar shqiptar nga Kosova dhe ish disident i regjimit serbo-jugosllav.

Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen, ekonomiken, tre vitet e para në Pejë, ndërsa vitin e katërt, maturën, e përfundoi në Istog. Po atë vit e regjistroi Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, degën gjuhë dhe letërsi shqipe.

Muharrem Blakaj për herë të parë burgoset më 14 dhjetor 1979, kurse për herë të dytë më 5 shkurt 1987.

Herën e dytë në mungesë të provave e lirojnë, ndonëse një vit më parë UDB-ja serbe ia kishte mbytur të vëllain Xhemailin, në burgun hetues të Pejës.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, policia ia merr dorëshkrimin e tregimeve të përgatitur për shtyp “Monolog i një komiti”, si dhe dy novelat “Balta me gjak” dhe “Besa”, të cilat nuk ia kthejnë asnjëherë.

Muharrem Blakaj, në tetor të vitit 1987 detyrohet ta lëshoj Kosovën dhe të kërkoj strehim politik në Zvicër.

Ai deri më tani i ka botuar kudo në shtypin shqiptarë qoftë në diasporë apo në Kosovë, tregimet dhe fragmente nga romanet e tij.

(Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kur shumë qytetarë ecin në Gërmi për të marrë ajër…