
Java e Kulturës së Kosovës në Berlin, Ajeti: Akt i kujtesës për viktimat dhe të zhdukurit
Në një postim në Facebook, Ajeti ka deklaruar se në publik pati përfaqësues të institucioneve gjermane, ambasadorë, përfaqësues të korit diplomatik, gazetarë, artdashës, si dhe kosovarë të shumtë që janë në diasporë.
“Secili film solli një dimension të pasojave të luftës, duke përfshirë: kujtesën përmes një portreti; dëshmi rrëqethëse për një grua që humbi burrin dhe katër djemtë në luftë, e cila jeton me kujtimin e tyre; për jetën brezit të ri pas paqes dhe me ndjeshmëri të thellë mbi temën e dhunës seksuale gjatë luftës dhe sfidat e rikthimit në jetën normale”, u shpreh Ajeti
Filmat që u shfaqën ishin “I Believe the Portrait Saved Me” nga Alban Muja, “Ferdonija” nga Gazmend Bajri & Shkurte Dauti, “Displaced” nga Samir Karahoda dhe “Return” nga Blerta Zeqiri.
Ajeti theksoi se ky aktivitet është i bashkëorganizuar me Qendrën Kinematografike të Kosovës.
Ai shtoi se krejt kjo nuk ishte vetëm promovim i kinemasë kosovare, por ishte akt i kujtesës dhe respektit për viktimat, të zhdukurit dhe të mbijetuarit.