Intervistohet Faton Peci – Prokuroria Speciale jep detaje
Prokuroria Speciale ka dhënë detaje lidhur me intervistimin e Ish-ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, gjatë ditës së sotme nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Në përgjigjen e tyre për Insajderin thuhet se Peci është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në rastin e granteve. “Ju njoftojmë se z. Faton Peci është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në rastin e granteve, i cili është në trajtim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Sipas informacioneve të siguruara, ky intervistim nuk ka të bëjë me procese administrative, por Peci po dëshmon në cilësinë e të dyshuarit. Burimet bëjnë me dije se hetimet ndaj ish-ministrit janë përqendruar te mënyra e ndarjes së fondeve dhe subvencioneve në sektorin e bujqësisë gjatë mandatit të tij. Dyshimet e organit të akuzës lidhen me parregullsi të mundshme në shpërndarjen e këtyre mjeteve financiare, të cilat kapin vlera të larta të buxhetit të shtetit. Siç bëhet e ditur Faton Peci është duke u hetuar nga Prokurori Admir Shala.



