
Ish-shokët e burgut bëjnë homazhe te varri i Besnik Ismajli-Klaiqi
Ish-të burgosurit politikë, deputeti i Kuvendit të Kosovës Nait Hasani, Nijazi Kryeziu dhe Sadik Zeqiri, kanë bërë homazhe pranë varrit të Besnik Ismajli-Klaiqi, në fshatin Tugjevc të Kamenicës. Pas homazheve, ata kanë vizituar edhe familjen Ismajli-Klaiqi për t’i shprehur ngushëllimet e tyre.
Lajmi është bërë i ditur nga Nait Hasani përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ku ka shprehur ngushëllime për bashkëvuajtësin e tij në burgjet e Serbisë:
“Së bashku me shokët e burgut, Nijazi Kryeziun dhe Sadik Zeqirin, sot ishim për ngushëllime në familjen e tij dhe bëmë homazhe pranë varrit të bashkëvuajtësit tonë, Besnik Ismajli-Klaiqi, në Tugjevc të Kamenicës.
Besniku ishte një ndër bashkëluftëtarët dhe bashkëvuajtësit tanë në burgun famëkeq të Dubravës dhe në burgjet tjera të Serbisë. Ai iku herët në amshim, në moshën 46-vjeçare, por pas vetes la një histori të ndritshme atdhetarie dhe përkushtimi ndaj çështjes kombëtare.
Ndërsa dallgët e jetës e quan në mërgim, në Finlandë, ku edhe vdiç me mallin për Kosovën.
Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe shokëve të tij.
Lavdi jetës dhe veprës së tij!”, ka shkruar Hasani.