Ka pak gjasa që liberalizmi i vizave  të ndodhë këtë vit

08 tetor 2020 | 10:57

Drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka vlerësuar se ka shumë pak shpresë që këtë vit BE-ja të marrë ndonjë vendim rreth liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se gjasat janë të mëdha që i gjithë ky proces të shtyhet për vitin 2021.

Shasha ka treguar se për liberalizim të vizave Kosova e ka humbur momentumin që ekzistonte në vitin 2016 për shkak të mungesës së konsensusit të spektrit politik lidhur me çështjen e demarkacionit.

Sipas tij, atëbotë BE-ja ia kishte hapur derën Kosovës që të jetë pjesë e Zonës Shengen, por skena politike e Kosovës e pati refuzuar këtë ofertë

“Epoka e re”: Z. Shasha, Komisioni Evropian ka publikuar Raportin Vjetor për Kosovën 2020. Cilat janë gjetjet kryesore që janë përshkruar në këtë raport?
Shasha: Raporti vlerëson se, pavarësisht se institucionet e Kosovës vazhduan përkushtimin me deklarata publike ndaj procesit integrues, është bërë përparim i kufizuar në zbatimin e reformave evropiane. Sa iu përket zgjedhjeve të vitit 2019, raporti vlerëson se ato ishin mirë të organizuara dhe transparente, por kredibiliteti i procesit është dëmtuar nga mosadministrimi efecient i ankesave nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe nga vendimet kontroverse të gjykatave. Këto vendime kanë pasur ndikim të rëndësishëm në rezultatin përfundimtar zgjedhor pasi që mundësuan kalimin e pragut të koalicionit Nisma-AKR-PD. Sa i përket dialogut me Serbinë, raporti bën thirrje për marrjen e hapave substancialë për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, si hap kyç për avancimin e rrugës integruese të Kosovës. Sa i përket liberalizimit të vizave, Komisioni Evropian ka ripërsëritur qëndrimin e tij se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave. Sa i përket punës së Prokurorit Special dhe Dhomave të Veçanta, bashkëpunimi i plotë i institucioneve të Kosovës mbetet esencial. Është e rëndësisë vitale që të mundësohet funksionimi i pavarur dhe i papenguar i Prokurorit Special dhe Dhomave të Veçanta. Raporti vlerëson se Kosova ka nevojë për vullnet të palëkundur politik për ta adresuar korrupsionin. Korrupsioni ka mbetur i përhapur në të gjitha nivelet institucionale dhe mbetet problem serioz, ndërsa sistemi i drejtësisë mbetet nën ndikimin politik. Kosova ka bërë përparim të kufizuar në hetimin dhe ndjekjen e rasteve të profilit të lartë. Qeveria ka dështuar t’i adresojë sfidat strukturore që minojnë zhvillimin e sektorit privat dhe nuk ka arritur t’i avancojë reformat në arsim. Vendimmarrja ad-hoc e qeverisë, me theks të veçantë marrja e vendimeve financiare dhe emërimet politike, kanë minuar besimin e publikut në institucionet publike. Koordinimi i dobët qendror dhe ndërministror qeveritar vazhdon ta pengojë zbatimin e reformave. Struktura e shpenzimeve publike ka vazhduar të degradoj. Rënia e shpenzimeve kapitale, rritja e shpenzimeve për skemat sociale dhe rritja e pagave në sektorin publik janë duke paraqitur rrezik për financat publike dhe janë duke penguar zhvillimin e sektorit privat. Terminalet doganore vazhdojnë të jenë të vendosura në objekte private të cilat inkasojnë të hyrat nga çdo kamion i cili hyn në terminal për t’i përfunduar procedurat doganore. Këto pagesa janë në kundërshtim me legjislacionin e BE-së dhe MSA-në, prandaj duhet të anulohen. Kosova duhet ta ndalojë përdorimin e objekteve private për qëllime të terminaleve doganore dhe duhet të sigurojë një tranzicion të terminaleve tek objektet publike siç është aeroporti i vjetër i Prishtinës. Kosova ka bërë përparim të kufizuar në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe Agjendës Evropiane të Reformave. Institucionet kanë dështuar ta miratojnë regjistrin e ndihmës shtetërore në përputhje me afatin ligjor të MSA-së – 1 prill 2019. Po ashtu, Kosova është në rrugë të mbarë të dështojë në përmbushjen e obligimit ligjor të MSA-së për të siguruar mbrojtje të të drejtave intelektuale, industriale dhe komerciale, në nivel të njëjtë të mbrojtjes siç është në BE deri në prill të vitit 2021. Kualiteti i sistemit arsimor mbetet problem serioz dhe asnjë përparim nuk mund të raportohet në këtë fushë. Kualiteti i ajrit mbetet problem serioz për shëndetin publik, ndërsa numri i depove ilegale të mbeturinave vetëm se është rritur nga 1 572 në 2017-n në 2 529 në 2019-n. Përkundër anulimit të fondeve të BE-së, institucionet e Kosovës ende nuk kanë siguruar lokacionin për ndërtimin e deponisë për menaxhimin e mbeturinave të rrezikshme.

 “Epoka e re”: Qeveria e ka vlerësuar pozitiv këtë raport. Sa ka qenë e duhur qasja e ish-qeverisë Kurti dhe tani qeverisë Hoti në procesin e integrimit evropian?
Shasha: Të dyja qeveritë kanë qenë në detyrë për një kohë shumë të shkurtër për të dhënë një vlerësim. Ajo çfarë edhe raporti konfirmon, është se këto dy qeveri kanë pasur synime të ndryshme politike dhe programatike. Qeveria Kurti në programin e vet qeverisës ka pasur për fokus luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe zhvillimin ekonomik. Ndërsa qeveria Hoti ka pasur fokus dialogun me Serbinë dhe rimëkëmbjen ekonomike nga Covid-19.

“Epoka e re”: Çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës për t’i adresuar gjetjet e këtij raporti?
Shasha: Në rrugën tonë integruese, Kosova ka tri prioritete kyçe: bashkëpunimin e plotë me Gjykatën Speciale, vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe sundimin e ligjit. Çfarëdo progresi i mëtutjeshëm i Kosovës në rrugën tonë integruese do të jetë i varur nga zhvillimet në kuadër të këtyre tri prioriteteve.

 “Epoka e re”: Sa i përket liberalizimit të vizave, Komisioni Evropian ka ripërsëritur qëndrimin se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave. Sa ka shpresë se mund të ndodhë ndonjë vendim i BE-së për liberalizim të vizave në këtë vit?
Shasha: Gjasat janë shumë të vogla. Ka mbetur edhe një takim i Këshillit të BE-së për Çështje të Brendshme dhe Drejtësi më 3-4 dhjetor 2020 dhe është shumë optimiste të pritet se deri në muajin dhjetor çështja e liberalizimit të vizave do të trajtohet si prioritet brenda Këshillit të BE-së. Ashtu që me gjasë i gjithë procesi do të shtyhet për vitin 2021.

“Epoka e re”: Për këtë proces institucionet tona po e kritikojnë BE-në, duke përmendur faktin se Kosova ka përmbushur kushtet për këtë proces. A po tregohet e padrejtë BE-ja në këtë aspekt me Kosovën?
Shasha: Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, Kosova ka humbur shumë kohë për arsye tërësisht politike. Ne kemi humbur momentumin pozitiv që ekzistonte në vitin 2016 për shkak mungesës së konsensusit të spektrit politik lidhur me çështjen e demarkacionit i cili u ka kushtuar qytetarëve të Kosovës pothuajse pesë vjet izolim. Në vitin 2016 BE-ja hapi derën Kosovës që të jetë pjesë e Zonës Shengen, por skena politike e Kosovës e refuzoi këtë ofertë duke mbajtur kështu qytetarët e Kosovës të vetmit në Ballkanin Perëndimor pa të drejtën e lëvizjes së lirë. Ndërkohë, Kosova dështoi të ndërtojë një sistem të pavarur të drejtësisë i cili do ishte në gjendje të shënojë përparim në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë.

“Epoka e re”: Çfarë është duke e penguar sot liberalizmin e vizave?
Shasha: Rrjedhimisht, sot jemi me një mjedis kompleks ku janë së paku katër faktorë të cilët janë duke penguar liberalizimin e vizave për Kosovën: 1) Mungesa e rezultateve në kuadër të luftës kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Katër vjet pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, ne ende s’kemi asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë për korrupsion. Rastet e interesit të lartë publik, sikur “Pronto” dhe rasti “Fajdetë”, nuk kanë arritur ta kthejnë besimin në institucionet e sundimit të ligjit. 2) Raporti i Vendit 2020 identifikoi sfida të shumta në fushën e sundimit të ligjit. Në veçanti, vendet anëtare me shqetësim janë duke përcjell të gjeturat e Raportit të Vendit, ku është konkluduar se korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet institucionale, ndërsa sistemi i drejtësisë mbetet nën ndikimin politik. 3) Ngecjet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Mungesa e progresit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një pengesë indirekte pasi që vendet anëtare të BE-së e shohin bashkëpunimin rajonal si parakusht themelor në kuadër të të gjitha proceseve integruese, përfshirë edhe liberalizimin e vizave. 4) Mungesa e vullnetit politik për liberalizim të vizave. Kosova ka pasur momentumin pozitiv për liberalizimin e vizave në vitin 2016, sidoqoftë sot çështja e hapjes së kufijve është çështje me implikime të shumta politike brenda disa vendeve anëtare të BE-së.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Krah trajnerit Bernard Challandes, në konferencën për shtyp para sfidës…