Kastrati: Propozimi i Gërvallës, manovra e fundit e Kurtit drejt destabilizimit institucional

20 gusht 2025 | 19:31

Sot u mbajt seanca e radhës konstituive e Kuvendit të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje, si parti e dalë e para në zgjedhje, propozoi dy kandidate për kryeparlamentare, Albulena Haxhiun dhe Donika Gërvallën, por asnjëra nuk arriti të marrë votat e nevojshme.

Edhe pse kishte paralajmërime nga ish-partitë opozitare se nuk do të votojnë asnjë nga emrat e ministrave të Qeverisë Kurti, sërish Vetëvendosje bëri një hap të tillë.

Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Gazeta Blic” profesori universitar, Ardian Kastrati. Ai tha se propozimi i Donika Gërvallës ka qenë një manovër e mirëpërgatitur nga Kurti, që sipas tij shërben vetëm si iluzion i zbatimit të parimeve kushtetuese.

“Propozimi i Kurtit për Donika Gërvallën duket si një manovër e mirëpërgatitur që shërben si iluzion i zbatimit të parimeve kushtetuese, ndërkohë që në realitet shërben si instrument për me vazhdu bllokadën e Kuvendit. I vetëdijshëm se opozita nuk e voton Gërvallën për shkak të dështimeve të saj kolosale si ministre dhe përdorimit të gjuhës antagoniste (ngjashme me të Dacicit) ndaj figurave kyçe të UÇK-së, Kurti po e bën Gërvallën protagoniste të radhës për bllokimin e Kuvendit dhe pengimin e procesit të formimit të qeverisë”, deklaroi Kastrati.

Profesori tha se kryeministri në detyrë Kurti po manifeston një qasje antagoniste ndaj stabilitetit institucional, ndërsa propozimi i Gërvallës është akti final i strategjisë përfundimtare të tij drejt destabilizimit total.

“Kjo strategji duket e qëllimshme dhe e rafinuar sepse Albin Kurti po manifeston një qasje antagoniste ndaj stabilitetit institucional, ku rendi demokratik perceptohet si pengesë në realizimin e projektit të tij politik. Kjo lojë e rrezikshme për legjitimitetin politik e institucional sjell rrezikun e kolapsit shtetëror. Prandaj, propozimin me Gërvallën e shoh si një nga aktet finale në strategjinë përfundimtare të Kurtit drejt destabilizimit total institucional, ndërsa ‘tufat’ e indiferentëve janë plot me komoditet në delirin e tyre”, u shpreh profesori universitar, Ardian Kastrati, për “Gazeta Blic”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka arrestuar një 20-vjeçar me inicialet A.Gj…