
Ish-deputeti Berisha thotë se në këto rrethana roli i presidentes është thelbësor
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hisen Berisha, ka thënë se zvarritja për krijimin e institucioneve, mosfunksionimi i Kuvendit dhe retorika për zgjedhje të reja e kanë futur vendin në një ngërç të ri kushtetues e politik, me pasoja të drejtpërdrejta për rendin demokratik, sigurinë institucionale dhe proceset shtetformuese.
“Pas ngërçit që ka krijuar interpretimi dhe praktika e kontestuar e gjuhës kushtetuese në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, si dhe mungesës së gatishmërisë politike nga ana e partive parlamentare për të ndërtuar institucione funksionale, është bërë e qartë se nuk ka alternativë tjetër reale përveç ndërhyrjes në kohë të presidentes së Republikës, me qëllim të shmangies së një vakumi institucional që mund të degradojë në krizë të thellë shtetërore”, ka thënë Berisha, raporton “Epoka e re”.
Ai ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, ka deklaruar se i ka numrat për ndërtimin e qeverisë, por deri më tani nuk e ka formalizuar këtë përmes një propozimi të mandatarit.
“Ndërkohë, opozita nuk e ka mbështetur konstituimin e Kuvendit, të cilin e konsideron si të bazuar në shkelje të Kushtetutës. Ajo po ashtu nuk ka shprehur gatishmëri për të përkrahur një qeveri të pakicës, të cilën e konsideron të paqëndrueshme dhe jo legjitime. Shto kësaj dhe hendikepin që i krijon sigurimi i disa votave nga Lista Serbe, të diktuara nga krimineli Radojçiq”, ka thënë ai, duke shtuar se nëse ndodh dorëheqja e anëtarëve të qeverisë Kurti apo abdikimi nga “froni” e cila është një mundësi reale, atëherë sipas Berishës, krijohet një vakancë e hapur institucionale, dhe e vetmja alternativë që mbetet do të jetë një qeveri provizore ose shkuarja në zgjedhje të reja. “Është evidente se klima politike, tensionet institucionale dhe mosmarrëveshjet mbi procesin e konstituimit nuk ofrojnë kushte të favorshme për zgjedhje të drejta, gjithëpërfshirëse dhe legjitime. Në këto rrethana, roli i presidentes bëhet thelbësor për të garantuar vazhdimësinë e institucioneve dhe ruajtjen e funksionalitetit të shtetit. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 84, i jep presidentes kompetencën për të siguruar funksionimin kushtetues të institucioneve”, është shprehur Berisha.
Ai ka theksuar se meqë dorëheqja e qeverisë ekzistuese do të zhbllokonte edhe konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e një shumice të re parlamentare, zgjidhja më e arsyeshme, funksionale dhe kushtetuese është që presidentja do të duhej të ndërmarrë iniciativën për konsultime të gjera politike, me qëllim të emërimit të një mandatari konsensual për formimin e një qeverie teknike me bazë të gjerë, me mandat të qartë programor dhe objektiva të qarta reformuese. “Qeveria teknike, ndonëse nuk është një zgjidhje klasike politike, përbën një instrument të përkohshëm dhe efektiv për dalje nga kriza”, ka thënë ish-deputeti Berisha.