
Izraeli i kërkon Kinës ta ndalë Iranin: Do të shembej nëse ndalon blerjen e naftës
Izraeli ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë Kinës që të përdorë ndikimin e saj për të ndalur Iranin në ambiciet e tij ushtarake dhe bërthamore. Sipas Bloomberg, të martën, Konsullja e Përgjithshme izraelite në Shangai, Ravit Baer, deklaroi se vetëm Kina ka fuqinë për të ndikuar vërtet në regjimin iranian.
“Kina është e vetmja që mund të ndikojë në Iran,” tha Baer. Ajo shtoi se “Irani do të shembej nëse Kina ndalon blerjen e naftës së tij.”
Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur Irani po vazhdon përpjekjet për të avancuar programin e tij bërthamor, pavarësisht presioneve ndërkombëtare.
Ndërkohë, Kina dhe Rusia kanë qenë mbështetëse të Teheranit në bisedimet ndërkombëtare. Në mars, të dyja këto shtete kërkuan që dialogu me Iranin të zhvillohej mbi “respekt të ndërsjellë” dhe kërkuan heqjen e të gjitha sanksioneve ndaj tij, sipas The Jerusalem Post.