IPK jep 10 rekomandime për policinë për rastet e trafikimit me narkotikë
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ia ka dhënë 10 rekomandime Policisë së Kosovës për performancë më të mirë në “Vlerësimi i trajtimit dhe procedimit të rasteve të trafikimit me narkotikë”.
Këto rekomandime janë dhënë në raportin e publikuar nga IPK-ja, ku është realizuar inspektimi në bazë të Planit Vjetor të Inspektimeve të Rregullta për vitin 2025. Inspektimi ka ofruar mundësi për t’u njohur me performancën e Njësisë për Hetimin e Narkotikëve – Prishtinë në trajtimin e veprave penale të kësaj natyre.
“IPK-ja në kuadër të Raportit ka dhënë dhjetë (10) rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e vendosjes së mekanizmave të brendshëm të kontrollit për të siguruar që hetuesit të mos kenë qasje në informacione të klasifikuara pa kaluar verifikimin e sigurisë, ushtrimit të kontrolleve për t’u siguruar që raportimi tek Prokurori i Shtetit mbi veprat penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare të praktikohet përmes raporteve njoftuese. Rekomandime janë dhënë edhe për ushtrimin e kontrolleve për nxjerrjen e planeve të hetimit, zbatimin e plotë të secilës prej masave të urdhëruara, kompletimit të dosjeve me listat e evidencës së dëshmive/kërkesat dhe raportet e ekzaminimit, respektimit të zinxhirit të plotë komandues gjatë procedimit të kallëzimeve penale në Prokurori të Shtetit, si dhe kthimin e informatave kthyese nga Njësia në fjalë mbi statusin e raporteve inteligjente të pranuara nga Zyra e Analizës dhe Statistikave”, ka njoftuar IPK-ja.



