
Jeta në skaj të mbijetesës, rrëfimi prekës i 58-vjeçarit nga Podujeva: Kam deshtë me e djegë veten me benzinë
Isuf Gashi, një qytetar i Podujevës, aktualisht po jeton në kushte të mjerueshme, brenda një kontejneri të improvizuar, pa ujë të rrjedhshëm, pa ngrohje dhe pa mundësi minimale për higjienë. Ai thotë se për t’u ushqyer mbështetet në ndihmën e bamirësve, që i sigurojnë një shujtë në ditë.
Rasti i tij u bë i njohur pas thirrjeve të banorëve lokalë, që kërkuan vëmendje për gjendjen e tij. Gazetarja e Reporteri.net, Leonora Kolukaj e vizitoi Gashin, i cili deri dy javë më parë kishte jetuar në një objekt pranë ish-tregut të qytetit, i cili tashmë është rrënuar për t’i hapur vend ndërtimit të një projekti për banim të përballueshëm.
Në rrëfimin e tij të dhimbshëm, Gashi zbulon momentet më të errëta të jetës. Ai tregon se, i përballur me dëbimin nga objekti ku banonte dhe në mungesë të alternativave, kishte tentuar të vetëdigjej.
“Para dy jave kam dashtë me u kall me benzinë se erdhën prej komunës me më qitë në rrugë. E mora shishen, e ktheva trupit… erdhi policia, i thirrën mjekët dhe më ndaluan,” rrëfen ai.
Ai shton se nuk është larë prej muajsh.
“S’jam la qe tre -katër muj. U kanë ajo WC e stacionit të trenit e unë e kam hidis një derë veç sa me kry nevoja.”, tregon ai.
Madje, sipas tij, edhe kjo zgjidhje minimale po kontestohet nga fqinjët, të cilët kërkojnë largimin e tij edhe nga aty.
Për të përballuar gjendjen psikologjike, Gashi thotë se merr qetësues për të mundur të flejë në mbrëmje.
Nga Komuna e Podujevës konfirmojnë se janë në dijeni për rastin dhe se janë duke u angazhuar,, për t’i siguruar një vendbanim më të denjë.
Po ashtu, komuna thekson se bashkë me organizata bamirëse është duke i ofruar Gashit një shujtë ditore, derisa të gjendet një zgjidhje më e qëndrueshme.
Sipas, përgjigjes së Komunës, objekti i ish-Tregut është rrënuar sepse aty do të fillojë ndërtimi projektit të banimit të përballueshëm.
“Jemi në dijeni rreth rastit të z.Isuf Gashi i cili ka banuar në objektin e ish-Tregut të Podujevës, por aty është rrënuar objekti për shkak të krijimit të hapësirës për realizimin e projektit të banimit të përballueshëm që do të fillojë së shpejti në komunën tonë. Në si institucione komunale nga bashkëpunimi që kemi me organizatat bamirëse i kemi siguruar edhe një shujtë ditre të ushqimit z.Gashi dhe po bëjmë përpjekje që t’i sigurojmë edhe një vendbanim me kushte më dinjitoze.”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Podujevës për Reporteri.net.