Jemi vonë për t’u vonuar

04 korrik 2025 | 14:59

I nderuari zt.Albin Kurti,

zt.Memli Krasniqi,

zt.Lumir Abdixhiku,

zt.Ramush Haradinaj,

zt.Fatmir Limaj,

T’iu drejtohesh nga pozita e qytetarit të rëndomtë, njerëzve të mëdhenj dhe të pushtetshëm, mund të shpërfillesh, të të merret si diçka joserioze, të mos e them qesharake.

Meqenëse në qendër të programit të të gjitha partive politike, është qytetari, mora guximin t’iu drejtohem në formë të kësaj letre.

Disa prej këtyre liderëve politik, kam pasur fatin t’i takoj të paktën njëherë në jetën time, ndërsa dikë më shumë. Jo për ndonjë interes personal, por ka rastisur në ndonjë ceremoni varrimi, ngushëllimesh, përkujtimesh të dëshmorëve etj. etj.

Se sa është rënduar gjendja pas zgjedhjeve në nivel qendror në Republikën e Kosovës, nuk dua të jap shpjegime, sepse çdo mendje e arsyeshme e një njeriu me intelekt mesatar, tani e di.

Të nderuar,

Jemi vonë për t’u vonuar. Në gjithë botën, po ndodhin “përmbytje” të mëdha. E gjithë këto zhvillime, të cilat nuk i kap dot mendja e njeriut, shqiptarit të zakonshëm, bile nganjëherë as mendjet tona më të ndritura, do të duhej merreshin shumë më seriozisht.

Pas luftës, Kosova dhe institucionet e saja shtetërore, kanë rënë në “ngërç” politik, disa herë. Kjo për historinë e një shteti të ri, popullit të saj, që ka paguar një çmim të lartë, shekullor, për liri, do të thotë shumë, sidomos për gjeneratat që do të vijnë dhe do ta trashëgojnë atë që po krijojmë ne.

Nuk besoj që në Ballkan dhe as në Evropë të ketë ndaluar ora me shumë se sa te ne. Nuk besoj që dikush ta ketë ndier mungesën e lirisë se sa ne. Kur kombet e tjera kanë projektuar të ardhmen e tyre për dekada të ardhshme, kanë identifikuar vështirësitë që i presin, ne biem shpesh në ngërçe politike, “paralizë” institucionale dhe grindje. Ndërsa për mërinë, nuk na e kalon askush. Një ves i ngjizur përtej kanunit.

Kosova nuk e ka luksin e eksperimentimit me fatin e saj. Mendoj se është momenti i fundit, që të shënojmë shkëputje nga mentalitetit i deritanishëm i qeverisjes, që shteti të hyjë në binarët e ecjes normale. Besoj që na mjafton pesha e problemeve të shumta, të pazgjidhura, që na rrinë si “male” para nesh. Koha e humbur është një tagër i lartë të cilën po e paguajmë të gjithë, ndërsa brezave të rinj, nuk do të ishte mirë t’ua lëmë problemet tona, të krijuara nga gabimet tona.

Jo rrallë, që nga paslufta, procesi i ndërtimit të institucioneve në Kosovë, ka kaluar nëpërmes ndërmjetësimit të zyrtarëve më të lartë ndërkombëtarë, pasi vullneti, gatishmëria dhe aftësia e lidershipit kosovar, ende mbetet për të dëshiruar.

Për mua, sot, heronjtë e gjallë të Kosovës, janë ata, të cilët Kosovën e bëjnë shtet funksional, dinë t’i zgjidhin vetë krizat politike, ndërsa nga të gjithë liderët politik, duhet të kuptohet seriozisht, shteti- Kosova është mbi të gjitha.

Sinqerisht i juaji,

Fehmi Pireva, shkrimtar

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami së bashku…