Jeta dhe vepra e dëshmorit të kombit, Naser Krasniqi

09 qershor 15:41

Shkruan: Dr. Muharrem Qafleshi

Biografi e shkurtër e heroit të Kosovës, Naser Krasniqi-Leka

Të rrallë janë ata njerëz që tërë jetën e tyre ia kushtojnë çështjes kombëtare. Për ta, mbi të gjitha qëndron ideali i lartë, liria e popullit të tyre. Ata nuk kërkojnë as më pak e as më shumë, po vetëm që populli i tyre të ketë mundësi që të jetojë ashtu siç jetojnë të gjithë popujt në vendet e qytetëruara e demokratike të botës. I tillë ishte Naser Veli Krasniqi, i cili lindi dhe jetoi në fshatin  e lindjes, Ratkoc të komunës së Rahovecit, nga prindërit Veli Krasniqi dhe Mihrije Xhyliqi-Krasniqi. Që në bankat shkollore shihej qartë se ishte ndryshe nga të tjerët, ngase ishte i pjekur shumë herët kombëtarisht. Qysh në klasën e 5-të, i motivuar nga familja, rrethi dhe shokët më të vjetër, e theu fotografinë e Titos (ish- kryetarit të Jugosllavisë), që në atë kohë ishte rrezik për të dhe familjen e tij. Shqiptarët gjatë viteve 1988/89 përjetuan kulmin e diskriminimit politik në Kosovë, kur serbo-jugosllavët suspenduan autonominë e Kosovës.

E shqiptarët kësaj gjendjeje të rëndë iu kundërpërgjigjen me protesta, demonstrata dhe me mënyra të tjera të padëgjueshmërisë qytetare. Në kontekst të këtyre ngjarjeve, dëshmori Naser V. Krasniqi ishte njëri ndër protagonistët e protestës, protestuesit që me ditë dhe muaj nuk ndaluan së vepruari në demonstrimin fizik, organizativ, moral dhe shpirtëror. Kjo kohë edhe pse ishte e vështirë dhe kërkonte sakrifica, ai nuk ndalej. Në këto rrethana, Naseri u ballafaqua me rrezikun që kërcënonte, duke përjetuar kështu helmet e ndryshme të gazit lotsjellës, e deri në rrahjet brutale që për çdo protestë ishin evidente. Ai, në këto demonstrate që vazhduan deri në fund të vitit 1989 dhe fillimi i vitit 1990, nuk u nda për asnjë moment, përkundrazi ai siç pohonin shokët e tij pjesëmarrës, iu jepte motiv me veprimet e tij të guximshme.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Naseri ishte pjesa më skenografike e demonstratave, duke qenë në ballë të tyre, i mbuluar gjoks e shpinë me flamurin tonë kombëtar shqiptar e me plisin e bardhë mbi vetull, ku pushtuesve serbë i bie në sy veprimtaria i tij dhe që nga ajo kohë vazhdimisht kërkohej nga policia. Por falë zhdërvjelltësisë së tij, policia armike asnjëherë nuk arriti ta vinte nën pranga. Veprimtaria patriotike e Naser Krasniqit, u identifikua shumë shpejt nga shërbimi sekret (UDB) si njërin ndër organizatorët dhe udhëheqësit e demonstratave, i cili u fotografua nga UDB-ja serbe, dhe u shpall në kërkim. Kjo e bëri që ai, në vend që t’i fillonte studimet në fakultet, mori rrugën e kurbetit në Gjermani. Naserin, si shtegtar të lirisë, e gjejmë përsëri në Kosovë, në vitin 1996, por tash edhe më të formësuar, më të pjekur, më të organizuar dhe më të brumosur me idealet e lirisë. Pas kthimit të tij në atdhe, pa humbur kohë vazhdojë veprimtarinë atdhetare fillimisht në fshatin e tij të lindjes Drinas, përmes organizatës ilegale të quajtur LKÇK, e më pas si student në Prishtinë.

Me t’u futur në LKÇ, Naseri aktivitetin e filloi menjëherë me shpërndarjen e fletushkës “Çlirimi”, organ propagandistik i LKÇK-së, si dhe me aktivitete të tjera patriotike si bartja dhe sistemimi i njerëzve të ardhur nga shtetet Perëndimore për të luftuar për çlirimin e Kosovës, bartnin armatim, medikamente dhe gjëra të tjera që ishin më se të nevojshme për luftë.

Pra, Naseri me shokët e tij përmes vijës kufitare Kosovë- Shqipëri, i merrnin në kufi mërgimtarët luftëtarë, nga shokët që veproni brenda Shqipërisë, të cilët i sistemoni në fshatin (Ratkoc), më pas i shpërndanin në zonat tjera të Kosovës. Në vitin 1996/1997, Naseri u regjistrua në Fakultetin e Kulturës Fizike të Universitetit të Prishtinës. Studimet i kishte më tepër mbulesë, edhe pse ishte student i zgjuar dhe shumë i aftë për profesionin që kishte zgjedhur, por për të gjithmonë në plan të parë ka qenë çështja kombëtare dhe në veçanti konsolidimi i radhëve për rezistencë të armatosur”. Naseri, më 1 tetor të vitit 1997, ishte pjesëmarrës aktiv i protestave që u zhvilluan në Prishtinë, përkatësisht tek vendi i quajtur “Velania”. Në këtë organizim të studentëve të UP-së, kolona e të cilit ishte i gjatë dhe masive, të cilave u prinin profesorët dhe studentët e  Fakultetit Filozofik, mirëpo rendi e donte që kësaj mase do të duhej t’i ruhej shpina, dhe në bazë të kësaj përllogaritjeje Fakulteti i Kulturës Fizike ishte i fundit.

Naseri, pas një veprimtarie të bujshme nën petkun e studentit të UP-së, në Prishtinë dhe pas shumë veprimeve me karakter atdhetar, duke filluar që nga propaganda, diskutimet me studentë, organizimet, masivizimet e deri të shpërndarja e gazetës “Çlirimi” dhe më gjerë, përfundimisht në muajt e parë të vitit 1998, e braktis qytetin e studentit, Prishtinën dhe kthehet në Anadrini, përkatësisht në fshatin e tij të lindjes, Ratkoc, për të filluar veprimtarinë luftarake, deri në rënie. Gjatë viteve 1997/98, Naseri së bashku me shokë, filluan bartjen masive të armatimit përmes kanalit të hapur që kishte krijuar LKÇK-ja, në kufirin Kosovë-Shqipëri. Armët dhe municionet barteshin me krah, deri poshtë tek fshatrat e Hasit të Kosovës, për t’i transportuar më pastaj edhe me mjete të tjera, si me kuaj, traktorë, kamionë, etj.

Njësiti gueril për bartjen e armatimit, pjesë e së cilës ishte edhe Naseri, shpesh i kujtonte ato ditë të vështira, por edhe të lumtura kur Naseri me cilësitë e veçanta që kishte u jepte zemër, guxim dhe kurajë shokëve dhe me urtësinë e tij e tejkalonte çdo pengesë që i paraqitej dhe kështu e bënte rrugën edhe më të lehtë Me daljen publike të UÇK-së, në Drenoc të Rahovecit, më 26 prill të vitit 1998, u krijuan rrethana të reja edhe në rajonin e Anadrinit. Pra, u përshpejtua shtrirja e organizimit të një lufte legale. Pra, kjo ngjarje ndikoi që edhe njësiti gueril i LKÇK-së, nga fshati Ratkoc, që deri më tani veproi në rrethana ilegale, tash të dilte legalisht dhe t’u bashkëngjitej radhëve të UÇK-së, fillimisht në fshatin Drenoc. Të nesërmen, pikërisht më datën 27 prill 1998, Naseri së bashku me grupin që kishte prej rreth 12 pjesëtarëve të armatosur të LKÇK-së, iu bashkuan Shtabit të UÇK-së, në Drenoc, duke u ardhur në ndihmë, dhe prej këtij momenti Naseri veproi legalisht.

Me shkuarjen në Drenoc, Naseri së bashku me dy shokë të tjerë vendoset në pikën më të lartë malore, në majën e Zatriqit, pasi konsiderohej si pika më strategjike për luftime. Qëndrimi i tij atje u përshkua me një sërë veprimesh, duke u organizuar, ushtruar dhe duke bërë roje nëpër pozicionet e UÇK-së. Naseri, derisa vepronte në Drenoc dhe në Zatriq, për herë të parë e përdor maskën.

Në këto pika, Naseri veproi për rreth 15 ditë, derisa më datën 11 maj, një ditë para 12 majit, ai me një grup bashkëluftëtarësh të UÇK-së, e ndjekin një kamion “Tamiç”, pjesë e kolonës së motorizuar serbe deri në Gradish. Kolonat e motorizuara serbe, të datës 11 maj, i tërhoqën civilët serbë që banonin në fshatin Bratotin. Këtë e bënë për dy arsye. E para, për faktin se pozicionet e UÇK-së ishin shumë afër tyre, dhe e dyta, për faktin se të nesërmen planifikonin t’i sulmonin pozicionet e UÇK-së, në këtë terren.

Për fat të keq, kjo kolonë serbe iu shmang ndjekjes së UÇK-së, dhe 11 maji përfundoi pa pasoja. Naser Krasniqi gjatë gjithë kohës mbante emrin e ilegalitetit dhe të luftës “Leka”, të cilin ia kishin vënë shokët e njësitit gueril. Në historinë tonë etnike, emri Lekë është emër i njeriut që bëri epokë në jetën e kombit shqiptar, në drejtësi, urtësi, pastërti morale, hijeshi dhe në njerëzi. Shumë prej këtyre tipareve e virtyteve kanë ekzistuar te personaliteti i dëshmorit Naser Krasniqi – Leka.

Më datën 12 maj, Naseri do të merrte pjesë aktive në luftë ballë për ballë me forcat serbo-jugosllave, në të cilën betejë pas 10 orë luftimesh të ashpra, ai do të shquhej me guximin dhe trimërinë e tij, nga një pikë në tjetrën, nga një front në tjetrin. Në këto përballime, do të shquhet luftëtari shembullor, i cili me guxim nxitoi aty ku kërkohej vetëmohimi dhe trimëria, gjithnjë shembull për bashkëluftëtarët, deri në ditën e rënies heroike. Nga data 12 maj 1998, Naseri do të transferohet nga Drenoci e Zatriqi në Ratkoc, për të vazhduar organizimin dhe luftimet që pasuan në vazhdim. Më 13 maj, strukturat udhëheqëse të UÇK-së morën vendim të vendoset pika në “Gradish”, vend ky shumë i përshtatshëm për luftë, apo siç njihet në terminologjinë ushtarake, pikë gjeostrategjike, sepse kontrollonte magjistralen kryesore Gjakovë- Prizren- Rahovec. Në bazë të urdhrave të shtabit, herët në mëngjes, rreth orës 5:00, u vendosën pozicionet e UÇK-së përgjatë tërë vijës së Gradishit.

Naseri, së bashku edhe me disa shokë të tjerë, gjatë tërë natës u kujdesën për dërgimin e ushtarëve atje, si dhe përpiqeshin që armatimin të kishin në sasi të mjaftueshme. Në orën 8.00, forcat serbe mësynë Kodrën e Gradishit, dhe natyrisht hasën në kundërpërgjigje nga UÇK-ja. Naseri me shokë, me të dëgjuar për luftimet që kishin filluar në Gradish, pa një pa dy, u ngrit në këmbë, mori armatimin dhe ia mësyu Gradishit. Dhe prej këtij momenti, Naseri përgjatë 12 orëve luftime qëndroi aktiv nëpër pozicionet e UÇK-së.

Dëshmorin e kombit, Naser Krasniqi, deri në aktin e rënies, do ta shohim kudo nëpër aksione e fushëbeteja luftarake, si në Drenoc, Bratotin, Ratkoc, Zatriq, Vranjak, Dejë, Malësi e Vogël, Gradish, etj., ai, nuk iu frikësua vdekjes dhe nuk i bëri lak asaj. Naser Krasniqi, duke qenë në krye të detyrës, si çdoherë në mbrëmjen e 4 qershorit 1998, saktësisht në orë 9.26 minuta kur filloi një ofensivë e madhe altilerike serbe e kombinuar me shumë forma lufte, pikërisht aty edhe ku lindi, në Drinas (ish- Ratkoc), në përballje me forcat serbe, bie heroikisht, duke mbrojtur dinjitetin kombëtar dhe lirinë e atdheut të vet.

Ai sa ishte gjallë sikur e parandiente vdekjen kishte thënë: “Unë do të vritem, por nuk i frikësohem vdekjes, sepse s’ka gjë më të mirë, e më krenare se sa vdekja për atdhe”.

Më 04.06.2016, Prishtinë

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori i rikthyer në Përfaqësuesen e Kosovës, Anel Rashkaj ka…