
James Covey mohon se ka dijeni për rolin e Azem Sylës dhe Sokol Bashotës në UÇK
Dëshmitari James Peter Covey ka mohuar në Hagë se ka dijeni për rolin që kanë pasur Azem Syla dhe Sokol Bashota në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Këtë përgjigje, dëshmitari e dha duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Vega Iodice.
Dëshmitari ka thënë se nuk e ka ditur se kur është shfaqur për herë të parë UÇK-ja. Ngjahsëm ai është përgjigjur edhe kur është pyetur për rregulloret e UÇK-së.
“Nuk besoj”, është përgjigjur dëshmitari kur u pyet se a ka dijeni për ndonjë urdhër të UÇK-së.
Veç kësaj, Covey ka mohuar se ka dijeni për ndonjë shkëmbim të të burgosurve në janar të vitit 1999.
“Jo! Nuk kam dijeni. Në atë kohë nuk kam qenë i përfshirë në këtë. Kam punuar në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare”, ka thënë ndër tjerash dëshmitari duke treguar se ka punuar në një libër që do shfrytëzohej për efiçencë të armëve, raporton Betimi për Drejtësi.
“Nuk isha i përqendruar në ngjarjet në Kosovë. Nuk i kam ndjekur siç i kam ndjekur kur kam punuar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Kështu që jo është përgjigja se nuk kam dijeni”, ka thënë dëshmitari Covey.