
Ismet Kryeziu i bën thirrje Vetëvendosjes për kompromis politik
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen më 20 gusht, në orën 11:00, për të vazhduar seancën konstituive të legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Vazhdimi i seancës vjen pasi më 18 gusht ka nisur rrjedhja e afatit 30-ditor për konstituimin e organit ligjvënës.
Kjo, pasi Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë, përmes së cilit ka urdhëruar Kuvendin që brenda 30-ditësh të zgjedhë kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.
Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka thënë se edhe pse Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtën LV-së si subjekt i parë për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, kjo nuk e përjashton nevojën për konsensus dhe marrëveshje politike.
“Në këtë moment, detyrimi politik për LV-në është i qartë: të ulet në tavolinë me subjektet e tjera, të negociojë dhe të gjejë një personalitet që mund të marrë besimin dhe votën e deputetëve, duke i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit. Problemi është se LV-ja këtë të drejtë shpesh e ka trajtuar si privilegj absolut, duke injoruar faktin se sistemi ynë proporcional është i ngritur mbi kompromisin dhe marrëveshjen politike. Asnjë parti nuk mund të qeverisë e vetme dhe askujt nuk i jepet pushtet i pakushtëzuar. Pa kompromis, nuk ka as Kuvend, as qeverisje. Kompromisi është parimi që garanton funksionimin e institucioneve – nga zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, te presidenti, ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare e deri te përfaqësimi i komuniteteve”, ka thënë ai.
Prandaj, sipas Kryeziut, LV-ja duhet të kuptojë se ndryshimi i qasjes është i domosdoshëm. “Çdo e drejtë kushtetuese që i jepet, nëse nuk mbështetet me gatishmëri për marrëveshje, mbetet vetëm një hap formal dhe i pamjaftueshëm për të garantuar funksionalitetin e institucioneve”, ka thënë Kryeziu.