Izet Sarajliqi prapë flet shqip

13 dhjetor 09:41

Poeti i famshëm boshnjak, Izet Sarajliq, pas dyzet vjetësh të përkthimit në gjuhën shqipe të librit “Kërkoj rrugë për emrin tim”, sivjet për herë të dytë flet shqip.

Vepra e tij poetike, “Përmbledhja sarajevase e luftës”, është përkthyer nga poeti, studiuesi dhe profesori universitar Salajdin Salihu, kurse është botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni”.

Libri shoqërohet me një parathënie të shkruar nga e bija e poetit, Tamara Sarajliq Slaviq, e cila shpreh shqetësim se si të atin e saj, poetin e njohur boshnjak që e deshi shumë Sarajevën, e ka harruar Bosnja: “Në Sarajevë, të cilën e deshi shumë dhe me poezi shkruar për të e bëri të njohur në mbarë botën, pothuajse askush nuk e kujton më. Madje asnjë rruge të këtij qyteti nuk ia dhanë emrin e tij”.

Në shënimin në fund të kopertinës së këtij libri të sapobotuar, drejtori i shtëpisë botuese “Armagedoni”, Berat Armagedoni, bën me dije se me të bijën e poetit, prej kohës kur i është dhënë e drejta e botimit të librit “Përmbledhja sarajevase e luftës” në gjuhën shqipe, kanë pasur disa korrespodenca me postë elektronike, në të cilat botuesi është njoftuar nga ajo se si babai i saj, sa ishte gjallë, kishte qenë disa herë në Prishtinë, se çfarë mendimi kishte për shqiptarët, se u fliste fëmijëve të vet shumë për qytetet e Kosovës, veçanërisht për Prishtinën, për takimet letrare që kishte pasur disa herë me poetë shqiptarë në mbrëmjet poetike që atëkohë organizoheshin në Kosovë dhe në Maqedoni.

Po ashtu, Tamara Sarajliq, në këto korrespodenca me botuesin, shpreh kënaqësi që, pas librit të parë të të atit të saj, “Kërkoj rrugë për emrin tim”, përkthyer në gjuhën shqipe, në fund të viteve ’70, nga Azem Shkreli, Enver Gjergjeku, Qerim Ujkani, Ali Podrimja dhe botuar nga “Rilindja” më 1978, po në shqipe po i përkthehet dhe botohet libri i dytë, “Përmbledhja sarajevase e luftës”. Në vijim mund ta lexoni parathënien e librit dhe disa poezi të autorit në gjuhën shqipe, të shkëputura nga ky libër i botuar tash së voni.

Për përmbledhjen e re në gjuhën shqipe

Tamara Sarajliq Slavniq

Izet Sarajliqi është një prej poetëve më të përkthyer në mbarë poezinë bashkëkohore të Bosnje e Hercegovinës dhe Jugosllavisë së dikurshme. Poezitë e tij janë përkthyer në italisht, frëngjisht, holandisht, gjermanisht, shqip, sllovenisht, rusisht, lituanisht, anglisht, turqisht, maqedonisht, spanjisht, në gjuhën polake e në disa gjuhë të tjera të botës, kurse është hera e dytë që përkthehet në gjuhën shqipe një përmbledhje e tij.

Qarku tematik i poezisë së Sarajliqit është i gjerë dhe i pasur, kurse veçantia ideore e poetikës së tij është himnizimi i dashurisë dhe kujtimet nga lufta. Dashuria e tejkalon psikologjinë dhe ka vlerë supreme në ligjësinë etike. Lufta, në mënyrë artistike, shprehet si një përbindësh, me përmasa vigane, por edhe si një obligim i përhershëm njerëzor kundrejt viktimave. Kujtimet e luftës nxitën te poeti ndjenjën kundër luftës, e cila është e shprehur në gjithë opusin e tij.

Ishte mbresëlënëse dashuria e tij për Sarajevën, qytetin ku ai nuk kishte lindur, por ishte qyteti ku gjithçka i përkiste atij, edhe pse ai aty, mbase, nuk ishte më i lumturi, sikurse shkruan në një poezi.
Në luftën e fundit të përgjakshme, Sarajliqi i qëndroi besnik qytetit të tij, edhe pse kishte mundësinë ta braktiste dhe ta shpëtonte familjen dhe veten.

Korrespondencat e Izet Sarajliqit, me shumë poetë të njohur të botës, janë pasuri shumë e çmuar. Ai ka rigjallëruar formën epistolare, e cila sikur e ka formësuar vëllazërinë poetike dhe internacionalizmin.

E lindur nga fryma e kohës në të cilën jetoi, përherë aktuale dhe e afërt, poezia e Izet Sarajliqit e përvetëson çdo lexues të saj. Intonacioni, i hidhur dhe i ëmbël njëkohësisht, që është veçanti e këtij poeti, haset më vonë te shumë poetë boshnjakë hercegovinas. Pa dyshim se poezia e tij e arriti popullaritetin e përhershëm falë diskursit të thjeshtë, përshkruar nga ndjeshmëria e thellë.

Ashtu sikurse gjatë gjithë jetës që ishte në mbrojtje të dashurisë, nevojës njerëzore për sinqeritet, ngrohtësi, mirësi, miqësi, i tillë mbeti edhe si baba, si gjysh dhe bashkëshort. “Sepse secili mund të urrejë, por të dashurosh është privilegj i më të mirëve”, thoshte poeti Izet Sarajliq.

Pas vdekjes im atë u shpall “Qytetar Nderi” i qytetit Salerna në Itali, kurse përgjatë jetës, për opusin e tij poetik, fitoi shumë çmime në vendin e vet, por edhe çmime ndërkombëtare.
Në Sarajevë, të cilën e deshi shumë dhe me poezi shkruar për të e bëri të njohur në mbarë botën, pothuajse askush nuk e kujton më. Madje asnjë rruge të këtij qyteti nuk ia dhanë emrin e tij.

Shënime për autorin

Izet Sarajliqi është një ndër poetët boshnjak më të njohur. Lindi në Sarajevë më 14 mars të vitit 1930. Pas studimeve në Fakultetin Filozofik në Sarajevë, pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Shtëpinë Botuese “Veselin Maslesha” të Sarajevës.
Ka botuar disa përmbledhje me poezi, kurse gjatë periudhës së luftës në Bosnjë iu botua vepra në dy vëllime.
Librin e parë “Fundjavë gri” e botoi në vitin 1949. Më 1954 krijoi “Grupin 54”, i cili u dha shtysë rrymave të reja poetike në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Më 1953 u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve e Bosnjës dhe Hercegovinës për shkak të mendimeve të tij disidente.
Më 1970 u zgjodh kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë, por mandati i zgjati vetëm 17 ditë.
Izet Sarajliqi është konsideruar një prej autorëve kryesorë të Evropës Lindore, i kandiduar edhe për çmimin Nobel për letërsi.
Ka qenë njohës i mirë i poezisë ruse dhe përkthyes i saj.

Gjatë luftës (1992-1995) refuzoi të largohej nga Bosnja. Në këtë luftë, në të cilën u plagos, humbi dy motrat, Ninën dhe Razën, të cilat përmendën në këtë libër, “Përmbledhja sarajevase e luftës”, e që është një përmbledhje tejet prozaike, e shkruar si ditar lufte në vargje.

Poeti e përjetoi rëndë edhe vdekjen e gruas. Sarajliqi ka qenë anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Bosnje dhe Hercegovinës. Është vlerësuar me shumë çmime, edhe me çmimin prestigjioz “Alberto Moravia” (2001).
Poezitë e Izet Sarajliqit janë përkthyer dhe botuar në: italisht, frëngjisht, holandisht, gjermanisht, shqip, sllovenisht, rusisht, lituanisht, anglisht, turqisht, maqedonisht, spanjisht, në gjuhën polake e në disa gjuhë të tjera të botës. Kjo është hera e dytë që në gjuhën shqipe përkthehet dhe botohet një përmbledhje e Izetit, pas asaj (“Kërkoj rrufë për emrin tim”) që në vitin 1978 patën përkthyer Azem Shkreli, Enver Gjerqeku, Qerim Ujkani, Ali Podrimja, botim i “Rilindjes”.
Izet Sarajliqi ndërroi jetë më 2 maj 2002.

Poezi nga Izet Sarajliq

Pas plagosjes
Miki Masliqit

Mbrëmë në ëndërr mu shfaq
Sllobodan Markoviçi
dhe kërkoi ndjesë për plagët e mia.

E vetmja ndjesë serbe
gjatë gjithë kësaj kohe,

dhe vetëm në ëndërr
e nga një poet i vdekur.

Fati sipas mënyrës sarajevase

Në Sarajevë
në beharin e 1992-shit
gjithçka është e mundur;
pret në radhë për bukë,
përfundon këmbëprerë
në traumatologji.

E thua se
kishe fat.

Sa të mbarojë lufta

Për dallim nga sarajevasit vendali
Uiljem Trajbi mbeti në qytet.

Besoj
se ai s’e di
ku e ka pasaportën britanike.

E për çfarë i duhet kjo pasaportë,
kur më shumë i duhet
pak raki!

Nuk e di nëse Uiliem Trajbi
i përktheu poezitë e mia
para lufte,
por i jam mirënjohës
vetëm se mbeti këtu e nuk na braktisi.

Kur të mbarojë lufta,
ndonëse kurrë nuk u njohëm,
patjetër do ta vizitoj.

E mbase
me çmim real
do të mund të blihet
edhe ndonjë shishe raki!

Mëshirë njerëzore

Mëshirë njerëzore,
Ku je?

Athua
Vetëm në libra?

Miqve nga Jugosllavia e dikurshme

Çfarë ndodhi miq, kështu brenda natës?

Nuk e di
çka punoni.

Çka shkruani.

Me cilin pini.

Çfarë librash lexoni.

Madje, nuk e di
a jemi më miq.

Motrat

Esenini i kishte
Shurën dhe Kaçën.

Majakovski i kishte
Ludmillën dhe Olën.

Unë i kisha
Ninën e Razën.

Dhe – të gjitha vdiqën.

Raza e Nina
në distancë prej pesëdhjetë ditësh.

Vdiqën
ose i vranë pa plumba?

Tani patjetër
të kërkoj diku një motër të re.

Nuk mundem assesi
mos me qenë vëlla.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktori i njohur amerikan Dwayne Johnson ka konfirmuar se ai…