
Ish-ambasadori holandez kundër Speciales: Gjykatë e panevojshme dhe jotransparente, mirë që po protestohet
Gjykata Speciale nuk është dashur të themelohej, andaj është mirë që po protestohet. Kështu ka thënë ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, pak orë para se në Prishtinë të mblidhen veteranë e qytetarë të tjerë për të shprehur kundërshtimet e tyre për mënyrën se si po punojnë Dhomat e Specializuara në Hagë.
Bosch ka theksuar se protesta duhet të jetë e qetë dhe dinjitoze.
“Para së gjithash, mendoj se është mirë të bëhet një protestë, për sa kohë që bëhet me dinjitet, pa dhunë dhe pa slogane të këqija. Por fakti që ka një protestë është, sigurisht, diçka e pranueshme, sepse ajo që po ndodh ngadalë por sigurt është bërë qesharake. Kjo gjykatë është totalisht jotransparente. Askush nuk e di çfarë po bën. Supozohet të jetë një gjykatë e Kosovës, dhe nuk lejohen asnjë kosovar të jetë aty, përveç të akuzuarve. Pra është pak e çuditshme për një gjykatë të Kosovës. Kushton një sasi të jashtëzakonshme parash”, ka thënë ish-diplomati holandez.
Bosch ka thënë se procesi i themelimit të kësaj gjykate është dashur të ndalet që në fillim kur janë rrëzuar pretendimet për trafikim organesh.