JANJEVA – “QYTETI I ARGJENDIT” QË PO VDES

17 nëntor 2019 | 00:39

Shtegtime nëpër Atdhe (XXII)

Shkruan: Berat Luzha-

E kemi shumë afër dhe shumë larg, njëkohësisht! Janjeva është një qytezë, me të kaluar dhe histori të pasur, por tash e harruar dhe e braktisur diku, në një kand të Kosovës. Ajo është një qytezë karakteristike dhe shumë e veçantë, shumë atraktive dhe shumë e varfër. Është një vendbanim etnografik, me rrugë të ngushta e shtëpi të vjetra.


Janjeva ndodhet mes kodrave të larta, në lartësinë mbidetare rreth 600 metra, vetëm 12 km nga rruga magjistrale Prishtinë – Ferizaj, 15 km nga qendra komunale – Lipjani dhe 18 km në juglindje të Prishtinës. Është vendbanim shumetnik, ku jetonin e jetojnë në harmoni të plotë shqiptarë, kroatë, serbë, romë dhe turq. Ka qenë e njohur veçanërisht për xehetari (ari e argjendi) e zejtari; për përpunim të metaleve e të plastikës, për artizanate, për tregti etj. Gjatë sistemit monist në Janjevë ishte ndërtuar një fabrikë për përpunimin e metaleve, e cila sot nuk funksionon.


Konsiderohet se Janjeva është një lokalitet i lashtë, që daton nga shek. IV, por, në dokumentet e shkruara përmendet nga shek. XIV, në vitin 1303. Mendohet se para 700 vjetëve e kanë krijuar, si koloni të tyre, tregtarët dhe xehetarët e ardhur nga Raguza (Dubrovniku) dhe Kotori, të cilët këtu kishin hapur disa miniera ari e argjendi. Kroatët e llogarisin Janjevën si enklavën e parë raguziane dhe si diasporën më të vjetër kroate.
Pos shfrytëzimit të minierave, filluan të zhvilloheshin edhe zeje të ndryshme, për çka vendbanimi merr pamjen e një qyteti të zhvilluar për kohën. Pas pushtimit osman, në vitin 1455, Janjeva zhvillohet si vendbanim turk. Rreth vitit 1671 qyteti kishte shkollën e vet, kurse në vitin 1368, ishte ndërtuar një kishë impozante katolike, e cila funksionon edhe sot.

Udhëpërshkruesi i kohës, Mati Bici, në vitin 1610, e kishte vizituar Janjevën dhe kishte shkruar: “…heret në mëngjes arritëm në Janjevë, që është vendosur midis kodrave të shpuara prej minierave të argjendit, që aty nxirret me sasi të mëdha”. Bici shkruan se Janjeva kishte popullsi të përzier; 120 familje katolike, 180 myslimane dhe 200 ortodokse, gjithësej 500 familje. Në qytet fliteshin shumë gjuhë; shqip, kroatisht, serbisht, turqisht.
Minierat kanë punuar deri në shek. XVI, kur Janjeva ishte në kulmin e zhvillimit. Këtë zhvillim ia mundësonte edhe pozita e përshtatshme gjeografike dhe lidhjet komunikative. Mirëpo, rezervat e arit dhe të argjendit me kohë shteruan dhe qyteti filloi dalëngadalë të varfërohet e popullsia të zhvendoset.

Kështu, nga një qendër e njohur, si një qytet i zhvilluar mesjetar, shndërrohet në një fshat të harruar me shumë probleme të mbijetesës. Gjendja gjithnjë e më e vështirë ndikoi, veçanërisht, me largimin e vazhdueshëm të popullsisë kroate dhe zëvendësimin e saj me popullsi vendore, të zbritur nga fshatrat e afërme malore.

Në fillim të shek. XVII Janjeva kishte mbi 500 shtëpi me shumicë të popullsisë kroate, në vitin 1911 – rreth 500 familje, nga të cilat 400 ishin katolike, rreth 100 shqiptare (myslimane), dy turke dhe 18 rome. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 1981, në Janjevë kanë jetuar rreth 5000 banorë, nga të cilët, rreth 3500 ishin regjistruar si kroatë e në vitin 1991 kishte 3300 banorë, prej tyre rreth 2860 kroatë. Pas çlirimit të Kosovës, në vitin 2011, në Janjevë kishin mbetur vetëm rreth 240 kroatë, kurse sot ky numër ka rënë nën 200. Ikja masive e popullsisë kroate nga Janjeva dhe nga katër – pesë fshatrat tjera në Kosovë, ku kishte pak popullsi kroate, kushtëzohej nga frika. Nga frika sepse pas vitit 1991, pas luftës në Kroaci, kroatët në Kosovë regjimi serb i identifikonte si popullsi armiqësore. Qeveria kroate dhe kryetari i Kroacisë, Franjo Tuxhman, në vitin 1996, i kishin ofruar popullsisë kroate të Kosovës të shpërngulej në Kroaci. Por, “Janjeva pa kroatët nuk është Janjevë”, – kishte thënë ish-kryetari tjetër i Kroacisë, Stipe Mesiq, gjatë vizitës në Janjevë në vitin 2005. Janjevën e ka vizituar, në vitin 2016, edhe kryetarja e sotme e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitanoviq.
Banorët e mbetur për të jetuar në Janjevë, kryesisht persona të moshuar, ankohen për gjendjen e tyre të rëndë. – Përpara kemi jetuar mirë, kurse sot kemi mbetur të vetmuar, Vështirë jetohet këtu. Nuk ka të rinj, kemi mbetur vetëm pleqtë, – rrëfejnë ata.

Sot në Janjevë sheh rrugica të ngushta e pa njerëz, shtëpi, shumica të vjetra, të braktisura e të rrënuara, sikur qyteza të kishte dalë dje nga lufta. Në qendër të qytezës gjenden disa shitore e kafiteri, por pak njerëz shihen në to. Banorët thonë se nuk e kanë kujdesin e duhur të qeverisë; mungojnë investimet, kanë problem për furnizim me ujë etj.
Janjeva është vendlindja e Shtjefën Gjeçovit – Stefan Gecov (1874 – 1929), veprimtarit të shquar të lëvizjes atdhetare shqiptare, që ishte edhe prift, etnograf, arkeolog, shkrimtar, përkthyes, folklorist. Kryevepra e tij madhore “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (1933), është përmbledhje, por edhe një përmendore e ligjit zakonor shqiptar. Në nderim dhe përkujtim të veprës së tij, në Janjevë është rindërtuar shtëpia – muze, e cila, fatkeqësisht, brenda është e zbrazët, pa eksponate. Gjithashtu, në nderim dhe përkujtim të jetës dhe vepërs së Gjeçovit, në Janjevë dhe në Zym organizohet manifestimi tradicional kulturor letrar “Gjurmë të Gjeçovit”.


Nga një qytet i vjetër e i rëndësishëm para disa shekujve, sot Janjeva është një qytezë apo, më mirë, një fshat i qetë dhe i harruar i Kosovës, që po vdes dita më ditë. Shkolla e re bashkëkohore, me pak nxënës, faltoret e vjetra monumentale, kisha e xhamia, me pak faltorë, kullat dhe shtëpitë, gjithnjë e më të zbrazura, të braktisura e të shkatërruara, rrugët e ngushta me gurë, me pak njerëz e me më pak fëmijë nëpër to, lumi i vogël përmes fshatit, gjithnjë e më i ndotur, i japin Janjevës epitetin e një vendbanimi të zymtë, edhe përkundër bukurive natyrore dhe traditës së pasur kulturore, ekonomike, arkitektonike…
Komuna e Lipjanit, në kuadër të cilës është Janjeva, i ka propozuar para disa vjetëve Qeverisë së Republikës së Kosovës që Janjeva të shpallet “qytet – muze”. Propozimi është përkrahur, por asgjë deri tash. Vendi më i qetë i Kosovës, ku komunitetet jetojnë në harmoni të plotë, ku kemi shtëpi të shumta të vjetra e karakteristike, ku kemi kulla impozante e faltore monumentale, ku lumi e ndanë fshatin përmes e kodrat e rrethojnë nga tri anë, ku rruga ka një hymje e nuk ka dalje, ku, në hymje të qytezës ndodhet “Anija”, një restorant i madh, shumë i vizituar, meriton të fitojë statusin e qytetit – muze dhe jo vetëm kaq, por edhe të qytetit turistik, që do të ishte i pari në Kosovë.
Shoqëria jonë, Qeveria e Republikës së Kosovës, komuna e Lipjanit duhet t’ia kthejnë gjallërinë, bukurinë dhe krenarinë Janjevës. Janjeva është një qytezë atraktive, me cilësi etnografike, me parakushte të bëhet qytet – muze dhe qytet turistik. Janjeva e kërkon ndihmën tonë!

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndeshja e së dielës Kosovë – Angli ka tërhequr vëmendjen…