Ish-ushtari i tri luftërave mban numrin zgjedhor 78 në listën e AAK-së
Dardan Krasniqi, i cili i është bashkuar vizionit të Ramush Haradinajt, është renditur me numrin 78 në listën zgjedhore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Ai ka hyrë në këtë garë zgjedhore me synimin për të kontribuar krah Haradinajt në çështjet kombëtare dhe në politikën e sigurisë, të cilën e sheh si një element të rëndësishëm në përpjekjen për ndërtimin e një shteti dhe shoqërie të fortë.
Numri 78 ka edhe simbolikën e vet për Krasniqin, pasi ai ka lindur në vitin 1978.
“Dardani na u bashkua me përvojën e tij dhe me vullnetin për një Kosovë që ecën përpara. Si i ri, Dardani ishte luftëtar në tri luftërat çlirimtare: në UÇK, UÇPMB dhe në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, ku u dallua për guxim dhe aftësi organizative. Angazhimi i tij është motiv që shumë patriotë, ekspertë e qytetarë të mirë të këtij vendi po e gjejnë rrugën e AAK-së, që është edhe rruga e Kosovës për të ecur përpara!”, kishte shkruar Haradinaj pas anëtarësimit të Krasniqit në AAK.
AAK ka numrin rendor 129 në zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 28 dhjetor, ndërsa Dardan Krasniqi garon me numrin 78.




