Jahjaga e Tërnava në mesin e 500 personaliteteve më me ndikim në botën islame

09 janar 2020 | 16:50

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe myftiu Naim Tërnava janë renditur në mesin e 500 personaliteteve më me ndikim në botën islame nga Qendra Mbretërore për Studime Islame dhe Strategjike (The Royal Islamic Strategic Studies Centre) me seli në Jordani.

Në edicionin e vitit 2020, myftiu Tërnava radhitet në listën e liderëve me ndikimin administrativ më të madh, derisa Jahjaga në mesin e personaliteteve më me ndikim nga fusha e politikës.   “Jahjaga ishte presidentja e parë dhe më e re e Kosovës nga viti 2011 deri në vitin 2016.

Pasi diplomoi në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës në vitin 2000, ajo vazhdoi studimet në Mbretërinë e Bashkuar dhe ShBA. Ajo më pas shërbeu në poste të ndryshme qeveritare, duke përfshirë gradën e gjeneralemajore për Policinë e Kosovës”,  ka shkruar Qendra Mbretërore për Studime Islame dhe Strategjike.

Ndërsa myftiu Tërnava përmendet si figura kryesore në përpjekjet e popullatës myslimane të Kosovës për të kapërcyer tmerret e luftës. “Naim Tërnava është kryeimami i Kosovës. Ai është figura kryesore fetare në Kosovë, i cili u shfaq pas një lufte etno-fetare që rezultoi në humbje të madhe të jetëve dhe shkatërrimit. Tërnava është një figurë kryesore në përpjekjet e popullatës myslimane të vendit për të kapërcyer tmerret e luftës. Ai pati rol të rëndësishëm në krijimin e Organizatës së Këshillit Ndërfetar për Marrëdhëniet Ndërfetare”, e ka përshkruar Tërnavën Qendra Mbretërore për Studime Islame dhe Strategjike.

Në Bashkësinë Islame të Kosovës kanë deklaruar se përzgjedhja e Tërnavës në këtë listë, dëshmon angazhimin e tij institucional për të çuar përpara institucionet fetare islame në vend dhe për të krijuar raporte me institucionet tjera fetare e shtetërore në Republikën e Kosovës.

“Tash e sa vite, Qendra Mbretërore për Studime Islame dhe Strategjike (The Royal Islamic Strategic Studies Centre) me seli në Jordani, myftiun e Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, e radhit në mesin e personaliteteve më me ndikim në botën islame. Në edicionin e vitit 2020, myftiu Tërnava radhitet në listën e liderëve me ndikimin administrativ më të madh, gjë kjo që dëshmon për angazhimin e tij institucional për të çuar përpara institucionet fetare islame në vend dhe për të krijuar raporte me institucionet tjera fetare e shtetërore në Republikën e Kosovës. Kjo përzgjedhje është një motiv shtesë, jo vetëm për myftiun Tërnava, personalisht, por për të gjithë vartësit dhe nëpunësit e BIRK-ut për të vazhduar me kontribut për të mirën e shoqërisë, sikur që është një dëshmi shtesë para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për punën që bën Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës”, ka njoftuar BIK-u.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Andres Iniesta ka mbështetur mundësinë e rikthimit të Neymarit te…