Jetë e ankthshme në një roman

12 gusht 2025 | 11:09

Sulejman Dërmaku

Dibran Demaku, Ethet e një vere, roman

Me mërgimin, si një fenomen social dhe ekonomik, është ballafaquar njerëzimi, përgjithësisht, e populli ynë, posaçërisht, që nga lashtësia. Së këndejmi, ai, mërgimi pra, është bërë një ndër temat më të rëndësishme dhe më komplekse në jetën tonë kombëtare. Meqë tradita jonë shkrimore s’është e gjatë, mërgimi kryesisht është trajtuar në letërsinë popullore qoftë nëpërmjet këngëve, qoftë nëpërmjet rrëfimeve gojore. Natyrisht ai ka ndi­kime të thella në jetën e atyre që e përjetojnë, edhe në shoqëritë pritëse dhe në ato që lihen pas.

Në kontekstin shqiptar mërgimi është një realitet thuajse i vazhdueshëm historik. Ai ka efekte të shumanshme, por edhe lë pasoja. Mund të sjellë përmirësim të kushteve ekonomike, njohje me kultura të reja dhe zgjerim të mun­dësive personale, po, megjithatë, mërgimtarët shpesh përballen me sfida të mëdha, si nostalgjia për vendlin­djen, vështirësitë për t’u integruar në shoqëritë pritëse dhe përballja me diskriminimin, ndërsa familja vuan për mungesën e tyre, si bashkëshortë (kryesisht bashkëshorte), si fëmijë, si prindër… Pra, mërgimi është një fenomen kompleks. Kjo plagë jona e vazhdueshme ndër mote, gjithmonë është trajtuar vetëm duke pasur parasysh vuaj­tjet e kurbetçiut (që në këngët tona përdoret kurbetqar)… Ndërkaq, sikur ka mbetur anash familja e tij, sidomos gruaja, e sidomos nuset e reja. Ka ndodhur që ato, pas natës së parë të martesës, kanë mbetur pa burrë, në pritje të ankthshme, duke u përpjekur ta ndrydhin çdo emocion dhe tundimin e përditshëm nga presione të ndryshme të rrethit për t’iu dorëzuar atyre emocioneve, që tek mosha e re, shpesh janë të papërmbajtshme…

Në këtë kontekst, mund të themi se në romanin e Demakut, Ethet e një vere, kjo plagë shekullore trajtohet paksa më ndryshe, në mënyrë specifike. Ndonëse, thënë kushtimisht, preken edhe tema kolaterale, anësore, për­gjatë tërë romanit janë dy vija themelore narrative, kur­beti dhe vetmia. Megjithatë, vija e fenomenit të vetmisë, si pasojë e kurbetit, sikur është dominuese.

Vetmia, përtej përkufizimit të saj, si mungesë e pra­nisë së tjetrit, është edhe një gjendje e brendshme që buron nga zbrazëtia emocionale. Për një grua kjo mund të vijë nga shumë drejtime, po edhe nga mungesa e par­tnerit. Në rastet e vetmisë së zgjatur, ankthi, ose ethet, siç shprehet autori Demaku, bëhet një shoqërues i për­hershëm, siç ndodh me Nusen në rastin e romanit të autorit Demaku. Kjo gjendje mund të krijojë një rreth vicioz, që e thellon edhe më shumë ndjenjën e vetmisë dhe mungesën e sigurisë. Jeta e Nuses në romanin Ethet e një vere është pasqyrë e nevojave të njeriut për lidhje, për dashuri dhe për kuptim. Përballja me këto ndjenja kërkon guxim dhe vetëdije. Nusja e romanit të autorit Demaku, që përballet me vetminë, shpesh bën një udhëtim të brendshëm për ta kuptuar veten, për t’i zbuluar buri­met e gëzimit dhe për të ndërtuar marrëdhënie më auten­tike me të tjerët. Preokupim i vazhdueshëm i saj është mungesa e burrit dhe presioni i pandërprerë i Fqinjit të parë, i cili është tejet agresiv në synimin e tij për ta bërë për vete atë.

Ndryshimi i stilit të jetesës mund të jetë një mënyrë efektive për të reduktuar simptomat negative të stresit dhe ankthit, apo të etheve, siç shprehet autori Demaku në roman, sikurse ndodh me Nusen, pas kthimit të burrit të saj nga kurbeti. Natyrisht një lloj vetëmundimi në formë të brejtjes së ndërgjegjes për veprimet në mungesë të burrit mbetet, por si ngushëllim i shërben se të gjitha ato kishin ndodhur pa vullnetin e saj.

I tërë narracioni përbrenda romanit është retrospektiv, ndërsa prologu dhe e pilogu janë si dy kapakë të kësaj historie narrative, ku pothuajse në tërësi rrëfimi është në vetën e parë njëjës, domethënë si një kopertinë e këtij romani të autorit Dibran Demaku. Derisa në prolog, nëpërmjet ankthit të përputhjes së gjakut të birit të saj me të Fqinjit të parë, hapet sipari i etheve të një vere, që e përshkojnë rrëfimin e verës së parë të nusërisë së nënës së tanishme, i biri i së cilës ka pësuar aksident, në epilog, papritur ndodh një pikë kthese, me komuni­kimin e rezultateve të ADN-së dhe kështu sikur mehen ato ethe… Autori nuk e sheshon se kush kërkoi që të komunikohej rezultati i testit të ADN-së, porse nëpër­mjet monologut të brendshëm të nënës së tashme e Nuses së dikurshme, sikur bëhet me dije se duhet të ketë qenë Fqinji i parë ai që ka kërkuar këtë për të mos ndodhur ndonjë komprometim me pasoja të papara­shikueshme, duke u vënë në pikëpyetje atësia e babait zyrtar, thënë kushtimisht.

Ndonëse në romanin Ethet e një vere të Demakut, personazhet nuk janë të pakta, ato, megjithatë, për­brenda veprës nuk janë të emërtuara, por identifikohen vetëm me përkatësi: Nusja, Fqinji i parë, Vjehrra, Vjehrri, I shoqi etj., duke vazhduar me përemrat: ai, ajo, ata, ato etj.

Personazhi i Nuses është intrigues. Sado e ndershme, sado kundër dëshirës së saj, ajo, megjithatë, bie pre e Fqinjit të parë. Ka çaste kur ndjenjat e përjetimit të kënaqësisë nuk do t’i shfaqë, por ia pranon vetes dhe doemos lexuesi sikur lidhet me të dhe me sinqeritetin e saj, madje edhe kur pa dashur “mëkaton”. Personazhi i Nuses, megjithatë, nuk paraqitet në vijë horizontale, shumë e mirë, shumë e ndershme dhe shumë e drejtë, kështu që historia e saj nuk mund të jetë e mërzitshme, ndaj edhe lexuesi në ankth pret rrjedhën e ngjarjeve në jetën e saj të ankthshme dhe përfundimin e rrëfimit në vetën e parë, i cili, po ashtu, është tejet tensionues edhe për lexuesin.

Nëpërmjet vetërrëfimit të Nuses, autori Demaku sikur ka eksploruar mendjen dhe universin emocional të per­sonazhit kryesor. Ndonëse konflikti qendror është një njësi familjare, duke përfshirë edhe këndvështrimet e disa personazheve, megjithatë autori Demaku përqen­drohet në personazhin e Nuses, mbase edhe të Fqinjit të parë. Në të janë edhe disa personazhe mbështetëse, por çdo zhvillim i madh i personazheve është i rezer­vuar për “yllin” e narracionit, siç është Nusja, e cila, me gjithë mëkatimin e pavullnetshëm, mbetet një per­sonalitet i sinqertë, të cilën rrethanat sikur e detyrojnë për ato veprime, që me dëshirë nuk do t’i bënte kurrë.

Tundimin e nuses nga këmbëngulja e Fqinjit të parë, autori Demaku e pasqyron nëpërmjet një rrëfimi të thellë psikologjik, që ajo ia “shpërfaq” lexuesit në trajtën e një monologu (shpesh të dialoguar) të brendshëm, i cili, sikur t’i shkruhej një letër, i drejtohet bashkëshortit. Lexuesi, sado që në ethe pret zhvillimin e ngjarjes, duke qenë kureshtar nëse i shoqi do ta marrë vesh këtë, nëse do t’i mësojë ato rrëfime që i dedikohen atij, vetëm në epilog, sikur do të marrë frymë lirshëm, sepse gjithçka do të përfundojë me një “happy end”, siç thuhet në anglisht, një përfundim fatlum. Narracioni i tillë përgjatë tërë romanit, me një atmosferë anksioze e të nderë, t’i kujton veprat e Cvajgut me ankthin e thellë dhe tendo­sjen psikologjike që lexuesi përjeton gjatë leximit të tyre…

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person është arrestuar, pasi i është gjetur drogë që…