
Ka filluar konferenca shkencore “Kosova dhe Diplomacia Ndërkombëtare: Histori, sfida dhe perspektiva”
Departamenti i Historisë- UP Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës shënon 65-vjetorin me një ngjarje të rëndësishme shkencore.
Prishtinë, 15 tetor 2025 – Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës ka nisur punimet konferenca shkencore me temën “Kosova dhe Diplomacia Ndërkombëtare: Histori, sfida dhe perspektiva (fundi i shekullit XX dhe fillimi i shekullit XXI)”, e organizuar nga Departamenti i Historisë, në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri” dhe Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Ceremonia hapëse u mbajt në sallën 101 të Fakultetit Filozofik, me fjalë hyrëse nga Mentor Hasani, shef i Departamentit të Historisë, dhe përshëndetje nga Prof. Arsim Sinani, prodekan i Fakultetit Filozofik, Teuta Shala-Peli (Drejtoreshë e Institutit të Historisë “Ali Hadri”) dhe Meliza Krasniqi (Drejtoreshë e Institutit Albanologjik të Prishtinës).
Në panelin kryesor morën pjesë figura të njohura të diplomacisë kosovare, si Avni Spahiu, Enver Hoxhaj, Fitim Gllareva, Ramadan Abdiu, si dhe përfaqësues të spektrit politik dhe institucional të Kosovës së pasluftës, të cilët ndanë përvojat e tyre nga proceset e shtetformimit dhe diplomacisë ndërkombëtare të vendit.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Prodekani Prof. Arsim Sinani theksoi rëndësinë e kësaj Konference, e cila mbledh personalitete që kanë qenë protagonistë të ngjarjeve të mëdha të historisë sonë moderne — nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë, ish-liderët studentorë, ministra të Qeverive të para të Kosovës, përfaqësues të Lëvizjes Popullore të Kosivës, dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sot, në këtë konferencë, kujtojmë me pietetvfigurën e profesorit Ukshin Hoti, i cili thoshte me të drejtë se: ‘historinë duhet ta shkruajmë vetë, ndërsa të huajt duhet të na e njohin’. Edhe sot, në këtë 65-vjetor të Fakultetit Filozofik, vazhdojmë të bëjmë thirrje për zbardhjen e fatit të profesorit Hoti, i cili na mungon fizikisht, dhe nuk ka një varr,” – u shpreh Sinani. Menaxhmeti Fakulteti Filozofik do të mvlshted aktivitete të tilla që janë të dobishme për shoqërinë e Kosovës.
Konferenca vazhdoi me sesione shkencore paralele, ku morën pjesë studiues e profesorë të njohur nga vendi e rajoni.
Ky tubim shkencor shënon një nga aktivitetet më të rëndësishme akademike në kuadër të 65-vjetorit të Fakultetit Filozofik, duke synuar të kontribuojë në debatin shkencor e kombëtar mbi zhvillimet diplomatike të Kosovës dhe vendin e saj në proceset ndërkombëtare.