
Istogu e Samadrexha në kërkim të finales
Të dielen zhvillohen ndeshjet e dyta gjysmëfinale në plejofin e Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.
Istogu dhe Samadrexha janë në avantazh para ndeshjeve të dyta.
Istogu fitoi 29:21 ndaj Shqiponjës në gjysmëfinalen e parë, të zhvilluar në Banjë.
Ndërkohë Samadrexha e mposhti 31:23 në udhëtim skuadrën e Ferizajt.
Ndeshja mes Shqiponjës dhe Istogut zhvillohet në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë nga ora 18:00.
Lojtaret e Shqiponjës do të përpjeken maksimalisht që serinë gjysmëfinale të plejofit ta dërgojnë në ndeshjen e tretë. Ndërkohë istogaset udhëtojnë për ta siguruar kualifikimin në finale.
Istogu është kampion në fuqi dhe fitoi Kupën e Kosovës javën e kaluar. Stinorin e rregullt në Superligë e përfundoi në vendin e parë. Shqiponja paraqitet në plejof si e katërta e stinorit të rregullt.
Ndërkohë ndeshja mes Samadrexhës dhe Ferizajt zhvillohet nga ora 14:00 në palestrën “Afrim Bunjaku”.
Javën e kaluar Ferizaj e eliminoi Samadrexhën në gjysmëfinale të Kupës. Por në gjysmëfinalen e parë të plejofit, samadrexhaset u paraqitën bindshëm më mirë dhe shënuan fitore bindëse.
Ferizaj stinorin e rregull e ka përfunduar në vendin e dytë, ndërsa Samadrexha në të tretin.