KATËR SHQIPËRITË

08 dhjetor 2023 | 15:27

Shkruan: Ismail Syla

1992, QEPUJKË

Për herë të parë këmba ime shkeli në Shqipëri më 12 nëntor 1992. Para kësaj here, atje kisha shkuar përmes ëndrrës, duke lundruar përmes mekanizmit të kësaj gjendje të nënvetëdijshmes, pa pasaportë, pa kontrolle dhe frikë arrestimi nga policia ose ushtria serbe. Ëndrra ishte në të njëjtën kohë teatri, aktori, autori dhe dekori (Borhes)që më shpinte në Tokën e Ëndërruar dhe më shpërfaqte pamje dhe gëzim të jashtëzakonshëm. Pas atyre sekondave magjikë, kur kthehesha në zhgjëndërr më kapte mërzia dhe pikëllimi. Do doja vazhdimin e ëndrrës, që ishte mbi të gjitha pjellë ideale e ëndërrimit të gjatë, si ai biblik për Tokën e Premtuar.

Ndryshe, por ngjashëm me ëndrrën ishte edhe Shqipëria, ajo e fytyrës së përjetshme, e librit, atë që e kishte krijuar Naim Frashëri, Der Rada, Gjergj Fishta, Migjeni, mbi të gjithë Ismail Kadare, pastaj Dritëro Agolli etj. Ngjashëm dhe ndryshe ishte Shqipëria që kishte krijuar RTSH, Kinostudio “Shqipëria e Re”, Radio Kukësi dhe përgjithësisht Shqipëria e propagandës komuniste.

Me dy miq që ishin po aq të etur dhe të lektisur për të shkuar për herë të parë në Shqipëri, me doktorin Agim Dobruna dhe gjeodezistin Murat Meha, hymë në tokën e shenjtë përmes pikës kufitare, Qafë Thanës, një shprehje gjeografike e bukur, por fatkeqësish pikë ndarëse e ngritur në tokat shqiptare. Për ironi të fatit tre idealistë po hynin në Shqipëri me një veturë të tipit “Yugo”, si për ta dëshmuar faktin se jetonim dhe vinim nga një vend shqiptar i pushtuar keq nga Jugosllavia e të gjitha ngjyrave, mbretërore, komuniste, serbe.

Shtëpitë e para në qytezën e shëmtuar të Prrenjasit dhe shtëpitë e vogla në faqet e maleve përgjatë lumit Shkumbin më krijuan përshtypjen e parë, të cilën e bënte më të zymtë natyra vjeshtore dhe muzgu që po binte në rrugë drejt kryeqytetit shqiptar, Tiranës. Gjatë këtij udhëtimi errësira nuk arriti t’i bënte të padukshme disa “fabrika” dhe uzina që ishin shndërruar në konstrukte ndryshku.

Tri ditë në Tiranë i kaluam secili  prej nesh me interesime të përbashkëta, por edhe me të ndara, sipas profesionit dhe shijes. Tirana e vitit 1992 ende kish gjurmët e tranzicionit shkatërrues. Çdo gjë e periudhës komuniste po shkatërrohej, ndërsa ndërtimi “demokratik” nuk dukej askund. Gjithçka ishte minus zero.

Gjatë ditës secili kishte agjendë, por në mbrëmje, kur takoheshim, secili kishte marrë më vete copa mozaiku për Tiranën, për njerëzit, kulturën e sjelljes, situatën urbane. Asnjëri nga miqtë e mi nuk kishte natyrë panikuese. E kishin aftësinë e mbytjes së zhgënjimit dhe thyerjes së iluzionit në heshtje. Ky thërmim po ndodhte në mekanizmin e arsyes sonë. Po zbulonim Shqipërinë reale pa mallkim, pa nihilizëm arrogant, për dallim nga shumë kosovarë shtresash e formimesh të ndryshme që në Shqipërinë e atyre viteve abuzonin dhe lënin përshtypje të keqe në Atdheun e Ëndrrave Ideale.

Gjatë kësaj vizite në xhep kisha vetëm 50 dollarë. Rroga e mësimdhënësit në Kosovën e zhvendosur nga institucionet legale, ishte 128 marka gjermane. Me ato para bleva libra, sepse miqtë e mi ma paguan hotelin. E ndriçoj këtë fakt për të treguar simbolikën e ngjashmërisë sime dhe të Shqipërisë së atyre ditëve. Kjo ngjashmëri mund të titullohej edhe si historia e qepujkës dhe çorapeve të grisura të Dritëro Agollit, sepse gjatë atyre tri ditëve në kryeqytetin shqiptar mbret i menysë së “restoranteve” ishin kokëzat e qepujkave turshi.

Në një nga mbrëmjet më të bukura që kaluam në Tiranë qe vizita në apartamentin e e Dritëroit të madh. Në sallonin e vogël të mbushur plot libra dhe enciklopedi të të gjitha llojeve atë natë folëm për Shqipërinë e përjetshme, por edhe atë të vjeshtës së tretë të vitit 1992. Atë mbrëmje, Dritëroi mbante veshje shtëpie, nuk ishte ndërruar, por ashtu siç ishte, më la përshtypje me cigaret që pinte, duhan shqeto, ndërsa çorapja prej leshi ishte e grisur te gishti i madh i këmbës. Ajo çorapë ma kujtoi varfërinë legjendare të Shqipërisë së atyre ditëve, të cilën Agolli e kishte ngritur në art. Sipas vargjeve të tij, heroi lirik shqiptar në shtëpinë e tij kish vetëm dy gjëra, një kokë lakër dhe një  grua të ndershme.

2002, COCA-COLA

Dhjetë vite më pas, më 2002 Shqipëria po shënonte 90 vjetorin e Pavarësisë. Kosova kishte kaluar nëpër ferrin e saj, kish mbijetuar për t’u çlirua më 12 qershor 1999.

Viti 2002 ishte jubilar. Duke qenë pjesë e ngushtë e kabinetit të liderit politik të UÇK-së, Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, u bëra pjesë e delegacionit të Kosovës për të festuar në Vlorë e Tiranë.

Për dallim nga hyrje tokësore e vitit 1992, tashmë po shkonim në Tiranë përmes ajrit me një avion të vogël, që mezi e zuri dërgaten. Përpos Bajram Rexhepit, kryeministër, gjeneralit Agim Çeku etj. me ne udhëtoi edhe Mark Krasniqi, një profesor i nderuar, patriot kryekreje, i krishterë, por që nuk shquhej për simpati të thellë ndaj liderëve të UÇK-së.

Duke njohur mirë profilin tim njerëzor, pjesa dërrmuese e delegacionit ma lanë në “dorë” profesorin e nderuar, kryetar i një partie të vogël dhe deputet i Kuvendit të Kosovës. Profesori më mbeti në “dorë” edhe në darkë në Kavajë, madje edhe në Vlorë na lanë në të njëjtën dhomë hoteli, i cili ishte i mbushur dëng nga mysafirët e shumtë.

Në Vlorën e 2002-ës më mbeti në mendje forca e ndjenjave dhe dashurisë që shqiptarët e të gjitha trojeve kanë rrënjosur dhe kultivuar për Ditën e Pavarësisë, Ditën e Flamurit, Ditën e 28 Nëntorit 1912, datë mitike, që shënoi pavarësinë e një pjese të tokave shqiptare, 28 mijë km. katrorë, fillimin e krijimit të shtetit shqiptar, që kufizohet me troje shqiptare.

Në shtëpinë muze të Pavarësisë në Vlorë e pashë një foto bardh e zi ku në qendër kishte një shqiptar të Kosovës, pranë një djepi, duarthatë, që paraqiste fatin qindvjeçar të shqiptarit të ndjekur, të vrarë dhe të dëbuar nga vatra e tij, me duar në xhepa. Një mallkim i tillë kishte ndodhur katër – pesë vite më parë, kur në Shqipërinë që mezi e zë vetveten, gjetën strehë mbi gjysmë milioni kosovarë.

Në 90 vjetorin e Pavarësisë së  Shqipërisë në mendje më mbeti qëndrim në Pallatin e Brigadave, bujtja në atë pallat dhe fjalët e kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, parti atëherë në opozitë, i cili kishte bërë gjumë në njërën nga dhomat më të mëdha të ish mbretit Zog: Ah, sikur ta kishim një dhomë kaq të madhe në kohën e luftës. Do të zinte shumë armë.” Ende kujtesa e luftës ishte afër, aq sa mund ta prekje me dorë.

Më 29 nëntor, po me atë avion, më i madh se një dallëndyshe, u kthyem në Kosovë. Me vete nuk kisha asnjë suvenir, asnjë statujë, asgjë tjetër, pos dy kënaqe Coka-Cola, për hirë te faktit se në ambalazhin e tyre ishin stampuar me të zeza fjalët “90 vjet Pavarësi”.

Për një dekadë  në Shqipëri nuk vërehej ndonjë ndryshim i madh. Me profesorin Krasniqi kishim bërë gjumë në një hotel ende të papërfunduar. Xhami mbi derën e dhomës nuk ishte vënë ende. Kjo pasqyronte gjendjen infrastrukturore të Shqipërisë me rrotën e mbetur në baltën e tranzicionit.

Vetëm Coc-Cola m’u bë se ishte shenjë “përparimi”. Pija e urryer dhe e ndaluar me dekada nga regjimi komunist, simbol i degjenerimit dhe produktit kapitalist, kishte depërtuar thellë në Shqipëri, madje dekorohej.

2012, TORTË

Viti 2012 shënonte shekullin e Pavarësisë së Shqipërisë. Me ndonjë aktivitet edhe Kosova po dëshmohej. Autor i logos, që e paraqiste në mënyrë elegante shqiponjën dykrerëshe, ishte një kosovar. E arritura e madhe dhe me interes të veçantë për Kosovën ishte ndërtimi i autostradës deri në Kukës. Edhe Kosova që nga 2009 kishte filluar punën në autostradë.

Dita e 27 nëntorit ishte ideale që në frymë të përvjetorit super jubilar të Shqipërisë, Kosova ta promovonte pothuajse përfundimin e autostradës që në mënyrë marramendëse po shkurtonte distancën midis Prishtinës dhe Tiranës.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm nuk mora pjesë për arsye shëndetësore. Në fakt shëndeti nuk ishte shkas aq i thellë as thelbësor. Vizitat e shpeshta zyrtare në Shqipëri, si këshilltar politik i kryeministrit Thaçi, për dallim nga e para me 50 dollarë në xhep, ose tjetra nga pozicioni i një partie në opozitë, më kishin dhënë mundësinë për ta njohur dhe eksploruar Shqipërinë gjerësisht dhe më rrënjësisht. Duke qenë anëtar i një delegacioni shtetëror, krahas privilegjeve vijnë edhe pengesat. Je pjesë e një protokolli që ta vret privatësinë. I mbingopur nga zyrtariteti, të merr malli për të qenë qytetar i thjeshtë, normal, i vetvetes.

Të gjitha fazat e ndërtimit të autostradave i kisha përcjellë andej dhe këndej kufirit, tash kufiri më i zbutur në Ballkan. Kisha parë bashkimin e vrimave të tunelit Thirrë – Kalimash, inaugurimin e autostradës energjetike dhe të gjitha aktivitetet kulturore e politike në të cilat merrte pjesë kryeministri Thaçi.

Bukurinë e nisjes së delegacionit të Kosovës drejt Tiranës, më 27 nëntor 2012 e prishi një incident primitiv në afërsi të Arllatit, kur një grup huliganësh të instrumentalizuar politikisht, përmbysën karriget dhe gjithçka tjetër. Derisa delegacioni shtetëror i kryeministrit të Kosovës me një dozë të shijes së hidhur u nis drejt Tiranës, unë u ktheva “i lumtur” në shtëpi, për t’i përcjellë të gjitha manifestimet e Vlorës dhe Tiranës, përmes radio-televizioneve të shumta shqiptare.

Rrodhën si rrodhën zhvillimet e paradave ushtarake dhe aktivitetet e ngjeshura në Vlorë dhe Tiranë, më 28 nëntor 2012 ndodhi një ngjarje eskandaloze, pashije. Ndodhi shpërthim i instinktit të turmës, atavizëm evolutiv, që dëshmon se njeriu në thellësi të historisë i ka përkitur organizimit shoqëror më primitiv të mundshëm, kopesë.

Turrja mbi tortën gjigande në sheshin qendror të Tiranës, grabitja e pjesëve të saj dhe në fund shkelja me këmbë e ëmbëlsirës simbolike, ishte treguesi më i mirë i shpërfaqjes së një force barbare, të cilën, në rrethana kur provokohet, nuk mund ta ndalë dhe frenojë asnjë model civilizimi, institucion kulture, e, madje asnjë institucion i rendit publik.

Në vitin 2012, fatkeqësisht nuk më mbeti fare merak pjesëmarrja në manifestimin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, mu në kulmin e pozitës zyrtare dhe të mundësive të mëdha logjistike. Por, pavarësisht, mbingopjes, zhgënjimeve, thyerjes së iluzioneve, përparimeve teknike, ngecjeve të emancipimit, mendësisë me nuanca dalluese midis shqiptarëve andej dhe këtij këndej kufirit, dashurinë ndaj qenësisë shqiptare nuk mund ta dobësojë e zvetënojë as qepujka e 1992, as torta vitit 2012.

2022, ÇADËR

Dhjetë vjet pas 100 vjetorit të pavarësisë, njëzet vjet pas 90 vjetorit të saj, 30 vjet pas vizitës së parë të Shqipërisë, në shtatorin e vitit 2022, pas mbarimit zyrtar të sezonit turistik, u gjenda në Velipojë së bashku me djalin e tretë, Orgesin, renë, Meritën dhe nipin Lartidin trembëdhjetë muajsh.

Lartidi, edhe pse ende nuk ecte, hyri në Shqipërinë e NATO-s një vjeç e një muaj, për dallim nga unë që në vitin 1992 isha 31 vjeçar në Shqipërinë e rrënuar nga vetvetja.

Kontakti i parë i Lartidit me detin më mbeti në mendje. Ai rezistoi fillimisht ndaj ujit, por aq shpejt e pranoi sa mbeta i befasuar. Me kalimin e ditëve, ishte i gatshëm për të fjetur edhe në ujë, i mbrojtur nga goma përkatëse për moshës e tij.

Çdo qëndrim në Shqipëri të sjell përshtypje të llojllojshme.  Për shembull: Çmimet e çadrave që paguajnë pushuesit e Kosovës në bregdetin shqiptar janë histori më vete.

Kosovarët, duke qenë banorë të një vendi pa lumenj të mëdhenj, pa liqene të mëdha, janë të detyruar që pushimet t’i kalojnë diku. Duke qenë fakti se udhëtimi drejt bregdetit shqiptar është bërë i lehtë (kujto humorin patriotik të prizrenasit që shpallë publikisht ofertën për shitjen e shtëpisë: Shes shtëpinë, dy orë larg bregdetit), vërshimi i veturave të kosovarëve drejt Shqipërisë në fundjavë është dukuri standarde.

Për fat të keq, shembujt që ilustrojnë mendësinë dalluese midis qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë janë të shumtë si nga fusha ekonomike, politike, po ashtu edhe ajo kulturore. Bie fjala, derisa Prishtina është më liberale ndaj krijuesve të Shqipërisë dhe nuk është dorështrënguar, nga ana tjetër Tirana është e përkorë dhe konservative ndaj krijuesve kosovarë, qoftë në dhënie çmimesh, qoftë në afirmimin e përgjithshëm të kulturës së Kosovës.

Ky dallim në mendësi ka bërë që në rrafshin diplomatik po luajti Shqipëria rol patronist për Kosovën në arenën ndërkombëtare, vrulli dhe afshi i reagimit kundër diplomacisë shqiptare në Kosovë merr përmasa të frkishme (kujto sulmet brutale kundër Edi Ramës, më ngulmuese se ndaj çdo lideri serb).

Një karikaturë që paraqet shqiptarin e Kosovës dhe atë Shqipërisë krah njëri tjetrit duke i vënë krahun mbi supe, nga shpina, e që dallojnë në bazë të flamujve në shpinë,  përçon mprehtë idenë e ecjes së dy vëllezërve. Si ide, ideale, si praktikë, ideal me të meta.

Idenë e kësaj karikature për dy vëllezër, njëri prej të cilëve është më i vjetër, 110 vjeçar dhe tjetri më i ri 23 vjeçar, ma nxiti një postim i Meritës, nënës së Lartidit, me origjinë nga Lugina e Preshevës. Unë çdo mëngjes për dhjetë ditë me radhë në krahë e mbaja Lartidin dhe ecnim buzë ujit për të marrë me frymë, siç kujtojmë, jodin e Adriatikut.

Në njërën nga ato mëngjese, Merita kishte bërë foto me aparatin e saj dhe kishte zënë momentin kur Lartidin e kisha mbajtur në krahun tim të djathtë. Në njërën nga ditët, ajo e kishte postuar në facebook atë foto me një tekst intrigues: “Gjyshi, krahu i djathtë i Lartidit.”

Ky postim më bën që metaforikisht të ndjehem Shqipëri,  61 vjeçar, shumë i moshuar krahasuar me Lartidin, (Kosovë), trembëdhjetë muajsh.  Ndjehem i nderuar nga ky tekst, por e di që çdo ditë e më shumë Lartidi do të rritet, do të ecën, do të gëzojë rininë, do të burrërohet…

Ardhtë koha kur Lartidi bëhet krahu im i djathtë.

Ardhtë koha që Kosova dhe Shqipëria të jenë krahë të bashkuar në në trup, sepse hapësirë të tokave të pabashkuara shqiptare ka mjaft.

Prishtinë, 27 nëntor 2023

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë dhe ka kërkuar…