
Jahjaga dhe zyrtarët gjermanë flasin për nevojën e formimit të qeverisë së Kosovës
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur në takim Susanne Schutz, drejtoreshë për Evropën Jug-Lindore, Turqi dhe shtetet anëtare të Asociacionit Evropian për Tregti të Lirë në Ministrinë e Jashtme Gjermane, me të cilën ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve.
Jahjaga në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se me zyrtaren gjermane, ku ka qenë i pranishëm edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Christian Heldt, kanë biseduar edhe për nevojën e formimit sa më të shpejtë të qeverisë se re.
“Sot pata një takim të shkëlqyeshëm me Susanne Schutz, drejtoren për Evropën Jug-Lindore, Turqi dhe shtetet anëtare të Asociacionit Evropian për Tregti të Lirë në Ministrinë e Jashtme Gjermane. Biseduam për thellimin e raporteve në mes të vendeve tona dhe e falënderova për mbështetjen e pakusht të Gjermanisë ndaj Kosovës. Në takim folëm edhe për nevojën e formimit sa më të shpejtë të Qeverisë në Kosovë dhe shmangien e vakuumit institucional”, ka shkruar Jahjaga.
/Epoka e re/