INTERPOLI, dështimi i radhës i shtetit të Kosovës

20 nëntor 2018 | 21:23

 Lulëzim ETEMAJ

Shteti i Kosovës ka dështuar sot edhe një herë me nismën për t’u anëtarësuar në INTERPOL. As në raundin e parë dhe as në raundin e dytë nuk ia ka dalur ta sigurojë numrin prej dy të tretave të votave të nevojshme. Për më tepër, 76 votat “për” të votimit të parë, nga 154 vendet pjesëmarrëse në votim (në votimin e dytë rezultati prej 68 votave “për” ishte edhe më i dobët), nuk paraqesin as 50 përqindshin e votave të pranishme, dhe flasin për një debakël të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht të diplomacisë së shtetit të Kosovës. Ky dështim do të ketë reflektim negativ të imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. 

Të mos harrojmë, ky është dështimi i katërt me radhë. Herën e parë shteti i Kosovës kërkesën për anëtarësim në INTERPOL e ka bërë në vitin 2010. Për të dytën herë, në vitin 2015. Kishte dështuar të dy herat që kjo kërkesë të përfshihet në rendin e ditës të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it. Në vitin 2017, siç ishte komunikuar nga institucionet e vendit, Kosova kishte hequr dorë nga kërkesa me sygjerimin e SHBA-ve.

Çfarë ka ndryshuar në kuptimin pozitiv nga viti 2017 që do ta ketë krijuar mendimin apo dhe bindjen tek Qeveria, se tani, një vit më vonë, Kosova ka ecur përpara në aspektin e sigurimit të votave të nevojshme për anëtarësim në INTERPOL? Kjo është një pyetje në të cilën kryeministri Haradinaj do të duhej përgjigjur publikisht. Poashtu është koha që dështimet si ky të adresohen dhe të shoqërohen me masa përkatëse. Në të kundërtën, rrethi vicioz i dështimit të Kosovës do të vazhdojë të mbetet i pa asnjë dalje.

Po t’i marrim parasysh njohjet e shtetit të Kosovës, ka ngecje. Nuk ka ngritje. Madje ka edhe tërheqje të njohjeve paraprake. Procesi i liberalizimit të vizave, aktualisht duket se ka hyrë në qorrsokak. Dhe, dialogu me Serbinë, sado që në fazën finale, ka stagnim. Stagnimit mbi të gjitha i ka shërbyer dhe i shërben edhe më tej edhe mungesa totale e platformës, mungesa e konsensusit politik dhe Ekipit Negociator të shtetit të Kosovës. Fatura në këtë rast shkon në të dy adresat: të pozitës dhe atë të opozitës.

Aktualit shtetit të Kosovës i funksionon vetëm diplomacia e jashtme e presidentit Thaçi. Mungesa e konsensusit politik të Kosovës për dialogun, e vë në pikëpyetje dhe mund ta minojë edhe diplomacinë e tij.

Shteti i Kosovës aktualisht gjendet në ngërç. Posaçërisht në terrenin ndërkombëtar. Me këtë ngërç dhe logjikë skajshmërisht individualiste dhe partiake të liderëve të partive politike dhe intitucioneve të shtetit, liberalizimi i vizave, pra fundi i karantinës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, jo që s’do të ndodhë këtë vit, por do jetë vështirë i përllogaritshëm.

Kosova e ka fituar lirinë dhe është bërë shtet jo si rezultat i fitores vetanake ndaj Serbisë, por si rezultat i përpjekjeve, sakrificave, luftës çlirimtare dhe bashkërendimit me përkrahësit evroamerikanë. Përderisa në planin nërkombëtar nuk ka gjasa të arijë pothuajse asnjë gjë pa mbështetjen e tyre, në planin e brendshëm i duhet të rishqyrtojë me ngutësi të gjitha mekanizmat veprues në raport direkt me Serbinë, në mënyrë që t’i bëhet e ditur se për çdo pengesë në anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtare, do të përballet me masa të shumta ndëshkuese, duke filluar nga ato të karakterit ekonomik deri tek ato të fushës së qendrimit dhe vizitave të zyrtarëve të Serbisë në Kosovë. Në garën e sotme globale për tregje, është plotësisht e pakuptueshme që Serbia të gëzojë edhe më tutje favore në tregjet e shtetit të Kosovës.

Por, krahas shkallës më të lartë të dinjitetit shtetëror, shkathtësisë, guximit dhe kreativitetit ekonomik dhe politik, konsensusi, edhe në këtë rast, është kushti pa të cilin nuk bën dhe nuk mund të ecet përpara.

Në këtë kontekst, shprehja e shqetësimit për mito dhe qasje shantazhuese të Serbisë karshi zyrtarëve të INTERPOL-it dhe të disa delegacioneve të vendeve të caktuara, nuk bën punë madje as për shfryerje të frustrimit personal.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Akademiku Rexhep Qosja përmes një postimi në llogarinë e vet…