Intrigat në romanin “Kështjella e bardhë”
KADRI MEHMETI
Në çdo kohë të ekzistencës njerëzore, miti, përralla, legjendat, madje edhe format më të shkurtra të tregimit kishin dhe kanë synim që të na bëjnë për vete të na lidhin aq fort pas gjuhës fiktive të tekstit, aq sa të besojmë që në këtë apo atë tregim, ka diçka të vërtetë e të pacenueshme, që gjithmonë na mban të lidhur sikur me litar pas fyti. Semantizimi dhe risemantizimi i miteve në funksion të krijimtarisë artistike. Tregimet historike e në veçanti ato që kanë të bëjnë me ngjarje të vërteta, apo që e thonë të vërtetën tërthorazi, kanë lënë një gjurmë të thellë në kujtesën dhe mendjen e secilit. Vetë pjesa historike është një arketip në vete, një simbol që i paraprin këtij të fundit, në modelin e ri letrar. Mbamendja dhe kallëzimi i po këtyre ndodhive ka qenë pjesë e kulturës popullore të shumë popujve, në veçanti të një populli, në këtë rast popullit turk. Në traditën e mëvonshme të gjitha tregimet e këtilla, kanë sumblimur aftësinë e popullit për t’i përsëritur ato ngjarje dhe për t’iu dhënë një formë të re, varësisht nga konteksti dhe përmasat kohore. Këto vlera të një qytetërimi shumë të lashtë janë të lakmueshme edhe në ditët e sotme nga të apasionuarit pas leximit e deri te lexuesit më të zellshëm.
Pavarësisht, që, në histori ngjarjet e vërteta supozohen që janë të tilla, në kuptimin që nuk mund të dyshojmë në vërtetësinë dhe që vërtetësia e tyre na bind pa dashur që t’i vëmë lak të vërtetës. Romanet historike, përkundrazi e ndërtojnë një kulturë krejtësisht të re, deri në atë pikë, sa të vërtetat historike nuk mund të jenë më aq të besueshme sa vetë pandehja historike. Mendimi historiko-letrar shkrihet në mendimin e jetës së përditshme, për aq kohë sa ai rrëfim lidhet dhe rilidhet me një rrëfim tjetër, duke u sublimuar në vlera të reja e që këto vlera i japin historisë letrare një ngjyrim të ri të vërtetësisë.
Sidoqoftë, mund të themi se e vërtetëdukshmja historike ngjizet në mendimin letrar e filozofik, por kjo e vërtetëdukshme është gjithmonë e lidhur ngushtë me sfondin e të papërcaktueshmes, duke na rrëmbyer dhe per të na lënë të shtangur me fantazinë dhe artistiken. Orhan Pamuku e ka nxjerrë para botës Perandorinë Osmane në një këndvështrim të ri, ndoshta edhe të kundërt me atë që jemi mësuar t’i lexojmë nëpër libra historike të kësaj natyre. Me plot gojën mund të thuhet se ai e lexon historinë në një raport me të arsyeshmen dhe interpretimin e figurave dhe ngjarjeve historike, për ta bërë më këndshëm një narracion tash të pavlerë. Marrëdhënia e tyre është po aq komplekse sa që na futë në krizën identitare, ku rrëfimi del jashtë kontureve të pushtetit.
Interpretimi psikanalitik është nganjëherë më magjepsës sesa vetë kronikat e kohës të historianëve më të vyer që kanë folur për atë periudhë. Dy personazhet kryesore edhe ashtu si sfond rrëfimi në fund të fundit, nuk e dinë se kush është kush ?
Mbi të gjitha ka kontribuar në çmitizimin e të vërtetave historike të popullit të tij. Sepse edhe sot e kësaj dite problemi i madh historik është çmitizimi i një historie të devijuar, e cila mund të ketë qenë krejtësisht e ndryshme me atë çka supozohej të ishte. Në plot nga kronikat turke
Orhan Pamuk, është një shkrimtar që di t’i trajtojë ngjarjet historike në raport me të tashmen të shkuarën dhe të ardhmen.
Ai historinë e vendit të tij e ka shndërruar në një mit letrar modern. Një vepër letrare e tij me bazë një ngjarje nga historia për shumë nga lexuesit, nganjëherë është më e besueshme sesa vetë e vërtetëdukshmja, apo ajo që është e vërtetë. Siç edhe na sugjeron autori : Nuk ka dhe nuk mund të ketë të vërteta të ngrira, historia është një trillim po si edhe letërsia dhe se shpeshherë ngjarjet humbasin dhe ndryshojnë nëpër kohë.
Për këtë arsye ai gjithmonë ka ditur që ato tekste t’i rikthejë në kontekstin e tanishëm, dhe të provojë vërtetësinë e tyre në raport me kohën. Rrëfimi i tij të ngjit pas vetes deri në fund, me një trill magjik të përkorë e të paanshëm që projekton të gjitha temat e mëdha të Perandorisë Osmane të dikurshme në raport me Perëndimin sikur në syrin e një teleskopi.
Trashëgimia e Pamukut është një rrëfim fund e krye si nga përmbajtja po ashtu edhe nga trajtimi i mjedisit e të karaktereve, një rrëfim që i dedikohet së tashmes me një prirje për të ikur nga e kaluara. Prandaj duke e parë veprën letrare jo vetëm në rrafshin diakronik por edhe në atë sinkronik, ne e vlerësojmë të tashmen në raport me të kaluarën. Dhe këtë të kaluar e shohim në sytë e dy personazheve që në bisedat e tyre shpjegohet jo vetëm historia e kohës së një prej Sulltanëve, por edhe jeta me të mirat dhe të këqijat e asaj kohe.
Kompleksi dhe intrigat që e shoqërojnë lexuesin janë të së tashmes, ndërsa koha imagjinare kur rrjedhin ngjarjet i përkasin shekullit të XVII-të. Romani përmban rrëfime të vendosura në Stamboll dhe përfshin dialogun midis kulturave dhe historive të ndryshme, duke krijuar një lidhje intertekstuale mes rrëfimeve të kaluara dhe asaj të jetës së përditshme të personazheve, çka është tipike për ndërthurjen e tregimeve në letërsi. Para së gjithash ngjarjet nuk kanë një lidhje lineare por ndërveprojnë mes vete për të krijuar një rrjet ndërtekstual, një rrjet ku ngjarjet dhe personazhet e librit lidhen dhe ndikohen nga referenca të ndryshme historike dhe kulturore.
Të gjitha këto tipa të rrëfimit ku ngjarjet e epokave të ndryshme kohore ndërlidhen dhe e krijojnë një temë të re, janë pjesë e letërsisë postmoderne.
Me këtë themi se karakteret e këtyre ngjarjeve kundrojnë të jetojnë në ditët e sotme, pavarësisht që roli i tyre mund të duket i zbehur. Me saktësisht historia e kësaj ngjarjeje fillon me një individ të pa identitet që kapet pabesisht nga flota turke në ndërkohë lundronte nga Venecia për në Napoli. Ky personazh është edhe kryepersonazhi i të gjitha ngjarjeve të mëtejshme.
Jeta e këtij djaloshi të ri lidhet habitshëm me ngjarjet e Perandorisë Osmane në kohën kur ai ishte i përqendruar pas librave dhe jetës së tij prej inxhinieri. Jeta e tij ndryshon në mënyrë të jashtëzakonshme dhe në mënyrë të papritur me një deux ex machina edhe për vetë djaloshin. Pashmangshëm e në mënyrë të paimagjinueshme jeta e tij ndërron kahe kur ai zihet rob nga luftë-anijet turke atij i duhet të kalojë nëpër shumë sprova të mundimshme që i kanë robërit dhe të burgosurit. Për t’i shpëtuar një rrengu edhe më të keq sesa që mund të pritej, ai gënjen për aftësi të cilat nuk i posedonte – ose mëtonte që i posedonte. Këto rrëngje jo vetëm se i shpëtuan jetën, por edhe futën në aventura që ai nuk do të mund t’i imagjinonte as në ëndrrat me të çuditshme. Kur ai u tha se mund t’u shërbente si mjek – pra, si një i burgosur që vihej në shërbim të të plagosurve dhe ekuipazhit turk – ata pranuan. Megjithëse, ai nuk kishte njohuri nga mjekësia, por fatmirësisht siç ndodhë me gjithë ata që janë në nevojë; aty për aty i përvetësonte disa dije të vetvetishme sa çelë e mbyllë sytë.
Dhe këto profka i lindnin nga nevoja për t’u shfajësuar dhe për të mos rënë në sy të keq ndaj atyre që kërkonin t’iu shërbenin. Edhe në burg më vonë, ai shërben si një mjek që ka për detyrë t’i shërojë robërit që gjenden aty. Gjetja e një rrengu të pamatë qe një nga hapat e parë dhe të fundit përpara një dënimi të ardhshëm. Gabimi më i vogël mund të ndëshkohej me vdekje dhe ai e dinte këtë fakt të mirëqenë. Shumë njerëz me të aftë se vetë ai e kishin pësuar edhe në rastet kur autoritetet e kishin gabim. Gabimi nuk qe thjesht diçka që duhej bërë, ju mund të gabonit edhe atëherë kur kishte një të drejtë në anën tuaj. Në Perandorinë Osmane kishte të dënuar që as nuk e dinin pse qenë dënuar.
Prandaj sfida e parë e protagonistit ku nisë edhe rrëfimi i kësaj historie të çuditshme është shërimi i Pashait, aq kohë sa ai vuante nga një sëmundje që mjekët e tjerë nuk mund ta shëronin.
Pas arritjes së rezultateve të kënaqshme për Pashain, ai kishte fituar shenja mirënjohjeje të thellë, duke gëzuar lehtësira të veçanta, ndonëse ishte i burgosur. Por, kur erdhi rasti që Pashai t’i kërkonte pranimin e islamit, ai e refuzoi disa herë. Atëherë Pashai dha urdhër të prerë që ta vrisnin me sëpatë. Para këtij akti të tmerrshëm ai që takuar me një njeri tjetër që quhej “Profesor” dhe çuditërisht kishte një pamje identike; për të mos thënë që nuk mund t’i dalloje në asnjë shenjë të vogël. Në kohën kur po merrnin urdhër që ta vrisnin, Profesori e kishte lutur Pashain me përgjërim që ta linin të lirë, meqë në një formë ai mund t’iu shërbente për qëllimet e Perandorisë. Në të vërtetë ai donte që përmes dijes së tij të aftësohej, dhe së bashku të kontribuonin në dobitë e shkencës. Ky është karremi i gjithë shtjellimit të mëvonshëm të po kësaj historie – që i bën bashkë dy njerëz nga Lindja dhe Perëndimi. Ata nuk kishin lidhje as fisi e as fare. Këtu lind një konflikt i gjerë idesh, nevojash, ndjenjash, mendimesh, të cilat deri në fund do jenë objekt betejash mes këtyre dy personazheve. I gjithë rrëfimi për Perandorinë bie në një nivel të tretë të ligjërimit – madje nuk është as temë e vetë diskutimit. Beteja e brendshme shpirtërore është një betejë monologu që secili e bëjmë me veten në çdo mbrëmje. Dialogu mund të ndërthuret në kontekst të vetë monologut ose anasjelltas.
Ngjashmëria e dy këtyre personazheve na ofron te një paradoks i mundësive gjatë gjithë shtjellimit të ngjarjeve ku narratori ua ndërron shpesh pozitat se si ata të veprojnë, mendojnë apo të ndihen të lirë me atë se çka synojnë për të ardhmen.
Në të njëjtën kohë, po ashtu siç ndodh me binjakët siamezē, ata kanë aspirata dhe nevoja të ndryshme dhe njëri është i varur nga tjetri, pasi i është dhënë tjetrit ( Profesorit ) si peng nga Pashai; kuptohet si një skllav i dënuar lufte. Por bashkëjetesa për shumë vite i bënë që ta gjejnë njëri-tjetrin dhe më në fund të kuptojnë se në të vërtetë ata kanë një plan të përbashkët të cilin duhet ta realizojnë medoemos.
Në fillim, personazhi që rrëfen gjithë ngjarjen është ai tregues i gjithëdijshëm i kësaj historie dhe e ka të qartë se çfarë do të trajtojë. Kjo ngjarje flet vetëm për ato krijesa të çuditshme të cilat ai i kishte përjetuar me sozinë e tij identike. Ai e dinte se shumë nga ato rrëfime, që ata i kishin shkruar gjatë përgatitjeve që ndërmerrnin për të bërë planet e reja, ia tregonin fije për pe historinë e jetëve të tyre dhe ligësinë që u kishte ndodhur. Bashkëjetesa për shumë vite i mësoi se si t’i parandalonin të këqijat që i prisnin. Shpesh thoshin ndër dhëmbë se si t’i bashkonin idetë për të nesërmen e pasigurt, që ndoshta në këtë rast e nesërmja do t’i zinte të papërgatitur.
Edhe plani që kishin thurur për vite nganjëherë mund të dukej ëndërr që s’do të realizohej asnjëherë. Në mënyrë që rrëfimi të duket më i mistershëm Pamuku vendosë ngjarjen në shek. XVII, qëllimisht siç ndodh në rrëfimet historike, i vendosë këto dy personazhe nga dy Perandori të ndryshme: njëri venecian kurse tjetri turk. Fati i tyre është i ndërlidhur kryekëput me fatin e Perandorisë. Ndërsa dialogu të cilën e përshkruan inxhinieri venecian, është vetëm ajo jeta e përditshme dhe e brendshme të cilën ne e përjetojmë çdo ditë. Pra, paralelisht zhvillohen dy rrëfime përbrenda një rrëfimi me të madh, ku rrëfimi për jetën e këtyre dy personazheve e trajton rrafshin psikologjik të po këtyre karaktereve.
Ajo se çka është e rëndësishme dhe që i bashkon pandashëm këto dy karaktere është halli i përbashkët. Ata nuk kanë asnjë mendim të njëjtë, pothuajse gjatë tërë linjës së rrëfimit kuptimi vjen atëherë kur njeri i duhet tjetrit ose anasjelltas. Kur Eugeni Ionesku na flet më së qarti për raportet njerëzore, pra për nevojat e përbashkëta të njerëzve në ditë më të vështira – ai thotë në një citat të tij: “Mendimet dhe ëndrrat na ndajnë, por hallet dhe nevojat na bashkojnë.” Edhe këto dy karaktere, po kaq të ndryshme, bien dakord se i duhen njëri-tjetrit vetëm për shkak të nevojës. Kështu që në fillim na dalin disa keqkuptime në këtë ngjarje, të cilat do t’i paraqes si në vijim: personazhi i Profesorit është ai i cili kërkon të bëhet i dijshëm nga skllavi i tij; së dyti, ai bëhet i dijshëm nga personi që ai pret të bëhet i tillë (që ta mësojë rreth njohurive që ai ka); dhe së treti, Profesori bëhet shumë më i dijshëm sesa skllavi që e pandehte si një të ditur, duke arritur në fund deri në atë pikë sa protagonisti të tërheqë dorë nga bashkëpunimi me të.
Vjen një kohë kur i vetëquajturi Profesor merr përsipër të gjitha detyrat që në fillim i punonin së bashku. Duke qenë i shtyrë nga nevoja për dije, ai mbyllej me orë të tëra në tryezën e punës, për ta lënë harresë skllavin e tij, të cilin as nuk e lejonte të shkonte me të në pallatin e Pashait, e as nuk shfaqte ndonjë dëshirë të bëftë për ta bërë pjesë të planeve të autorizuara nga vetë Pashai në lidhje me problemet e shkencës. Siç ndodhë me të gjitha rrëfimet historiko-letrare ku karakteret kanë një rëndësi të dorës së parë, autori përpiqet që t’i përshkruajë sa më të bindshme veprimet e tyre në raport me historinë, gjithherë duke i vënë përpara karakterit të ngjarjeve historike.
Përgjatë gjithë tekstit mbizotëron një atmosferë zymtësie, sikurse ndodhë shpeshëherë.me ata armiqtë e përbetuar të vënë në një burg të njëjtë duke ndarë gjërat e përbashkëta.
Në fund të rrëfimit flitet kudo për mashtrimin e Profesorit. Ata thuhet që dyshojnë në aftësitë e Profesorit me rastin e projektimit të armës së çuditshme për kohën. Sulltani kishte dyshimet se Profesorin e kishte ndihmuar kryeprotagonisti i këtij rrëfimi romanor. Sado që ndryshojnë në karakter, siç ndodhë në plot novela psikologjike, autori na lë të kuptojmë se njeriu përshtatet me njerëzit sado që ata mund të jenë të ligë, të kenë vese dhe sado që të papërshtatshëm mund të jenë.
Nganjëherë, me jetë si në situata reale po ashtu edhe në ato fiktive, vjen një kohë që i vlerësojmë njerëzit me një sy krejt tjetër dhe shohim vlera që nuk i shihnim dikur. Njerëzit e pavlerë bëhen njerëz me vlera ose e kundërta. Ndërrohen rolet sipas rendit dhe rastit; sa që nuk e dimë kush ishte kush ? Prandaj njerëzit në jetën e përditshme e gjejnë veten në këto karaktere, i përqafojnë sikur të ishin ata vetë. Përshkrimi dhe rrëfimi i tyre është i ngjashëm në plotni me jetën tonë të përditshme.
Në këso ngjarjesh fiktive duket se përbrenda nesh është ringjallur dhe ngjizur një Unë i përbashkët i mendimeve dhe ndjenjave. Sikundër në të gjithë trashëgiminë shpirtërore rienkarnimi i shpirtrave ndodh në ato raste ku njeriu nuk gjen më zgjedhje. Kryeprotagonistit i është afruar një lum imagjinar i pakapshëm që e mbështjellë pakuptimësinë me një mëndafsh të trashë, sikur pëlhura që iu është vënë syve.
Personazhi i Profesorit pas një kohe të gjatë vetmie, pas shumë projekteve të mëdha që i kishte realizuar përgjatë viteve pa ndihmën e skllavit të tij; i shtyrë nga një mosbesim dyshues për vetë sytë me në fund e kuptoi se “llamba e tij ndriçuese e fikur me vite i qëndronte përbri me vite” pavarësisht se ai e kishte lënë në harresë. Pra “llamba e tij ndriçuese” që përmendet në tekst është Kryeprotagonisti ose skllavi i lënë në një vetmi të thellë. Në shumë nga rrëfimet historiko-letrare kthesat dramatike janë ato që i japin kahe tjetër rrëfimit – kur rrëfimi veçse ka marrë një trajtë apo një drejtim. Paralelisht me rrëfimin po ashtu digresionet mes karaktereve në këtë rast e vendosin atë në një rrafsh kuptimor krejtësisht tjetër. Në romanin e Pamukut pikërisht kthesat e papritura në mes dy karaktereve kryesore janë digresione në vete. Ndërkohë që skllavi priste padurimisht për t’u liruar që të shkonte në atdheun e tij të largët, sëmundja e murtajës që e merr Profesori bëhet karrem që ta rinisin një lidhje emocionale të re.
Në personazhin kryesor shohim durimin e tejskajshëm, vuajtjet e tij që lidhen me vetminë dhe mohimin e izolimin janë një histori në vete – e pashembullt në shpjegimin dhe arsyetimin e kësaj veprën letrare. Në të gjitha pengesat që i vihen përpara, i shmangë, madje edhe nevojat e tij më intime, për të qenë në rrjedha me ndodhitë e kohës. Aq i afërt me bashkëbiseduesin dhe banuesin e tij Profesorin, që në asnjë formë nuk bashkëpunonte deri kur digresionit i sëmundjes i përbashkon. Vdekja dhe frika nga vdekja si një kthesë rrethanore mbi vetërealizimin, është shpresa e kthesës së kësaj vetmie të patjetërsueshme ku individi vihet në sprovë e kthehet për t’i vlerësuar dhe rivlerësuar të bëmat e të kaluarës së tij.
Nganjëherë kur të tjerët na thërrasin të kthehemi mbrapa, ne vetëm se i injorojmë dhe i përbuzim për opinionet që kanë. Sa herë që i shmangemi vetes dhe kur fatkeqësia troket në derë, na ngjitet pikërisht pas shpinës ai çast bekimi kur përpiqemi të kapim copëza nga një e kaluar e mbushur me mëkate.
Pas një kohe të gjatë të shpërfilljes kundrejt Kryeprotagonistit, Profesori fillon të ndiejë një nevojë për skllavin e tij të lënë pas dore, i cili kishte shumë kohë që i shpërfillte zbulimet dhe punët që dikur i bënte me zell. Për shumë vite ndërkohë që Profesori vizitonte Pallatin e Sulltanit, Kryeprotagonisti qëndronte në vetmi të plotë, i vetmuar në shtëpi duke vrojtuar jashtë dritares, me shpresën dhe besimin se një ditë më në fund do të lirohej nga Profesori. Nganjëherë, edhe pse ndiente se kishte mungesë për vendlindjen, për nënën dhe të fejuarën, ato gjëra i dukeshin të një të kaluare të largët. Ato gjëra vetëm se i kishte hedhur pas krahëve, në të vërtetë koha kishte lënë gjurmë në identitetin e tij. Dhe sa për dhimbjen e mërzitjen që i shtohej, ai po mësohej me ambientin e ri pas shumë vitesh, në mërgim nën kthetrat e një skllavërie të pavullnetshme. Kthesa tjetër interesante për kryeprotagonistin erdhi si një deus ex machina. Tani ai ambient i dukej i afërt, sikur ky ishte vendi i tij. Ai priste që një ditë me të vërtetë ta shikonin si një pjesëtar të familjes së ngushtë, priste që ta shihnin si një të afërt që prej vitesh nuk e kishin trajtuar kështu. Rasti i murtajës në qytetin e Stambollit u shfaq si plani më i volitshëm për ta shtënë në dorë Sulltanin, i cili, i frikësuar nga sëmundja që po bënte kërdinë, ftoi Profesorin për ta ndihmuar rreth kurimit të kësaj sëmundjeje. Sulltani i Vogël kishte besim në Profesorin, pasi ai edhe në të kaluarën kishte parashikuar shumë ngjarje që vinin dhe shkonin në Perandorinë e tij. Meqë prej shumë kohësh Profesori i pati mësuar Sulltanit të vogël shumë gjëra nga astrologjia, nga bimësia, nga kafshët të cilat ai i donte shumë me përkëdheli, rasti i murtajës u bë një pretekst i mirë për plane të tjera për të cilat Profesori nuk ishte thirrur për shumë kohë në pallat. Në anën tjetër, ky rast i dha mundësi Kryeprotagonistit dhe Profesorit të zhvillojnë raporte të një miqësie të paparë më parë ndonjëherë.
Sëmundja e Profesorit dhe më vonë edhe largimi i tij në një ishull disa kilometra larg Stambollit e bënë të vetëdijshëm se ai nuk mund të jetonte pa binjakun e tij siamez. Edhe ashtu, rebelimi i tij ishte i arsyeshëm kur u largua, për shkaqe të një ftohtësie të pazakontë. Ndërrimi i roleve dhe përgjegjësive të këtyre personazheve, marrëdhëniet që kanë, por edhe ndryshimet e situatave, e bëjnë rrëfimin edhe me interesant. Ajo që duhet të analizohet në lidhje me këto dy karaktere kontroverse, të cilat Orhan Pamuk i ka ravijëzuar më së miri, është antagonizmi dhe divergjencat që i përshkruan gjatë gjithë shtjellimit të ngjarjes; në anën tjetër, ata janë po aq të ngjashëm saqë ngjashmëria e tyre nuk mund të hetohet as nga Sulltani e as nga mëkëmbësit e tij në pallat.
Një ditë, kur po vështronin njëri-tjetrin në pasqyrë dhe po përpiqeshin të bënin dallimin mes asaj që i dallonte, ata kishin kuptuar se rridhnin nga i njëjti burim nëse jo nga i njëjti gjak. Në këtë kuptim, në anën tjetër, me forcën e brendshme të ndërdijes mund ta merrnin si një sugjerim se vetëm të bashkuar me të gjitha forcat mund të mos zbuloheshin nga Sulltani: se projekti i tyre, me të cilin punonte me orë të tëra Profesori, ishte i një rëndësie të veçantë për armën të cilën ua kishte kërkuar Sulltani. Ndoshta për hir të këtij rrëfimi një ditë prej ditësh do të zbatohej, nëse puna do të shkonte ashtu siç ata kishin menduar. Ajo çka e ka vënë tërë kohën në spikamë autori përgjatë ngjarjes është jeta mes këtyre dy personazheve – një jetë po aq e pazakontë që fillon papritmas dhe zhvillohet përgjatë disa dekadave. Dhe më intriguese e interesante për rrëfimin që është se: personazhet ndërrojnë vendet e tyre, varësisht se si ju duhet per rastin dhe vendin.
Autori përpiqet më shumë të përqendrohet rreth mendimit që ka kryepersonazhi për jetën e vetmuar të këtyre dy burrave të bashkuar nga dy kontinente të ndryshme. Kur lexohet me vëmendje, shohim veten tonë në mesin e motrave dhe vëllezërve tanë, marrëdhëniet që kemi me ta përgjatë viteve, pavarësisht nëse veç njëherë në jetë kemi pasë zënka Prandaj e kemi të qartë se nuk mund të jetojmë të vetmuar dhe se dashuria është shtylla e vetme ku duhet të mbështetemi. Jeta është e bukur dhe, pavarësisht konflikteve, të afërmit, familja, miqtë dhe shokët janë pjesë e pandarë e jona dhe ne në çdo kohë duhet t’i pranojmë me ato vese që kanë.
Në fund të rrëfimit romanor, Profesori zhduket ngase e dinin që do ta vrisnin, për shkak se arma e tij nuk kishte funksionuar. Duke u bazuar në atë armë, ushtria turke humbi luftën në përpjekje për ta shtënë në dorë “Kështjellën e Bardhë” në Poloni. Kështu, Kryeprotagonisti dhe Profesori kishin bërë një marrëveshje ku Profesori mund të shkonte te nëna dhe e fejuara e kryepersonazhit dhe të jetonte me ta. Një ndërrim i këtillë i roleve vërehet në plot nga romanet postmoderne. Në mënyrë të ndërsjellë, kryepersonazhi do ta bënte po të njëjtën me familjen e Profesorit.
Sigurisht, e gjithë ngjarja që tregohet është një nga trillet më të bukura dhe kuptimplota të krijimtarisë letrare të Pamukut, që në çdo kohë përpiqet që përmes rrugëve postmoderne të vërë në kontradiktë tradicionalen, të shpalosur përpara një realiteti krejtësisht të fshehur e të pamotivuar nga koha dhe historia – me dy personazhe krejt të kundërta por që ngjasojnë njëra me tjetrën.
E rëndësishme në këtë rrëfim është të kuptohet ana filozofike por edhe psikologjike e trajtimit të këtyre karaktereve, opinioni që kanë për njëri-tjetrin, bisedat që zhvillohen mes tyre, mënyra se si e përballojnë njëri-tjetrin përgjatë viteve dhe si me kalimin e viteve e kuptojnë rolin që e kanë kundrejt njëri-tjetrit Jeta e tyre bëhet e përbashkët, e ngjashme sikur e Don Kishotit dhe e Sanço Panços, e vendosur në një kohë dhe hapësirë tjetër. Ndërkohë ata kundrojnë të tashmen, pra që të dy ndajnë hallet e njëjta, që të dy fillojnë të kujdesen për problemet që kanë, që të dy admirojnë vlerat që i mbajnë dhe të gjitha projektet që kanë punuar për vite sipas asaj që supozohet, nuk i mbeten vetëm atribut Profesorit por edhe kryepersonazhit që rrëfen në vetën e parë gjatë gjithë kohës. Nganjëherë vlen shprehja: “kur jetojmë për shumë vite me të njëjtit njerëz ne mësohemi me ta”, i respektojmë dhe i duam, qajmë hallin për sëmundjet, vuajtjet, dhimbjet që ata i përjetojnë. Në fund të romanit, kryepersonazhi, që tani është plak, pas shumë vitesh e kujton me mall dhe dhimbje jetën që e kishte kaluar me të. “Kështjella e Bardhë” është një kuptim imagjinativ drejt asaj që ne e quajmë shoqëri e mirë, që gjatë gjithë kohës duhet të japim shumë për të marrë pak. Është mbresëlënëse dhe bujare të durosh për shumë vite një njeri që me të nuk të përputhen idetë dhe mendimet. Po kështu është e mërzitshme të durosh për shumë vite mospërfilljen dhe ankesën kokëçarëse, të cilat shoqërohen me bezdi dhe përbuzje. Me këto dy anë të kundërta të shprehjes e përfundojmë komentin mbi romanin.
Marrë nga numri 25 i revistës “Akademia”



