Jep dorëheqje kryeministri i Bullgarisë

11 dhjetor 2025 | 14:44

Kryeministri bullgar, Rosen Zhelyazkov, ka dhënë dorëheqje, pasi dhjetëra mijëra qytetarë kanë protestuar në të gjithë vendin, duke kërkuar që qeveria të japë dorëheqje për shkak të akuzave për korrupsion.

Sipas raportimeve, protestuesit përdorën laserë për të projektuar fjalët “Dorëheqje”, “Mafia Jashtë” dhe “Për Zgjedhje të Drejta” në ndërtesën e parlamentit.

Vlerësimet bazuar në pamjet e filmuara me dron, e çojnë numrin e demonstruesve në mbi 100 mijë, me disa raportime që pretendojnë se deri në 150 mijë njerëz ishin mbledhur në kryeqytetin bullgar.

Studentë nga universitetet e Sofjes i janë bashkuar tubimeve, të cilat organizatorët kanë thënë se i kanë tejkaluar protestat e javës së kaluar që tërhoqën më shumë se 50 mijë  njerëz.

Protesta të mëtejshme janë zhvilluar në më shumë se 25 qytete të mëdha në të gjithë Bullgarinë, duke përfshirë Plovdivin, Varnën, Veliko Tarnovon dhe Razgradin.

Bullgarët janë mbledhur edhe jashtë vendit, me protesta të mbajtura në Bruksel, Londër, Berlin, Vjenë, Cyrih dhe Nju-Jork.

Kërkesat përfshinin dorëheqjen e qeverisë dhe kushte më të mira jetese dhe pune.

Ndryshe, protestat vijnë pas tubimeve të javës së kaluar të nxitura nga propozimet e qeverisë për buxhetin e vitit 2026, të cilat përfshinin taksa më të larta dhe rritje të shpenzimeve.

Qeveria më pas e tërhoqi planin e diskutueshëm të buxhetit. /Telegrafi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kur Bashkimi Evropian (BE) vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në…