Isak Hoti: Nuk pata fatin të vdisja më 17-18 korrik 1998, por pata forcën të mbijetoja

17 korrik 2025 | 22:22

Kujtime për Beteja e Bellacerkës, 17-18 Korrik 1998, nga ish-ushtari i UÇK-së e ish i burgosuri Isak Hoti

Mbrëmja e 17 korrikut 1998 ra mbi fshatin Bellacerkë me një ndjesi të rëndë, por të vendosur. Kishim marrë lajmin e lëvizjeve të forcave ushtarake dhe paramilitare serbe që synonin hyrjen në qytetin e Rahovecit. Mobilizimi filloi menjëherë. U ngritëm në këmbë pa hezitim. Ishim të vendosur të mos lejonim që armiku të shkelte tokën tonë, qytetin tonë.

Të nesërmen, më 18 korrik, u pozicionuam në istikamet mbrojtëse në pjesën hyrëse të fshatit. Fati deshi që të jem në vijën e parë, përballë fabrikës së miellit “Sullusi”. Granatat binin pandërprerë nga tri anë. Qielli ishte i mbushur me tym, toka dridhej nën këmbë, por qëndresa jonë nuk lëkundej.

Në istikamet ishim të shpërndarë në disa pika, secili me barrën dhe nderin e mbrojtjes së vendit. Në orët e pasdites, afërsisht rreth orës 15:00, forcat serbe thyen dy pika kyçe, një në drejtim të rrugës së vreshtave dhe tjetrën në pozicionin “Bellabregë”. Grupi prej 6 vetash ku bëja pjesë, mbetëm të rrethuar. Komunikimi me radio ishte i ndërprerë. Askush nuk mundi të na njoftonte për tërheqje. E kuptuam vetëm kur fishekët filluan të fishkëllonin nga mbrapa.

Duhej vendosur në sekonda. Vendosëm të hidhemi nga një lartësi për të zënë pozicione të reja prapa. Nisi radhazi. I ndihmova një nga një shokët të kalonin. Në fund, mbeta vetëm.

Snajperët nga Sullusi më kishin vënë në shënjestër. Rrugës drejt pozicioneve të pasme, më shkoi ndër mend se kishim përgatitur një bojler me dinamit, të lidhur me një gjenerator, që mund të përdorej për t’u hakmarrë me shpërthim. Por, kur arrita aty, kablli i rrymës ishte këputur, dikush ose diçka e kishte ndërprerë atë mundësi.

Në rrugë takova dy shokë të tjerë. U futëm në një shtëpi të vogël. Na ndante vetëm një mur i hollë nga forcat serbe që tashmë kishin mbërritur aty pranë. Në atë moment, mes plumbave dhe pasigurisë, ndjeva se nuk do të dilnim të gjallë. E ndeza një cigare, e vendosa tyten e kallashnikovit në gojë, por dora nuk më shkoi të shtyp kamzën. Njëri nga shokët më ndaloi. Nuk më lanë as të vdisja në qetësinë time.

Më pas, nxorra një granatë dore dhe e vendosa mes këmbëve, duke shpresuar të mbaronte aty gjithçka. As ajo nuk shpërtheu. Më mbetën vetëm tre fishekë. Serbët ishin tashmë disa hapa larg. Njëri nga shokët u dorëzua. Pas tij edhe i dyti. Unë mbeta përsëri vetëm.

Në tentativë për të dalë nga shtëpia, një polic serb tentoi të hynte brenda, ia vendosa tyten e armës në dorë dhe ai u tërhoq. Dola dhe përballë më dolën tre policë, dy prej tyre me shokët e mi para trupit si mburoja njerëzore. Të qëlloja me tre fishekët që më kishin mbetur do të thoshte t’i vrisja shokët e mi. Zgjodha të mos qëlloj. Ra perdja e hekurt. U dorëzova. Filloi një kapitull tjetër, burgjet: Prizren, Lipjan, masakra në Dubravë, dhe më pas, burgimi në Nish deri më 27 mars 2002.

Sot, për disa zëra të shurdhër që thonë “pse nuk e vrave veten?”, Ose më mire te kishe vdekur, u them: unë nuk pata fatin të vdes atë ditë, por pata forcën të mbijetoj. Dhe për ata që ulërasin me zë të çjerrë, që guxojnë të përbaltin, po u them: nuk më detyroni të turpërohem për asgjë më shumë më nderon ajo ditë sesa gjithçka që keni bërë në jetë.

Sepse në Bellacerkë, në 18 korrik të vitit 1998, ne qëndruam. Dhe kur bie fjala për qëndresë, unë isha aty, në vijën e parë, ballë për ballë me vdekjen, por me dinjitetin dhe flamurin në zemër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendërmbrojtësi shtatlartë shqiptar, Enis Vila, është zyrtarisht pjesë e klubit…