
Irani kërkon garanci nga ShBA për ndalimin e sulmeve para rifillimit të bisedimeve bërthamore
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Majid Takht-Ravanchi, i tha BBC-së se Teherani kërkon një garanci të qartë nga Shtetet e Bashkuara për ndalimin e çdo sulmi të ri ndaj Iranit përpara se të rifillojë bisedimet diplomatike mbi programin bërthamor.
Ai theksoi se administrata Trump nuk ka qartësuar pozicionin e saj lidhur me vijimësinë e sulmeve gjatë procesit të negociatave.
Sulmet e Izraelit ndaj centralëve bërthamore dhe infrastrukturës ushtarake iraniane në qershor kanë ndikuar në pezullimin e raundit të gjashtë të bisedimeve jo direkte në Muscat.
Takht-Ravanchi theksoi se Irani do të vazhdojë pasurimin e uraniumit për qëllime paqësore dhe hodhi poshtë akuzat për përpjekje për armë bërthamore, duke e cilësuar ndalimin total të pasurimit si një “ligj xhungle”.