Ish-kancelari austriak i shpëton dënimit

26 maj 2025 | 14:29

Një nga proceset gjyqësore më të ndjekura politikisht në historinë e fundit të Austrisë ka përfunduar të hënën në Pallatin e Drejtësisë në Vjenë, duke sjellë rezultate të ndryshme për protagonistët kryesorë.

Ish-kancelari Sebastian Kurz është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Lartë Rajonale, ndërsa dënimi për ish-shefin e kabinetit të tij, Bernhard Bonelli është konfirmuar pjesërisht, shkruajnë mediet austriake, raporton “albinfo.ch”.

Vendimi ka ardhur pas apelimit të bërë nga mbrojtja pas aktgjykimit të janarit 2024, kur Kurz ishte dënuar me tetë muaj burgim me kusht për dëshmi të rreme përpara komitetit hetimor parlamentar të skandalit të njohur si “Çështja Ibiza”.

Në atë kohë, gjykata e shkallës së parë kishte konstatuar se Kurz kishte minimizuar qëllimisht ndikimin e tij në emërimet në bordin mbikëqyrës të ÖBAG, një kompani shtetërore austriake, dhe kishte dhënë deklarata të pavërteta. Bonelli, nga ana tjetër, kishte marrë një dënim me gjashtë muaj burg me kusht.

Ndërsa Zyra e Prokurorit për Çështje Ekonomike dhe Korrupsioni, ka pranuar vendimin fillestar, por mbrojtja ka apeluar vendimin dhe për Sebastian Kurz, ky apel ka rezultuar i suksesshëm.

Gjykata ka rrëzuar vendimin e mëparshëm ndaj tij, duke e shpallur të pafajshëm. Ndryshe ka ndodhur me Bonellin, për të cilin gjykata ka mbështetur pjesërisht vendimin e mëparshëm të fajësisë.

Gjyqi është pjesë e hetimeve të thelluara që rrjedhin nga “Çështja Ibiza”, një skandal që kishte shpërthyer në vitin 2019 pas publikimit të një videoje të fshehtë të liderit të atëhershëm të FPÖ-së, Heinz-Christian Strache, dhe që kishte hedhur dritë mbi lidhjet e dyshimta mes politikës, biznesit dhe medias në Austri. Një rol kyç në këtë proces ka luajtur Thomas Schmid, ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave, i cili ishte bërë dëshmitar bashkëpunues, duke inkriminuar një sërë figurash të larta politike, përfshirë edhe Kurz.

Vendimi i sotëm ka mbyllur një kapitull të rëndësishëm në hetimet e “Çështjes Ibiza”, duke lënë pas një trashëgimi të ndërlikuar ligjore dhe politike. Sebastian Kurz ka dalë i pastër nga një prej betejave më të vështira të karrierës së tij, ndërsa Bernhard Bonelli do të përballet me pasojat ligjore të rolit të tij në ngjarje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Brendshëm gjerman, Dobrindt planifikon të pezullojë ribashkimin familjar…