Takimi i parë i UÇK-së me diplomatët amerikanë (12)

06 dhjetor 2023 | 15:25

INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”? (12)

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive dhënë “Epokës së re”, në vazhdimin e pjesës së dymbëdhjetë ka folur për takimin e parë të UÇK-së me diplomatët amerikanë. “Më 16 qershor 1998, fiks në orën 9:00 ishim në vendin e paraparë. Na u afruan dy persona dhe pasi na përshëndetën, kërkuan të siguroheshin nëse ishim personat me të cilët kishin takim. Kur u siguruan për identitetin tonë, na thanë se bisedimet do të zhvilloheshin gjetiu dhe na lanë takim në hyrje të një hoteli të Gjenevës, një orë më vonë”, tregon Bardhyl Mahmuti, për të vazhduar tutje se ishin tetë diplomatë që i prisnin në hyrje të sallës. Ish-përfaqësues politik i UÇK-së ka theksuar se disa muaj pas takimit të parë me diplomatët amerikanë, së bashku me Jashar Salihun, Ramadan Avdiun dhe Agush Bujën mbajtëm një konferencë me gazetarë të akredituar në selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.

“Epoka e re”: Të flasim konkretisht për takimin e parë me diplomatët amerikanë. Na thatë se ishte paraparë të bëhej në Gjenevë. Çfarë mund të na thoni për atë takim? Ku u takuat dhe kush ishte në përbërje të delegacionit të tyre?

Bardhyl Mahmuti: Përkundër asaj se ka kaluar një çerek shekulli nga ajo kohë, do të flas në mënyrë të përgjithësuar dhe nuk do të jap saktësime për vendtakimin. Megjithatë do të ndaj me lexuesin shqetësimin që patëm në momentin e vënies së kontaktit. Vendtakimi ishte caktuar në hyrje të një restoranti në Gjenevë. Më 16 qershor 1998, fiks në orën 9:00 ishim në vendin e paraparë. Na u afruan dy persona dhe pasi na përshëndetën, kërkuan të siguroheshin nëse ishim personat me të cilët kishin takim. Kur u siguruan për identitetin tonë, na thanë se bisedimet do të zhvilloheshin gjetiu dhe na lanë takim në hyrje të një hoteli të Gjenevës, një orë më vonë.

U ndamë prej tyre dhe u nisëm drejt vendtakimit tjetër. Për ta shtendosur atmosferën,  Ramadan Avdiu tha si me të qeshur: “Me gjasë duka jonë nuk ua mbushëm mendjen! Kur të shkojmë te vendi i caktuar, nuk do të gjejmë asnjë diplomat”! Në hyrje të hotelit na prisnin personat që i takuam një orë më parë, të cilët me gjasë kishin qenë personel i Misionit diplomatik të SHBA-së në Gjeneve, sepse vetëm na shoqëruan në një sallë të hotelit, rreth 100 m² dhe nuk morën pjesë në takim.

Ishin tetë diplomatët që na prisnin në hyrje të sallës. U prezantuam dhe zumë vend në një tavolinë të madhe, në trajtë vezake. Përballë nesh u ul  diplomati që u prezantua si i ngarkuar i Presidentit Bill Clinton, dhe në të dy krahët e tij ishin diplomatë të përfaqësive diplomatike të SHBA-së në Zvicër, në Gjermani dhe në Shqipëri, në mesin e të cilëve edhe shefi i Misionit diplomatik të SHBA-së në Gjenevë.

“Epoka e re”: Për cilat tema u diskutua dhe për çfarë ishin më tepër të interesuar të dinin?

Bardhyl Mahmuti: Hipotezat e përfaqësuesit të shtetit shqiptar, që ishte në takimin kur u njoftova për misionin që na ishte ngarkuar mua dhe Ramadan Avdiut, dolën të sakta. Pyetjet për pikëpamjet ideologjike dhe religjioze të UÇK-së si dhe për raporti ndërmjet LPK-së dhe UÇK-së ishin temat e para që u shtruan për sqarim.

Fatmirësisht një ditë më parë, më 15 qershor 1998, Radio Televizioni i Prishtinës, që transmetohej nga Tirana, emetoi deklaratën e parë të z. Jakup Krasniqi, në cilësinë e zëdhënësit të UÇK-së.

Në këtë deklaratë, ai sqaroi se LPK-ja ishte forca politike që kishte merita të pakontestueshme në krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe megjithatë nuk ka kundërshtuar që UÇK-ja të mbetej jashtë çdo ombrelle partiake.

Për opinionin publik shqiptar në Kosovë dhe Maqedoni Jakup Krasniqi ishte një atdhetar i shquar që kishte kaluar mbi 10 vjet në burgjet serbe; profesor që gëzonte famën e një pedagogu shembullor dhe intelektual që kishte mbështetje të pakontestueshme gjithandej Kosovës. Në përpjekjet për të organizuar një jetë politike dhe institucionale paralele me pushtetin e okupatorëve serbë, në zgjedhjet e organizuara në vitin 1992 dhe në vitin 1998 ishte zgjedhur deputet i LDK-së për Kuvendin e Kosovës.

Emërtimi i një kuadri të LDK-së për zëdhënës të UÇK-së demantonte të gjitha zërat e orkestruar nga Beogradi që përpiqeshin ta prezantonin LPK-në si “e majtë ekstreme e tipit stalinist të Enver Hoxhës, që synon të vijë në pushtet nëpërmjet luftës së armatosur”.

Jaku Krasniqi nuk kishte qenë asnjëherë anëtarë i LPK-së dhe deklarata e tij se UÇK-ja njeh për ideologji vetëm shqiptarizmin, ishte një argument shumë i fuqishëm në duart tona në këtë takim të rëndësishëm.

“Epoka e re”: A ishte rastësi që një ditë para takimit u bë publike se zëdhënësi i UÇK-së ishte Jakup Krasniqi, apo një gjë e tillë është bërë në funksion të përforcimit të imazhit se lufta çlirimtare ishte jashtë ombrellave partiake dhe ideologjike?

Bardhyl Mahmuti: Duke pasur parasysh vështirësitë e komunikimit në atë kohë dhe kërkesën amerikanë që takimi të mbetej konfidencial, mendoj se ka qenë rastësi, sepse ndodh shpesh që rastësia i rregullon gjërat edhe më mirë se projektet e paramenduara në detaje. Sidoqoftë për këtë çështje Xhavit Haliti mund ta dijë më mirë nëse dikush në Kosovë ka qenë në dijeni të një takimi të tillë.

No description available.

“Epoka e re”: Në çfarë kuptimi emërimi i Jakup Krasniqit për zëdhënës të UÇK-së ishte argument i fuqishëm në duart e juaja?

Bardhyl Mahmuti: Për arsye se ishte një dëshmi që nuk mund të kontestohej se vullneti i LPK-së ishte bashkimi i të gjithë shqiptarëve për çlirimin e vendit, pa marrë parasysh dallimet klasore, ideologjike, partiake, religjioze ose krahinore. Pikërisht për shkak të forcës së këtij argumenti, çështja e cilësimit të LPK-së si “organizatë ekstremiste” u mbyll shumë shpejtë si temë diskutimi. Mirëpo gjatë zhveshjes së paradoksit që karakterizonte propagandën serbe që synonte të krijonte opinion në vendet demokratike perëndimore se gjoja UÇK-ja ishte organizatë “marksiste-leniniste-staliniste-enveriste” dhe “fondamentaliste islamike”, delegacioni amerikan kërkoi sqarime të hollësishme lidhur me disa shtylla të kësaj propagande. Një vëmendje e veçantë iu kushtua ndikimit të religjionit në radhët e UÇK-së.

“Epoka e re”: Ka kaluar shumë kohë nga ajo periudhë dhe gjeneratat e reja nuk e dinë cilat ishin sajesat e propagandës serbe për gjoja ndikimin e ekstremizmit fetar në luftën çlirimtare të Kosovës. Çfarë mund të na thoni rreth këtyre sajesave?

Bardhyl Mahmuti: Në kohën e shpërthimit të luftës së armatosur dhe të shpartallimit të Federatës Jugosllave, “terrorizmi me motive fetare” ishte cilësimi më negativ në kontekstin politik ndërkombëtar. Për këtë arsye, në rrafshin ndërkombëtar, stigmatizimi i UÇK-së si “organizatë terroriste me pikëpamje fondamentaliste islamike” përbënte një nga shtyllat kryesore të orientimit propagandues të Shtabi Strategjik të pushtetit të Millosheviqit. Në funksion të kësaj strategjie, ata shpërndanë raporte të shumta dezinformuese lidhur me orientimin “ideologjik dhe religjioz” të UÇK-së. Në shtator të vitit 1998, Sigurimi Shtetëror i Serbisë bëri përmbledhjen e këtyre materialeve dhe e publikoi në botime të veçanta në gjuhën angleze dhe atë frënge, me titull “Libri i bardhë: Terrorizmi i separatistëve shqiptarë në Kosovë dhe në Dukagjin”. Këtë material propagandistik Ministria e Punëve të Jashtme e asaj që kishte mbetur nga shpërbërja e ish Federatës së Jugosllavisë, ua shpërndau falas institucioneve me rëndësi në marrëdhëniet ndërkombëtare, institucioneve shtetërore të shteteve anëtare të OKB-së, mediave ndërkombëtare, bibliotekave universitare dhe personaliteteve me peshë në fusha të ndryshme intelektuale

“Epoka e re”: Çka përmbante konkretisht ky “libër i bardhë” në përpjekjet e Serbisë për të ndërlidhur UÇK-në me pikëpamje fondamentaliste islamike?

Bardhyl Mahmuti: Për të mbështetur tezën për gjoja lidhjet e UÇK-së me ideologjinë e ekstremizmit fetar islam, Shërbimi Sekret i Serbisë sajoi “prova dhe fakte” se kinse “në përputhje me vendimet e Konferencës së 18-të Islamike, të mbajtur në Pakistan në vitin 1998, separatizmi shqiptar në Kosovë ishte cilësuar si ‘xhihad’ dhe të gjitha vendet myslimane ishin ftuar për çlirimin e territoreve të pushtuara myslimane! (…) Kësaj thirrjeje i ishin përgjigjur një numër islamikësh fanatikë nga Afganistani, Algjeria, Egjipti, Çeçenia, Irani dhe nga vende të tjera, të cilët ishin përfshirë në shtabet e njësive komanduese të UÇK-së në Kosovë, si instruktorë për stërvitje speciale ushtarake të disa formacioneve të UÇK-së”. Për të qenë sa më “bindës”, përpiluesit e këtij libri pohonin se gjoja “më tepër se 1000 mercenarë të huaj nga Shqipëria, Arabia Saudite, nga Jemeni, nga Afganistani, nga Bosnja-Hercegovina dhe nga Kroacia ishin të angazhuar në radhët e UÇK-së…”.

“Epoka e re”: A kishte diçka të vërtetë në pretendimet serbe se në “Konferencën e 18-të Islamike ishte kërkuar mobilizimi për çlirimin e territoreve të pushtuara myslimane në Kosovë”?

Bardhyl Mahmuti: Ishin gënjeshtra të kulluara! Konferenca e 18-të Islamike nuk ishte mbajtur në Pakistan, siç pretendohej në këtë “Libër të bardhë”, por në Arabinë Saudite dhe atë në datat 13-16 mars 1989! Pra, gati dhjetë vjet përpara se të fillonte lufta e armatosur në Kosovë! Është e qartë se lufta e Kosovës nuk ka mundur të përmendet dhjetë vjet përpara se të fillonte. Madje në këtë konferencë Kosova nuk është përmendur fare!

Sa i përket Pakistanit, në këtë shtet është mbajtur Konferenca e 21-të Islamike nga 25-29 prill të vitit 1993. Pra, edhe Konferenca Islamike në Pakistan ishte mbajtur para shpërthimit të luftës në Kosovë dhe rrjedhimisht as në këtë konferencë nuk kishte mundësi të kualifikohej si “xhihad” një luftë që ende nuk kishte filluar. Gjatë Konferencës Islamike të mbajtur në Pakistan në vitin 1993, në kuadër të rezolutës 7/21-P, kushtuar situatës në Bosnjë-Hercegovinë, në pikën 28 të saj përmendet edhe Kosova. Përmes kësaj rezolute “anëtarët e Konferencës Islamike kërkonin nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes, tani më të tendosur, në Kosovë, në Vojvodinë, në Sanxhak dhe në Republikën e Maqedonisë”.

Siç shihet qartazi, qëndrimet e shprehura në këtë rezolutë nuk dallonin nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Përkundrazi, janë më pak të ashpra se qëndrimet e shprehura në rezolutat e asaj kohe të Këshillit të Sigurimit. Ndërsa në vitin 1998, në kohën kur zhvillohej lufta në Kosovë, Konferenca Islamike mbajti mbledhjen e radhës në Katar. Gjatë sesionit të 25-të të kësaj konference u miratua rezoluta 19/25-P, që kishte të bënte me situatën në Kosovë. Kjo rezolutë nuk përmbante asnjë cilësim të luftës së Kosovës si “xhihad” apo “thirrje drejtuar vendeve myslimane për çlirimin e territoreve të pushtuara myslimane”, siç gënjente propaganda serbe. Propaganda për lidhjet e UÇK-së me ideologjinë e ekstremizmit fetar islam dhe “instruktorë të fondamentalizmit islamikë, që stërvitnin ushtarët e UÇK-së”, ishin gënjeshtra që synonin të manipulonin njerëzit që frikësoheshin nga rritja e rrezikut nga fondamentalizmi islamik dhe në këtë mënyrë të pamundësohej mbështetja e luftës çlirimtare të Kosovës në rrafshin mediatik dhe politik.

“Epoka e re”: Sa u besuan argumenteve të juaja diplomatët amerikanë?

Bardhyl Mahmuti: Sa i përket rezultateve të këtij takimi do të flas më poshtë. Tani për tani po ju përmend faktin se në një numër të konsiderueshëm takimesh diplomatike dhe në konferenca shtypi me gazetarë të huaj, na është dashur të sqarojmë thelbin e propagandës që ndërlidhte ekstremizmin fetar me luftën çlirimtare të Kosovës. Po ju përmend një rast që pasqyron mënyrën e përgjigjeve tona rreth kësaj çështjeje.

Disa muaj pas takimit të parë me diplomatët amerikanë, së bashku me Jashar Salihun, Ramadan Avdiun dhe Agush Bujën mbajtëm një konferencë me gazetarë të akredituar në selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Gazetari i Agjencisë Telegrafike të Rusisë, ITAR-TASS (siç quhej në atë kohë) u përpoq ta zhvendoste vëmendjen e gazetarëve të tjerë nga dhuna serbe duke shtruar pyetjen se “sa ushtarë fondamentalistë islamikë luftonin në radhët e UÇK-së”. Kësaj pyetjeje grackë iu përgjigja ashtu siç e meritonte: “Ju keni shtruar një pyetje shumë interesante, që lidhet me implikimin politik të religjionit në luftërat që u zhvilluan në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Ju sigurisht e dini, por po sjell disa të dhëna që, eventualisht, mund t’i hyjnë në punë ndonjë gazetari të painformuar për këtë çështje. Po rikujtoj se para disa vitesh, me bekimin e Kishës Ortodokse serbe, është bërë luftë kundër katolikëve në Slloveni. Pas luftës në Slloveni, me bekimin e Kishës Ortodokse serbe, është bërë luftë kundër katolikëve në Kroaci. Lufta vijon në Bosnjë dhe Hercegovinë. Me bekimin e Kishës Ortodokse serbe është bërë luftë kundër myslimanëve dhe katolikëve në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe tani, në fund, me bekimin e Kishës Ortodokse serbe është duke u bërë luftë kundër myslimanëve dhe katolikëve shqiptarë në Kosovë. Fondamentalizimi ortodoks i Serbisë është jashtëzakonisht i përfshirë në luftën e Kosovës dhe ka arritur të mobilizojë fondamentalistë ortodoksë nga disa shtete të Lindjes, ku shumica e popullsisë janë të religjionit të krishterë ortodoks. Kam kënaqësinë t’ju njoftoj, se gjatë ofensivës së fundit të Forcave të Armatosura të Serbisë në Kosovë janë vrarë shumë fondamentalistë që kishin ardhur nga Rusia, Rumunia dhe vende të tjera (…)”.

Gazetarë e tjerë më vërshuan me pyetje se ku ishin vrarë, sa ishin vrarë dhe nga cilat shtete kishte më shumë fondamentalistë ortodoksë që kishin ardhur të luftonin në Kosovë. Gazetari rus e braktisi konferencën…

Me një fjalë, përveç zhveshjes së mashtrimeve të shpërndara nga propaganda serbe, ne përpiqeshim të tërheqim vëmendjen në gjeneratorin e vërtetë të problemeve: strukturat shtetërore të Serbisë.

“Epoka e re”: Cila ishte përshtypja e juaj rreth ndikimit të propagandës serbe? A vërejtët nëse te ndonjëri nga tetë diplomatët amerikanë kishte ndikime të kësaj propagande.

Bardhyl Mahmuti: Fakti se tema të tilla u shtruan si prioritet për sqarim nuk do të thotë se ata i kanë marrë kallëp sajesat serbe. Mirëpo nga qëndrimi i tyre dilte qartë se ishin të interesuar të shmangnin mundësinë që në Kosovë të ndodhte ngjashëm si në Bosnjë, ku rryma të ndryshme religjioze nga katër anët e botës u përfshinë në konflikt. Ne u garantuam se një gjë e tillë nuk do të ndodhte me UÇK-në, por theksuam se ndihma e shteteve demokratike ishte mënyra më e mirë për të parandaluar ndikimin politik të grupacioneve fetare.

“Epoka e re”: Përveç aspekteve ideologjike dhe religjioze të UÇK-së, cila temë kishte zgjuar interesimin e tyre?

Bardhyl Mahmuti: Sqarimet rreth çështjes së propagandës serbe që prezantonte si civilë pjesëtarët e aparateve represive të vrarë në tesha civile morën një kohë të konsiderueshme. Këtë çështje e kemi trrajtuar gjerësisht në pjesët paraprake të intervistës.

(Muhamet Mavraj / Vijon)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Marash Kumbulla pësoi një lëndim…