
“Investimet në siguri po e forcojnë pozicionin e Kosovës si partnere euroatlantike” – Osmani nga Asambleja e NATO-s në SHBA
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se reformat dhe investimi në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë e pozicionojnë Kosovën mes vendeve partnere që ndajnë të njëjtat vlera.
Ajo ka shkruar të dielën në Facebook se këto deklarime i ka bërë në panelin për integrimin euroatlantik të Kosovës në sesionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas Osmanit, me SHBA-në dhe aleatët e tjera, Kosova po i forcon themelet e një rajoni më të sigurt.
“Në vazhdën e aktiviteteve në sesionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në SHBA, sot pata nderin të jem folëse në panelin për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe paqen e sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Reformat tona dhe investimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë po e pozicionojnë Kosovën si partnere mes vendeve që ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe sigurisë. Me mbështetjen e aleatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe aleatëve të tjerë, po forcojmë themelet e një rajoni më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe të përkushtuar ndaj vlerave demokratike”, ka thënë ajo.