
Ismajli: Skandal milionësh në Ministrinë e Bujqësisë, Peci dha me qira impiantin e mbetjeve shtazore pa ankand publik
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Naim Ismajli ka denoncuar një “skandal milionësh” të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, i cili, siç ka thënë ai, pa ankand publik ia ka dhënë pronën publike me qira, impiantin e mbetjeve shtazore, kompanisë “LIP KS & IT SH.P.K” për 20 vjet.
Ismajli në një konferencë për medie, ka akuzuar ministrin Peci se e ka shkelur Ligjin për pronën publike, ku tha se parashihet që pronat publike të jepen me qira vetëm përmes ankandit publik dhe atë jo më shumë se për 15 vjet, përveç në rastet kur merret vendim në Kuvend.
“Ministria e Bujqësisë, nën drejtimin e ministrit Faton Peci, dhe me aprovimin e kryeministrit Albin Kurti, ka finalizuar një ndër marrëveshjet më të dëmshme dhe skandaloze për interesin publik, dhënien me qira të një impianti publik me vlerë mbi 10 milionë euro për vetëm 30 mijë euro në vit, për një periudhë 20 vjeçare, ndërkohë që kompania përfituese përfiton subvencione mbi 3.2 milionë euro në vit”, ka thënë ai.
Për më tepër, sipas Ismajlit, kompania përfituese është regjistruar vetëm 5 ditë pas shpalljes dhe nuk përmbushë asnjë nga kriteret ligjore për përvojën teknike dhe financiare të kërkuar në dokumentin e njoftimit, si dhe pronari i saj është i lidhur me tri kompani të tjera pa ndonjë përvojë në fushën e përpunimit të nënprodukteve shtazore.
“Kompania është shpërblyer me fabrikën publike me të gjitha pajisjet moderne, 6 kamionë të mëdhenj, gjeneratorë, cisterna gazi etj, subvencionim vjetor prej 3.2 milionë euro, i garantuar pa konkurrencë, për 20 vite, gjithsej 64 milionë euro para publike. E gjithë kjo është realizuar pa respektuar as Udhëzimin Administrativ nr.04/2025, neni 15 pika 2, që rregullon subvencionimin për përpunimin e nënprodukteve shtazore dhe Rregulloren (QRK) Nr. 03/2025 për dhënien me qira të pronës publike, ku kërkohet përshkrim i pronës, çmim fillestar, kriteret e pjesëmarrjes dhe transparencë në shpallje”, ka deklaruar ai.
Ismajli ka thënë se ky është një rast tjetër kur qeveria Kurti e ka vënë pasurinë publike në shërbim të pakicës së privilegjuar.
“Kryeministri Kurti ka legjitimuar një proces tërësisht të paligjshëm me vendimin e tij më 09.01.2025 (Nr. 01/242), i cili vetëm sa ka legalizuar pas shpine një marrëveshje të përgatitur paraprakisht në shkelje të ligjit, duke e vendosur veten në rolin e mbështetësit të një marrëveshjeje që është e pavlefshme ligjërisht sipas nenit 17 paragrafi 8 të Ligjit për pronën publike”, ka thënë ai.
Më tutje, Ismajli në emër të PDK-së ka kërkuar nga organet kompetente hetimin e ministrit Peci dhe zyrtarëve të AUV-it për përfshirje në keqpërdorim detyre dhe shpërdorim të pasurisë publike, si dhe shfuqizimin e menjëhershëm të kontratës dhe kthimin e pronës publike nën administrim të ligjshëm.
“Kjo nuk është më vetëm paaftësi administrative, keqmenaxhim e keqpërdorim i detyrës zyrtare, kjo është plaçkitje e organizuar dhe kapje e pastër e shtetit në favor të një grupi të vogël me lidhje të dyshimta”, ka thënë Ismajli.