
Ismaili me numrin e pestë të gazetës javore: Zgjidhjet për betonin dhe 5 lagjet e Prishtinës
Sot është shpërndarë numri i pestë i gazetës javore Koha për Prishtinën, nismë e kandidatit për kryetar të kryeqytetit, Uran Ismaili. Për dallim nga numrat e kaluar, ky edicion ka tetë faqe dhe sjell një përmbajtje më të zgjeruar për sfidat dhe zgjidhjet konkrete për Prishtinën.
Titulli kryesor i këtij numri është “Prishtina e njerëzve, jo e betonit”, ku trajtohet problemi i ndërtimeve pa plan që kanë ngulfatur qytetin, si dhe zgjidhja e propozuar nga Ismaili për ta kthyer hapësirën publike në funksion të komunitetit.
Në faqen e dytë, me titullin “Prishtina në krizë urbane”, analizohet fakti se mbi 60% e banesave në kryeqytet janë objekte të vjetruara, ndërsa infrastruktura publike vazhdon të degradojë. Në këtë kuadër të kësaj ofrohen zgjidhjet për rikthimin e jetës urbane funksionale në kryeqytet.
Faqet në vijim përmbajnë planet konkrete për disa prej lagjeve kryesore dhe fshatrave të Prishtinës: Dardania, Hajvalia, Bregu i Diellit, Kodra e Trimave dhe Bardhoshi.
Në këtë numër gjendet edhe një editorial i shkruar nga aktivistja për të drejtat e njeriut Adelina Toplica Badivuku, në formën e një letre drejtuar Uran Ismailit, ku ndan përvojën dhe pritjet e saj për ndryshimet e nevojshme në kryeqytet.
Faqja e fundit përmban rubrikat tradicionale të gazetës: fjalëkryqin, karikaturën dhe seksionin “Renderat e harruar”, duke ruajtur frymën e një gazete klasike.