Ish-gjyqtari Mateu Lahoz tregon se a ishte penallti rasti i Baldes ndaj Levantes

24 gusht 2025 | 14:56

Ish-gjyqtari i njohur spanjoll, Antonio Mateu Lahoz, ka dalë hapur kundër vendimit të dhënë për penallti në dëm të Alejandro Balde gjatë ndeshjes ndërmjet Levantes dhe Barcelonës, në xhiron e dytë të La Ligës 2024/2025.

Barcelona përmbysi rezultatin për të fituar 3-2 në një ndeshje dramatike në transfertë, por episodi më i diskutuar erdhi në fundin e pjesës së parë. 

Në minutat shtesë të pjesës së parë, pas një goditjeje nga Jose Luis Morales, topi u përplas në dorën e mbrojtësit të Barcelonës, Alejandro Balde.  

Gjyqtari kryesor, Alejandro Hernandez Hernandez, u thirr nga VAR-i për të parë pamjet në monitor dhe vendosi të akordojë penallti për Levanten, të cilën Morales e realizoi duke çuar rezultatin në 2-0. 

Megjithatë, sipas Mateu Lahoz, ky vendim ishte i padrejtë dhe në kundërshtim me precedentët e mëparshëm. 

“Dora e Balde nuk mund të jetë penallti. Ai ka shtrirë krahun, por dora është e lirë, nuk ka qëllim dhe pozicioni nuk është jo‑natyral”. 

“Precedenti i fundit me këtë gjyqtar ishte rasti i Tchouameni në El Clasico. Nëse atëherë nuk dha penallti, atëherë nuk mund të japë në këtë rast”, deklaroi Lahoz për mediat spanjolle. 

Rasti të cilit i referohet Lahoz ndodhi në javën e 35-të të sezonit të kaluar të La Ligës, kur Barcelona mundi Real Madridin 4-3 në “Spotify Camp Nou”.  

Në fund të asaj ndeshjeje, një goditje e Ferran Torres u përplas në dorën e Aurelien Tchouameni brenda zonës së Real Madridit, por pas rishikimit të VAR-it, Hernandez vendosi të mos akordojë penallti për Barcelonën. 

Ky vendim i fundit ndaj Balde ka shkaktuar polemika të forta, jo vetëm për mënyrën si u interpretua rregulli për prekje me dorë, por edhe për mospërputhjen me raste të ngjashme të mëparshme nën të njëjtin gjyqtar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka pranuar vendimin e…