
Ish-miss Kosova, Zana Berisha i ikë drejtësisë/ Përballet me aktakuzë për shantazh
Ish-miss Kosova, Zana Berisha nga Suhareka, është duke u përballur me akuza serioze penale për shantazh, ndërsa ajo nuk është paraqitur në seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prizren.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren më 30 korrik 2024 (PP/II.nr. 1841/23), Berisha akuzohet për shantazh sipas nenit 329 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 paragrafët 1 dhe 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kallëzimi penal është bërë nga i dëmtuari I.J., përfaqësuar nga avokatja e autorizuar.
Në seancën e mbajtur të mërkurën, më 25 qershor 2025, në sallën gjyqësore ishin të pranishëm vetëm pala paditëse dhe përfaqësuesja e saj ligjore, ndërkohë që e akuzuara Zana Berisha nuk u paraqit. Gjithashtu mungoi edhe avokati i saj mbrojtës, i cili përmes emailit njoftoi gjykatën për mungesën, duke theksuar se ftesa për seancë ishte pranuar vetëm një ditë më parë dhe se kishte angazhime të tjera profesionale.
Gjykata ka marrë aktvendim që seanca e radhës do të mbahet më 23 korrik 2025 në ora 13:30, duke njoftuar se për këtë seancë nuk do të ketë nevojë për dërgim të ftesave të reja për palët.
Ndërkohë, Zana Berisha kishte bërë një kallëzim penal për shantazh ndaj I.J., por Prokuroria Themelore në Prizren, më 1 nëntor 2023 dhe më 10 janar 2025, përmes dy aktvendimeve të ndara, ka vendosur ta hedhë poshtë këtë kallëzim, duke mos gjetur bazë ligjore për vazhdimin e procedurës penale kundër të dëmtuarit.
Mësohet se ish-Miss Kosova, Zana Berisha ka ushtruar presione të ndryshme ndaj disa biznesmenëve, duke krijuar lidhje intime e madje duke u zhvatur shuma të konsiderueshme monetare.
Sipas aktakuzës me të cilën ngarkohet e pandehura ka dëshmi të forta, që kanë lidhje me figurën e Zana Berishës, e cila është e njohur në botën e showbizit për dobësinë që ka “gjahun e preferuar”, për “meshkujt e martuar dhe shumë të pasur”.
Përveç këtij rasti, pala e dëmtuar ka paraqitur edhe një kallëzim penal ndaj Gëzim Berishës, babait të Zana Berishës, për çështje të lidhura me vajzën e saj dhe për manipulimet që ajo ia ka shkaktuar babait dhe familjes së saj, ndërsa pritet që gjykimi për këtë rast të nisë ditët e ardhshme, dhe të shpalosen shumë gjera tjera të punëve të pista të saj.