
Ish-kryeministri italian propozon idenë e konfederatës evropiane me Kosovën si pjesë të saj
Ish-kryeministri italian, Enrico Letta, ka propozuar idenë e krijimit të Konfederatës evropiane, ide kjo që daton që nga viti 1943.
Në këtë konfederatë, Letta ka kërkuar që të përfshihet edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Kosovën.
Letta, në një shkrim të shpërndarë në të përditshmen italiane “Corriere della Sera” ka parë si alternativë Konfederatën evropiane meqë, sipas tij, pranimi në BE nuk është aspak i lehtë.
“Pranimi në BE nuk është aspak i lehtë. Ka shumë diferenca për të përmbushur standardet e kërkuara. Për më tepër, një zgjerim i ri mund të ketë ndikim në BE dhe institucionet e saj që është e vështirë të vlerësohet”.
“Pas ’89-ës, gjërat vazhduan pa drejtim të qartë. Së pari, ishte koha për premtime dhe pritshmëri të mëdha; vite dhe vite zhgënjimesh kanë pasuar më pas; më në fund, erdhi faza e përshpejtimit të plotë. Rezultati? Inati tek disa, të ardhurit dhe mosbesim tek të tjerët, anëtarët e vjetër. Ngjarjet e mëvonshme në Hungari, Poloni dhe grupi i Vishegradit e kanë vërtetuar këtë”, ka shkruar Letta.
Së këndejmi, anëtari i Dhomës së Deputetëve të Italisë, ka apeluar për krijimin e një konfederate evropiane të përbërë prej 27 shteteve anëtarë, ku përfshihen vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Ukraina, Moldavia e Gjeorgjia.
“Prandaj, apeli im për të gjithë ne është: mos bëni të njëjtat gabime. Ne duhet të krijojmë menjëherë një Konfederatë Evropiane, të përbërë nga 27 shtetet anëtare të BE-së, plus Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia”, ka shkruar ai.
Sipas tij, “Konfederata evropiane do të ishte vendi për dialog politik midis 36 pjesëmarrësve. Aftësia për të përcaktuar strategji të përbashkëta globale do të rafinohej, duke filluar me mbrojtjen e paqes, sigurisë, promovimin e një modeli zhvillimi të drejtë dhe të qëndrueshëm dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike. Konfederata do t’i jepte forcë, përfshirë forcën simbolike dhe unitetin e kontinentit”.