
Ish-ushtari i Francës bëhet president me puç ushtarak
Koloneli Mamady Doumbouya është betuar në postin e presidentit të përkohshëm të Guinesë, pasi ka udhëhequr një puç për ta rrëzuar presidentin e deritashëm, Alpha Conde.
Sipas një akti të tranzicionit, të publikuar këtë javë, koloneli që e ka marrë postin më të lartë nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Ai është bërë udhëheqësi i dytë më i ri i Afrikës. Doumbouya është 41 vjeç.
Puçi është dënuar nga komuniteti ndërkombëtar. Pas këtij zhvillimi, Guinea është përjashtuar nga organizata e vendeve të Afrikës Perëndimore, Ecowas, dhe nga Unioni Afrikan, shkruan “BBC”.
Qeveria ushtarake e Guinesë ka thënë se ka plane që vendin ta çojë drejt pushtetit civil, por nuk ka saktësuar se sa do të zgjasë periudha e tranzicionit.
Udhëheqësi i puçit ka thënë se ushtria e ka marrë pushtetin për shkak të korrupsionit masiv, shpërfilljes së të drejtave të njeriut dhe keqmenaxhimit ekonomik gjatë udhëheqjes së presidentit të rrëzuar, Alpha Conde.
Presidenti i përkohshëm ka përvojë ndërkombëtare ushtarake. Ai është trajnuar në Francë dhe madje ka shërbyer për një kohë në forcat e armatosura franceze.