
Jakup Krasniqi publikon deklaratën e SHP të UÇK-së të 10 qershorit 1998
Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka kujtuar dy data të rëndësishme për historinë e re të Kosovës.
E para ka të bëjë me 22-vjetorin e lajmit që paralajmëronte lirinë, çlirimin e bashkimin, ndërsa e dyta me 21-vjetorin e çlirimit të Kosovës.
“Në këtë ditë, para 22 vite ishte lajm që paralajmëronte Lirinë, Çlirimin e Bashkimin. Një vit më vonë, tash e 21 vjet erdhi Dita e shumëpritur nga brezat – Çlirimi i Kosovës! Filloi me dashuri, me mend, me vendosmëri e guxim të madh, erdhi me ndryshim EPOKAL! Kosova tani është e lirë, e pavarur, sovrane e demokratike”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
“Kosovë – urime ditët e çlirimit. Kosovë, të prifshin e të priteshin vetëm sukseset e mbarësitë e shekullit! Ato ditë ishin ditët e brumit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, ka shkruar Krasniqi.
Në vazhdim Krasniqi ka publikuar deklaratën e SHP të UÇK-së e dhjetë qershorit 1998:
DEKLARATË PËR OPINION Nr. 3
Rezistencën e armatosur të popullit shqiptar në Kosovë nuk janë duke e bërë qytetarët e paorganizuar që e mbrojnë vetëm pragun e shtëpisë, por populli i organizuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës i udhëhequr nga Shtabi i Përgjithshëm që kryekreje lufton për liri, për çlirim e bashkim kombëtar, për nder e dinjitet njerëzor e kombëtar.
Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së vlerëson se situata është serioze, me rreziqe të shumta e të paparashikuara dhe si e tillë kërkon: vendosmëri,urti e qasje serioze për t`u zgjedhur. Kërkon që shqiptaret t’i koordinojnë e bashkërendojnë mendimet e veprimet në shërbim të çlirimit e të bashkimit kombëtar.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës fton shqiptarët në të gjithë hapësirën kombëtare që të bashkohen rreth flamurit të Skënderbeut, duke tejkaluar me guxim e vendosmëri të gjitha barrierat e bashkimit të kombit, si krahinorizmat,besimet, partitë a ideologjitë e përçarjes.
Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së iu drejtohet të gjithë bashkëkombëseve,të fshatit e të qyteteve, bashkatdhetarëve kudo që janë në botën e jashtme që t’i derdhin mjetet financiare në fondin “Vendlindja thërret”, në fondin e çlirimit e të bashkimit kombëtar. Shtabi i Përgjithshëm fton qeverinë të egzil të Bukoshit që mjetet e derdhura nga populli të jepen për luftën, për lirinë pa të cilën s’ka liri e pavarësi, s’ka as çlirim e bashkim kombëtar. Ata që sot kanë mundësi ta ndihmojnë lirinë e çlirimin dhe nuk e bëjnë, marrin mbi vete një përgjegjësi të madhe kombëtare, politike e historike.
Lufta e jonë për liri e çlirim ka hyrë në një fazë të re që e karakterizojnë: cilësia, masivizimi dhe shtrirja hapësinore. Kjo edhe e obligon Shtabin e Përgjithshëm që përmes zëdhënësit të tij të komunikoj më shpesh me opinionin e brendshëm e të jashtëm përmes formave të ndryshme të paraqitjeve publike. Kjo bëhet edhe për t’i penguar paraqitjet e paautorizuara e të papërgjegjësi të individëve jo kompetent. Shtabi i Përgjithshëm ka vendosur që për zëdhënës të tij para opinionit të caktoj profesorin e historisë, të burgosurin politik, që ka të kryera edhe studimet posdiplomike – Jakup Krasniqin nga Drenica
Prishtinë, 10. 06 1998 Shtabi i Përgjithshëm i
UÇK-së