
Irani mund të zhysë në recesion të gjithë ekonominë botërore
Konflikti aktual ndërmjet Izraelit dhe Iranit mund të zhysë në recesion të gjithë ekonominë botërore, në rast se Irani vë në jetë kërcënimet e mëhershme për bllokimin e ngushticës së Hormuzit.
Nga Dan Hirschfeld
Ngushtica e Hormuzit – kjo ngushticë detare është itinerari më i rëndësishëm i anijeve për transportin e naftës. Hormuzi midis Omanit dhe Iranit lidh Gjirin Persik dhe shtetet eksportuese të naftës Bahrein, Kuvajt, Katar, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe me Oqeanin Indian.
Anijet çisternë mbërrijnë këtu nga shumë vende të botës. Shumica transportojnë naftën bruto nga rajoni i Gjirit Persik për në Europë, Azi dhe Amerikën e Veriut.
Pika më e rëndësishme e këtij itinerari është ajo ndërmjet Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit, brezi më i ngushtë me një gjerësi prej 55 kilometrash, dhe korsia e lundrimit për anijet e mëdha është vetëm 3,7 kilometra.
Ngushtica e Hormuzit, kyç për sigurimin e interesave strategjike të Iranit në rajon
Edhe në të shkuarën në kontekstin e sanskioneve ndërkombëtare ndaj Iranit, Teherani vazhdimisht ka kërcënuar me mbylljen e ngushticës Hormuz. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe në konfliktin aktual. Dawood Nazirizadeh, ekspert në fushën e ekonomisë nga Teherani, thekson se:
“Në rast se ngushtica e Hormuzit përfshihet në këtë luftë, është një rrezik i madh për të gjithë ekonominë botërore. Qeveria e Iranit e konsideron këtë rrugë detare si çelësin kryesor për sigurimin e interesave strategjike në rajon në jug të Iranit dhe të Gjirit Persik. Nëse ndodh diçka në këtë drejtim, ky do të ishte kërcënim i madh për ekonominë botërore në tërësi.”
Përmes rrugës së Hormuzit transportohet një e pesta e konsumit botëror të naftës
Hormuzi zë vendin e dytë ndër itineraret më të rëndëishme në botë për transportin e naftës si rruga Malacca dhe Kanali i Suezit.
Një humbje nga bllokimi i kësaj rruge detare si pasojë e konfliktit aktual do të ishte e vështirë të kompensohej.
Pasoja do të ishin rritja e çmimit të naftës e benzinës, që gjithësesi ditët e fundit janë shtrenjtuar.
Po ashtu mund të krijoheshin ngushtica në zinxhirin e furnizimeve për shumë produkte nga nafta. Prishja e këtij zinxhiri mund t’i krijojë vështirësi ekonomisë në shumë vende të botës.