
Jeta, valë e trazuar
Habib Çelaj
Jeta, valë e trazuar
nga shpirti im
rrjedh një lot i bardhë
*
Në ngjyrat e ylberit
syri im
seç kërkon një magji
*
Në çdo stinë
e doja një dritare
me dritë
*
Erdhi në jetë Gjergj Elez Alia
mori nëntë plagë në trup
dhe u kthye në legjendë
*
Amshim i bardhë
lakuriq fjeta me engjëj
natën e parë
*
Më ndjekin hijet më ndjekin
nga hone ferri tek djepi
po nuk ma kallin dot tmerrin
*
Po ua mbyll kullave frëngjitë,
po nisem shtegut të lashtësisë
ku më shpie Via Egnatia
*
Gjethin e blertë e mori era
rrebesh i madh e pluhur i zi
ku e shpie
*
Jeta është edhe vuajtje
në shtrat lëngate
kur shpresa nis e këputet
Habib Çelaj (1936-2021), mësues dhe poet, ka shkelur triumfalisht në dekadën e nëntë të jetës. Freski kujtese, mprehtësi mendjeje, ndjeshmëri pasioni dhe dashurie kishte deri ditë më parë. Sot ndërroi jetë.
Ka botuar librat:
Pullazi im i pikëlluar, Rilindja, Prishtinë, 1996
Kjo dashuri e diellit, Rilindja, Prishtinë, 1999
Midis hapësirave boshe, Faik Konica, Prishtinë, 2005
Në sfondin e një kohe, LShK, Prishtinë, 2008
Stinë e thinjur, Faik Konica, Prishtinë, 2013
Fjalë e vonuar, Armagedoni, Prishtinë, 2017
Bukuri e djegur, Armagedoni, Prishtinë, 2019