Kapja e institucioneve dhe pasiguria institucionale
Shkruan: Hisen Berisha
(Certifikata për Muharremin, alarm për sigurinë shtetërore)
Siguria kombëtare, në thelb, nënkupton mbrojtjen e institucioneve dhe informacionit të ndjeshëm shtetëror nga individë me ndikim të dyshimtë, lidhje të huaja, ose histori që cenojnë integritetin e vendimmarrjes. Çdo devijim nga ky standard, qoftë edhe në një rast të vetëm, krijon rrezik të drejtpërdrejtë për shtetin.
Rasti i Ridvan Muharremit, i përfshirë në hetimet e Prokurorisë Speciale për rezervat e shtetit, ekspozon një pasiguri të thellë institucionale. Ministrja Hajdari deklaroi se të gjithë operatorët që hynë në procese të klasifikuara janë nënshtruar procedurave të AKI-së, por fakti që një person me histori të përfolur kriminale dhe lidhje me çarqe të dyshimta që nga koha e regjimit serb, me tentativa për ndikim në procesin juridik në Hagë dhe për ndikim politik ka marrë certifikatë sigurie tregon se sistemi është i komprometuar.
Burime të besueshme tregojnë se Muharremi ka tentuar të rekrutojë dëshmitarë për Tribunalin e Hagës, ka folur për skema biznesi me armë dhe ndarje përfitimesh me Albin Kurtin, madje ka trajtuar edhe çështje eliminimi politik. Dhënia e një certifikate sigurie për një individ të tillë nuk është thjesht gabim teknik por është rrezik për sigurinë e shtetit dhe besimin publik.
Ky rast demonstron se kapja institucionale dhe ndikimi politik mund të bëjnë të mundur që individë të dyshuar të kenë qasje në informacionet më sensitive, duke komprometuar integritetin e sistemit. Për qytetarët dhe për drejtësinë, kjo është një thirrje e qartë për reforma të menjëhershme në procedurat e verifikimit dhe për rritjen e transparencës.
Rreziku bëhet edhe më i prekshëm kur rikujtohet rasti i Dejana Mihajlov, e cila ishte shpallur non grata nga shteti i Kosovës në vitin 2014 për arsye që lidhen me sigurinë kombëtare. Megjithatë, me ardhjen në pushtet të kësaj qeverie, ajo jo vetëm është rikthyer në skenën institucionale, por sot drejton struktura politike brenda LVV-së si koordinatore e komiteteve, me qasje në procese të rëndësishme vendimmarrëse shtetërore. Përfoljet e vazhdueshme për lidhje me shërbime inteligjente të huaja, përfshirë ato ushtarake serbe dhe greke, të adresuara edhe publikisht nga ekspertë të sigurisë, e bëjnë këtë situatë jo thjesht të dyshimtë, por potencialisht të rrezikshme për sigurinë nacionale dhe integritetin e institucioneve.
Çështja Muharremi nuk është një rast individual, ajo reflekton modelin e pasigurisë që prodhohet kur institucionet shtetërore nuk mbrojnë vlerat e sigurisë kombëtare. Çdo qasje e gabuar në sekretet e shtetit është një kërcënim real ndaj qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.
Ky është momenti kur shteti duhet të zgjedhë mes standardeve të sigurisë dhe komoditetit politik. Sa kohë që certifikatat e sigurisë jepen pa verifikim real, dhe individët e shpallur dikur rrezik për shtetin avancohen në struktura qendrore të pushtetit, institucionet mbeten të pambrojtura. Siguria kombëtare nuk mund të jetë produkt i llogarive partiake, por i një sistemi që i mbron qytetarët, jo pushtetarët.



