
Izraeli plagosi presidentin e Iranit, lajmi publikohet nga mediat në Teheran
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, u plagos gjatë një sulmi ajror izraelit që goditi një mbledhje të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare në Teheran ne 16 qershor, sipas asaj që konfirmoi agjensia gjysmë zyrtare e Lajmeve Fars e cila citon burime pranë Gardës Revolucionare.
Sipas asaj që shkruan Media Iraniane sulmi që plagosi presidentin ndodhi gjatë luftës 12 ditore me Izraelin, ku 6 raketa goditën ndërtesën në pjesën perëndimore të Teheranit ku po zhvillohej mbledhja me pjesëmarrjen e krerëve të tri pushteteve: presidentit Pezeshkian, kryetarit të parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf dhe kreut të drejtësisë, Gholamhossein Mohseni Ejei.
Presidenti 70-vjeçar pësoi një plagë në këmbë dhe u detyrua të largohej përmes një daljeje emergjente të planifikuar më parë. Sipas Fars, edhe disa zyrtarë të tjerë pësuan lëndime të lehta. “Pas shpërthimeve, u ndërpre energjia elektrike në katin ku po mbahej mbledhja,” thuhet në raportin e agjencisë. Sulmi ka ngjashmeri me atë që vrau udhëheqësin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, në Bejrut vitin e kaluar. Të gjitha daljet e ndërtesës thuhet se janë goditur për të bllokuar arratisjen dhe për të ndalur qarkullimin e ajrit.
Kryetari I Korpusit te Gardes Revolucionare te Iranit , Mohsen Rezaei, deklaroi në televizionin shtetëror se “Izraeli goditi gjashtë zona ne ndertesen ku po mbajeh mbledhja e Keshillit, por sipas tij askush nuk pesoi lendime serioze.
Megjithëse presidenti nuk kishte përmendur më herët se ishte plagosur, në një intervistë të fundit me gazetarin amerikan Tucker Carlson, ai e pranoi se ishte objektiv i një atentati nga Izraeli. “Po, ata tentuan të më vrisnin. Vepruan në përputhje me këtë, por dështuan”, tha ai.
Deklaratat e tij shkaktuan zemërim në parlamentin iranian. 24 deputetë e akuzuan presidentin në një letër të përbashkët për “minim të sigurisë kombëtare” për shkak të hapjes ndaj dialogut me SHBA-në dhe bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, e cila tashmë është dëbuar nga vendi.
Pas sulmit, autoritetet iraniane kanë arrestuar mbi 700 persona nën dyshimet për bashkëpunim me Izraelin dhe po shqyrtojnë një ligj të ri emergjent që parashikon dënime më të rënda për spiunazh, përfshirë edhe dënimin me vdekje.