
Kastrioti e pret titullin gjatë, Rahoveci në momentin më të mirë në histori
Të enjten zhvillohet ndeshja e dytë finale e plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve në mes të Kastriotit dhe Rahovecit.
Ndeshjen e parë, të luajtur të dielën mbrëma, e fitoi Rahoveci. Ndeshja ishte shumë e fortë, me shumë duele e gola të bukur. Njëjtë pritet të jetë edhe të enjten prej orës 20:00 në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Vendasit synojnë fitore për ta dërguar serinë finale në ndeshjen e tretë. Ndërkohë “vreshtarët” udhëtojnë për ta festuar titullin. Rahoveci është në momentin më të mirë si klub. Vjet e fitoi titullin e parë të kampionit, ndërsa bëri paraqitje të mirë edhe në Evropë. Këtë edicion garues, pjesën e rregullt të garave e përfundoi pa humbje të pësuar. Në gjysmëfinale e eliminoi Prishtinën. Edhe Kastrioti është në moment shumë të mirë. Ka fituar Kupën e Kosovës në turneun e organizuar në Ferizaj, në atmosferë të shkëlqyer.
Në finale ishin mbi 3 000 shikues në palestër. Kupën e Kosovës, skuadra ferizajase e fitoi për herë të dytë rresht. Por titullin e fundit të kampionit, Kastrioti e ka fituar në vitin 2011. Prej atëherë ka dominuar skuadra pejane, Besa Famgas, të cilën Kastrioti e mposhti në gjysmëfinale të plejofit dhe në finale të Kupës.
Kastrioti është klub pasardhës i Borcit të famshëm. Është klubi më i suksesshëm në histori të hendbollit kosovar dhe prej klubeve më të suksesshme në të gjitha sportet.