
Ish-kryeministri Hoti: Ta ndalojmë këtë rrëshqitje të Kosovës drejt autokracisë partiake
Ish-kryeministri dhe deputeti Avdullah Hoti ka reaguar ndaj situatës së fundit në vend, me veprimet e qeverisë në detyrë të Albin Kurtit.
Ai ka bërë thirrje që të ndalohet kjo rrëshqitje të Kosovës drejt autokracisë partiake.
Reagimi i tij i plotë në Facebook”
Gjatë viteve të qeverisjes të LDK-së, kemi pasur mospajtime me shumë akterë publikë e privatë, por gjithmonë kemi vepruar me maturi dhe respekt institucional.
• Me RTK-në: Ka pasur raste kur nuk jemi pajtuar me qëndrimet apo sjelljet e tyre. Por asnjëherë nuk i kemi penalizuar me buxhet apo në ndonjë formë tjetër.
• Me komunitetin e bizneseve: Nuk kemi qenë gjithmonë në një mendim për politikat ekonomike. Megjithatë, asnjëherë nuk i kemi trajtuar si armiq dhe nuk i kemi luftuar. Përkundrazi, kemi insistuar në dialog e komunikim të ngushtë për të sheshuar dallimet.
• Me Gjykatën Kushtetuese: Ka pasur vendime që koha po tregon se kanë qenë të gabuara, të pabazuara dhe të motivuara. Por askujt në LDK nuk i ka shkuar në mendje të sulmojë Gjykatën. Gjithmonë kemi respektuar vendimet dhe kemi vepruar sipas tyre pa asnjë vonesë.
• Me organizatat e shoqërisë civile: Edhe kur nuk jemi pajtuar me agjendat e tyre, asnjëherë nuk i kemi luftuar. Përkundrazi, kemi rritur transparencën dhe kemi intensifikuar komunikimin publik për të arsyetuar politikat tona.
• Me aleatët tanë: Edhe kur kemi pasur mospajtime, kurrë nuk i kemi sharë apo kritikuar në publik. Përkundrazi, kemi forcuar komunikimin për të gjetur mirëkuptim.
Kjo nuk është diçka e jashtëzakonshme, kështu duhet të sillet një qeveri normale. Kjo lloj qasje është detyrimi i çdo qeverie. Përndryshe, vendi rrëshqet në autokraci partiake, siç po ndodh sot.
Është obligim i secilit prej nesh, në veçanti i spektrit politik, të ndalojë këtë rrëshqitje të Kosovës drejt autokracisë partiake.