Internacionalja Socialiste përkrah Qekon
Shkruan: Hisen Berisha
(koalicioni i vjetër mes komunizmit dhe globalizmit sorosian kundër Kosovës kombëtare)
Në prag të balotazhit për Kryetar të Prishtinës, një letër mbështetëse e ardhur nga Internacionalja Socialiste për kandidatin e Vetëvendosjes, Hajrulla Qeko, (përfaqësues i komunitetit goran apo në gjuhën lokale terbesh), ka zbuluar fytyrën e vërtetë ideologjike të këtij subjekti – një strukturë e majtë globale që mbledh në të njëjtën tavolinë trashëgimtarët e Sllobodan Millosheviqit me pasardhësit e komunizmit grek e ballkanik.
Në këtë “familje” ideologjike ku tashmë bën pjesë edhe Vetëvendosje, ulen bashkë Ivica Daçiq i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) – partisë që udhëhoqi makinerinë e krimit kundër shqiptarëve – dhe Georges Papandreou i PASOK-ut grek, një ndër figurat që ka mbështetur hapur qëndrimet anti-shqiptare në rajon.
Të gjithë këta, nën siglën e Internacionales Socialiste, predikojnë “progresin, drejtësinë dhe barazinë”, por në praktikë kanë promovuar centralizimin, varfërinë dhe nënshtrimin ideologjik të popujve që përfaqësojnë.
Që Internacionalja Socialiste, e njëjta që mban në gjirin e saj strukturat politike të Serbisë së Millosheviqit, të përkrahë sot kandidatin e Vetëvendosjes në Kosovë, është jo vetëm paradoksale, por edhe një fyerje ndaj kujtesës kombëtare të Kosovës.
Në thelb, kjo mbështetje është projekti globalist i së majtës ekstreme, që synon shkrirjen e identiteteve kombëtare, zhveshjen e shoqërive nga rrënjët fetare dhe kulturore, dhe krijimin e një njeriu të ri pa komb, pa Zot dhe pa dinjitet – një produkt tipik i laboratorëve socialistë ndërkombëtarë.
Hajrulla Qeko, një figurë e dalë nga komuniteti goran-terbesh në rrethinën e Prizrenit, është vetëm instrumenti lokal i këtij projekti ideologjik që ka gjetur strehë në Vetëvendosje. Filozofia e tij politike, e mbështetur nga Internacionalja Socialiste, nuk ka asgjë të përbashkët me shpirtin e lirë e patriotik të Prishtinës – qytetit që ka lindur studentët, dijetarët dhe luftëtarët më të mëdhenj për lirinë e Kosovës. Ajo është një përzierje e komunizmit të vjetër me progresizmin e ri, një ideologji që flet për “barazi” por përfundon në varfëri, kontroll dhe zhdukje të çdo dallimi kombëtar e moral.
Vetëvendosje, që dikur predikonte “vetëvendosje kombëtare”, sot është shndërruar në degë lokale të internacionalizmit të majtë, që bashkëpunon me strukturat politike që mohojnë vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës. Përmes njerëzve si Qeko (apo Çeku – deshmi e krizës së identitetit), kjo ideologji kërkon të zgjerojë ndikimin e saj në institucionet vendore, të vendosë kontroll mbi kryeqytetin dhe ta kthejë Prishtinën në laborator të një eksperimentimi shoqëror pa identitet.
Në këtë sfond, letra e Internacionales Socialiste nuk është përkrahje politike – është sinjal i rrezikut ideologjik që po i afrohet Kosovës. Është përpjekja për ta zëvendësuar Kosovën e Adem Jasharit dhe Ibrahim Rugovës me një “Kosovë të re”, ku qytetari nuk ka më komb, besim apo kulturë, por vetëm kartelë partie dhe bindje globale.
Prandaj, përkrahja për Qekon nga kjo organizatë ndërkombëtare duhet lexuar jo si vlerësim, por si alarm: se në qendër të Prishtinës po përpiqet të rrënjoset një ideologji që mohon çdo gjë që e ka mbajtur gjallë kombin tonë. Dhe ky është rreziku më i madh që Kosova mund të përballet sot – jo më me tanke serbe, por me doktrina që duan ta fshijnë nga brenda.



