Ivanka Trump shkon në Kryeministri, pritet nga Edi Rama (VIDEO)
Vajza e presidentit amerikan, Ivanka Trump ka mbërritur mbrëmjen e sotme në Tiranë dhe tashmë po zhvillon një vizitë në Kryeministri. Ajo është pritur nga kryeministri Edi Rama.
Ivanka Trump erdhi në Tiranë pas një qëndrimi dyditor në Vlorë, ku është shoqëruar nga grupe të ndryshme arkitektësh, të cilët kanë vizituar qytetin dhe zonat përreth së bashku me të.
Vizita e saj lidhet drejtpërdrejt me investime strategjike në sektorin e turizmit në Shqipëri, ku janë diskutuar mënyrat e realizimit të projekteve turistike në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit.
Bashkëshorti i saj, Jared Kushner, ka përfituar statusin e investitorit strategjik vitin e kaluar, pas prezantimit të projektit të tij turistik në ishullin e Sazanit, me një sipërfaqe prej 562 hektarësh, territor që më parë është përdorur si bazë ushtarake. Vlera e investimit parashikohet të arrijë në rreth 1.4 miliardë euro.
Projekti parashikon ndërtimin e një marine turistike, strukturash akomoduese elitare, rezidencash me standarde të larta, si edhe zonash gastronomike dhe hapësirash rekreative me shërbime të dedikuara për turistët.



